A është Blushi, projeksion i kryeministrit të ardhshëm?

 

Nga Mimoza Dervishi

Debati se kush do jetë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, duhet të kishte filluar që më 24 qershor 2013, vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Kështu ndodh kudo, ku njerëzit ecin me plane dhe ku paralelisht me të përditshmen projektojnë të ardhmen. Që Hillary Clinton do garonte për presidente në 2016-ën, e morëm vesh qysh mëngjesin që Obama u gdhi president. Pavarësisht se ajo u bë pjesë e kabinetit të tij, askush nuk i mohoi asaj dëshirën dhe të drejtën për të hyrë në garën e ardhshme. As u quajt armiqësi, kur taktikisht u largua nga detyra që mbante, përkundrazi u quajt një zgjidhje politikisht e mençur. Në fund të mandatit të parë të presidentit aktual, kur gjërat po shkonin si mos më keq, siç ndodh rëndom në mandatin e parë, u përfol dhe diskutua në Partinë Demokratike Amerikane që më mirë ajo të sfidonte presidentin, sesa të shkonin drejt një humbjeje. Nuk ndodhi, jo vetëm pse ky është një vendim personal, por sepse ishte dhe një vendim partie, si një grupim vullnetar njerëzish, që i bashkon ideologjia, por dhe një set rregullash.

Në Shqipëri në fakt projekti për liderin e ardhshëm, jo vetëm mungon, por është gati një temë tabu dhe nëse guxon, shpallesh armik. Partive politike u njihet kryesisht vetëm kryetari. Është luks i rrallë që bashkë me liderin e shpallur, të gjesh një apo dy figura të tjera potenciale, po aq të rëndësishme dhe po aq gati në çdo moment për të qenë liderë. Ben Blushi është një nga këto të pakta lukse.

Për nga qetësia dhe elokuenca, ngjan më shumë me Obamën se Hillarinë, por krahasimi nuk është qëllimi i shkrimit, pavarësisht se personalisht jam e lumtur që jam në gjendje të krahasoj një politikan shqiptar me politikanë të botës moderne. Nëse e ka seriozisht kauzën dhe karrierën e tij politike, ky është veçse një lajm i mirë për të gjithë. Lajm i mirë edhe për kryeministrin Rama! Në fund të fundit politikanët e shekullit të 21, që mendojnë seriozisht t’i shërbejnë vendit, janë vetë të interesuarit e parë për atë që do t’i pasojë. S’duhet të ketë gjë më të trishtueshme, sesa të pasohesh nga një idiot, nga ata që Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë, nga ata që shkaktojnë shumë më tepër dëme, sesa të mirat që ti je munduar të krijosh. Në një plan të vogël personal, liderët synojnë dhe dëshirojnë të mbahen mend gjatë, mundësisht në përjetësi. Por për sa kohë jemi gjallë, vazhdimësia dhe mundësisht përmirësimi, duhet të jetë qëllim i të gjallëve. Është veçse emancipuese për Shqipërinë që kryeministrin artist nga profesioni, ta pasojë një shkrimtar për nga pasioni.

Kur pyes nëse Blushi e ka seriozisht, nuk aludoj se nuk është serioz. Por ka një problem. Njerëzit e letrave, që e gjejnë prehjen në të shkruar më shumë se kudo tjetër, e kanë shumë kollaj t’i flakin të gjitha tutje dhe në mos u bëfshin emigrantë e të ikin nga sytë këmbët, arratisen mes gërmave për periudha të pacaktuara, që nuk dinë se kur të kapin. Shpesh i quhet si dobësi, heshtja apo largimi nga llumi rrotull dhe marrja me letërsi. Por për aq kohë sa ne si lexues kemi një libër në dorë, në fakt duhet thjesht t’i themi faleminderit. Shikoni sot parlamentin e Shqipërisë, hidhini një sy ngjarjeve vetëm të dy muajve të fundit. Na lanë pa fjalë skenarët horror me vrasje, që më pas percipituan në kërcënime për video që krerët e politikës së djeshme/sotme ia mbajnë në sirtar sho-shoqit. Tani ranë në gjumë dhe do zoti "vrasin" njëri -tjetrin në paqe. Në 365 ditët e vitit, më mirë zgjedh të lexoj Blushin, sesa të shoh parlamentin shqiptar. Zgjimi i tij politik vjen si një lajm i mirë, paçka se ai vetë është mbartës i trishtimit, që ai mendon se është mbarëpopullor. Kështu në fakt po duket se është dhe emigrimi i shqiptarëve dhe kjo nuk është për tu injoruar. Nuk është për tu injoruar as fakti, që qeverisja ka një kritizer me mend në kokë, kur ata që duhet të bënin opozitën nuk dinë se ku kanë kokën.

