29 varret masive të diktaturës, ja harta

 

Një hartë që tregon 29 pikat prej nga mund të fillohet kërkimi pas 25 vjetësh heshtje për të ekzekutuarit e pa varr të diktaturës është bërë publike së fudmi. Harta fillon në Fushën e Rrmajit në Shkodër dhe mbyllet në Sheshin e Zinxhirëve në Gjirokastër. Një numër i vendeve janë emra të njohur vend ekzekutimesh ku janë gjetur eshtra si Antena e Radios së Shkodrës, të tjera janë përmendur më pak dhe një pjesë janë dhe zona në mes të qyteteve. Në hartë ndërkohë mungojnë vendvarrimet masive pranë burgjeve apo kampeve të përqendrimit të cilat janë të identifikuara më herët.

Megjithëkëtë, procesi sapo ka filluar dhe nuk dihet nëse do mund të lëvizet më shpejt. Komisioni Ndërkombëtare për Personat e Humbur (ICMP) dhe Institutit i Integrimit të Përndjekurve Politikë kanë filluar kërkimin për 5.5 milion euro fond që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e viktimave në Ballsh dhe Malin e Dajtit dhe vendvarrimet e vend ekzekutimet e tjera. Harta ndërkohë shënon një numër vendesh kryesisht në Tiranë-Durrës dhe Shkodër e Vlorë ku janë kryer mesa duket edhe numri më i madh i ekzekutimeve. Kryeqyteti ka 6 pika të tilla. Përfshi edhe zona si Kodra e Priftit që janë mbuluar nga ndërtimet pas rënies së sistemit. Të tjera janë pranë Bregut të Lumit, Ura e Farkës, Ura e Beshirit, Linza dhe Mali me Gropa. Lumenjtë dhe përrenjtë dukët se ishin zgjedhje e parë. Kjo me gjasë e bën edhe më të vështirë kërkimin e eshtrave nëse një pjesë e tyre mund te jenë rrëmbyer apo lëvizur prej ujërave. Kështu është përdorur Buna, Kiri, përrenjtë e Miq Mamës dhe Kolshit në Kukës, përroi i Dubrovës në Peshkopi, ai i Velabishtit në Berat dhe zona e Viroit në Gjirokastër. Por ndërkohë mes vendeve ka dhe nga ato që ndodhen në mes të qyteteve si Parku Rinia i Korçës apo zona të populluara masivisht së fundmi si kodrat rreth Tiranës.

Është e paqartë nëse kërkimi që pritet të zgjasë 4 vjet do mund të fillojë vitin që vjen pasi duhet të sigurohen fondet, ndërsa duke llogaritur vështirësitë është ende herët të thuhet nëse familjet e të humburve do mund të kenë një përgjigje. Historia që u rikthye në çështje ditë pas gjetjes rastësore të disa varreve masive në periferi të Tiranës më 2010, ende nuk ka marrë një zgjidhje, ashtu siç edhe hapja e dosjeve të diktaturës.

Ndërkohë në një iniciativë të filluar herët gjatë këtij viti ICMP dhe MMSR arritën një marrëveshje, e cila pati dështuar të arrihej në 2012 për arsye që nuk u bënë të qarta.  Projekti parashikon dy faza dhe kushton 5.5 mln euro. Për çdo të zhdukur do merren mostra adn-je nga tre familjarë. Plani i veprimit i prezantuar së fundmi nga përfaqësuesi i ICMP-së përshkruan një strategji graduale për identifikimin e rreth 6000 personave, të cilët u zhdukën gjatë regjimit komunist në Shqipëri, në periudhën 1944-1991. 

SHKARKO APP