Kandidati i PS-së, kryebashkiaku Safet Gjici: Dyfishojmë investimet për Kukësin në 4 vitet që vijnë
Kandidati i PS-së për kryetar të bashkisë Kukës në zgjedhjet e 14 majit, Safet Gjici tha se në 4 vitet e ardhshme, projektet që do të ndërmarrim në infrastrukturë dhe vepra publike, do të përmbushi premtimin për ta bërë Kukësin qytetin e plotësuar tërësisht me investime në shërbim të komunitetit dhe që përmirësojnë cilësinë e jetës së banorëve këtu.
Gjatë takimit elektoral që u zhvillua në Kukës, me pjesëmarrjen e Kryeministrit, njëherësh kryetar i PS, Edi Rama, Gjici tha se, “edhe në kompleksin ku jemi mbledhur sot, askush nuk e mendonte se do të ndërtohej ky stadium kaq i bukur dhe me standardet më të mira bashkëkohore. Në Kukës ne hapëm aeroportin e dytë ndërkombëtar, një investim i prekshëm që po i shërben qytetarëve me kosto më të lira fluturimi dhe po nxit turizmin e zonës”.
Më tej Gjici shtoi edhe se programet e investimit do të zgjerohen në sistemim arsimor dhe shëndetësor. “Ne synojmë t’i dyfishojmë investimet në Kukës, me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ne kemi shpërndarë kontratën tonë me qeverinë për investime dhe zhvillimin e Kukësit në çdo cep të tij”, deklaroi Gjici.