Blushi kësaj radhe vjen ndryshe, paçka se u shpejtua të thuhet se po bën të njëjtën gjë që ka bërë gjithmonë, kritikon Ramën. Nuk është kjo risia dhe media e kapur disi në befasi, shpejtoi të bëjë kronologjinë e ngjashme të së kaluarës Rama-Blushi, duke e trajtuar njësoj këtë që po ndodh dhe duke u mbështetur tek dy elementë të vjetër: prishja e një miqësie dhe largimi nga Partia Socialiste. Nuk është as njëra, as tjetra. Dhe shpresoj mos të jem gabim. Përsa i përket miqësisë Rama-Blushi, shoqëria shqiptare duhet ta kishte kaluar këtë cak primitiv të të parit të gjithçkaje si personale. Pikë së pari, në politikë nuk ka miq. Së dyti, prishjet dhe krushqitë politike janë tashmë përtej bajates. Vetëm në dy vitet e fundit kemi dhe ç'nuk kemi në qeversije dhe opozitë dhe kjo vetëm me miqësitë nuk ka lidhje.

Elementi i dytë i vjetër që iu mvesh kritikave të hapura të Blushit ka lidhje me të ardhmen e tij brenda PS-së. Ku dy janë variantet, ose po krijon parti të re, ose do përjashtohet njësoj si Doshi. Është shumë e vështirë të vendososh Blushin dhe Doshin në të njëjtën fjali, nuk qëndrojnë bashkë, as logjikisht, as estetikisht. Siç është shumë e lehtë të kuptosh se të kritikosh me artin a fjalës dhe të bësh xheste me këmbë e duar, sikur do t’i hysh kryeministrit të vendit me dru, janë dy gjëra të ndryshme dhe kaq larg njëra- tjetrës.

Megjithatë ky reagim mediatik është thjesht shprehje e mjedisit politik shqiptar, ku është kaq e vështirë të kritikosh. E atij mjedisi që ngre mite, mite që janë thjesht njerëz prej mishi e gjaku, që më së shumti janë personazhe rrethanash, por dhe për merita të tyre sigurisht, janë në pozicione të caktuara shoqërore. Pozicione që nuk janë të përjetshme, që mbahen nga njerëz të vdekshëm dhe lehtësisht të zëvendësueshëm, në mos pas vdekjes siç na ndodhi me diktatorin, për së gjalli siç na ka ndodhur me nja 5-6 kryeministra dhe presidentë.

Sa më shpejt të fillojë gara e zëvendësimit, aq më e shëndetshme demokracia. E ndërsa në krahun tjetër dihet që kryetari i opozitës është kandidat për kryeministër, ndoshta për herë të parë në historinë politike të postkomunizmit në Shqipëri, do kemi dhe një garë normale brenda partisë në pushtet, gjatë kohës që është në pushtet. Ky është një novacion dhe po ndodh brenda një partie, që ka sjell progres në jetën shoqërore dhe politike të vendit. Ndoshta kështu po projektohen rregulla të reja, të pashkruara dhe të paprovuara më parë. Kjo gjë do t’i shërbente mjaft mirë edhe mekanizmit check and balance, kur aktorë e tjerë të këtij procesi janë thuaj të pandjeshëm. Kështu duhet parë “trishtimi” i Blushit dhe jo si projeksion i dështimeve apo pesimizmit të tij personal.

Pesimist? Ndoshta, është në natyrën e shkrimtarit. I dështuar!!! Duhet të bëjmë një marrëveshje fjale për dështimin.

Nuk njoh asnjë deputet të parlamentit të Shqipërisë, të shkuar dhe prezent, që të barabitet me Ben Blushin për nga eleganca dhe finesa e të bërit politikë, modernizmi dhe qytetaria e të bërit fushatë, apo inteligjenca dhe talenti i të shkruarit të gjuhës shqipe. Shpresoj që ta kthejë pesimizmin në një optimizëm të mjaftueshëm rreth vetes për të ndryshuar rregullat për mirë, jo vetëm brenda Partisë Socialiste, por në politikën shqiptare në tërësi, qoftë dhe duke filluar i pari dhe i vetëm një garë të panjohur në ato anë, por mëse të ndershme dhe krejtësisht të merituar për të qenë pjesë e saj. Blushi vjen nga media dhe është larguar prej saj qysh në vitin 1997, por sot e gjithë ditën në çdo emision politik, shfaqet më mirë se gjithë gazetarët e mbledhur bashkë, plus drejtuesit e emisioneve të cilët ndonjëherë mahniten dhe harrojnë të bëjnë pyetjet. Bën gjithashtu letërsinë e tij, që është letërsia moderne shqiptare e shekullit të 21. Nëse këto janë cilësitë e dështimit, jam e sigurt që arritja e të bërit kryeministër pas 2 apo 6 vjetësh, nuk ka për të qenë suksesi i tij më i madh. Do jetë padyshim një sukses dhe emancipim për shoqërinë shqiptare. Dhe shpresoj të ndodhi në kohën e duhur. Në Shqipëri disave u ka qëlluar të jenë kryeministra edhe 29 vjeç, por ose nuk mbahen mend të kenë qenë të tillë, ose mbahen mend për keq. Në Amerikë mund të ndodhë që një 70 vjeçare të bëhet presidente dhe ta mendosh që ka gjithë jetën që pret dhe përgatitet për këtë ditë. Është shembulli klasik, se secili ka kohën e tij.

Dikur në 2009, kur Blushi vendosi të krijonte "Mendimin Ndryshe" nuk më ka bërë përshtypje, nëse ishte mik i Ramës dhe po bëhej armik i tij. E kam kritikuar që nuk mund t’i bëhet opozitë, opozitës. Kjo është principale. Së dyti, mekanizmat që la Nano pas për të bërë hajër në politikë, kryesisht përmes kulisave dhe dhënies si favor apo për miqësi të posteve, nuk ishin ato që i shkonin për shtat Blushit dhe as që i nevojiteshin. Ai vetë, dje dhe sot përfaqëson një lloj tjetër politike. Sot në 2015-ën çdo njësim i tij me Nanon apo si ish-ministër i Nanos, shërben thjesht si rezume, si një e keqe apo e mirë që duhej kaluar. Ben Blushi e ka tejkaluar Nanon dhe ka mësuar nga politika shumë më tepër se një ish-kryeministër që u shndërrua në një ish- karagjoz kombëtar. Uroj që media t’i tejkaloj analogjitë me të kaluarën, mos ta shohë si rebelimin e radhës, ikjen e radhës, grupimin e radhës, dështimin e radhës, por si një garë perëndimore brenda Partisë Socialiste, aty ku e ka vendin Blushi. Shpresoj që më në fund debati të kanalizohet pikërisht tek nevoja që kanë shqiptarët, për të projektuar shpresën jo vetëm kur gjërat shkojnë keq, por edhe kur shkojnë mirë. Bota ka njëqind e kusur vjet që e bën këtë gjë.

“Tema”

SHKARKO APP