AKBN dhe SHGJSH: Marinza duhet rehabilituar, rrezikohet fundosja e banesave

 

Vetëm një muaj pas shpërthimit të gazit në dy puse nafte në Marinzë po shihen pasojat e vërteta të një abuzimi të madh gjatë shfrytëzimit të naftës.

Thuajse për gjithë sipërfaqet e tokës që gjenden në një perimetër prej 1.5 kilometrash nga puset që shpërthyen do duhet të paktën dy vite që të rehabilitohen.

Drejtori ekzekutiv i AKBN-së është shprehur se gjatë kësaj periudhe banorëve do t’i paguhet qira si një mundësi për të jetuar. “Ky proces do të zgjasë për një periudhë të paktën 2-vjeçare dhe për këtë periudhë ne i kemi kërkuar kompanisë, dhe ata iu kanë propozuar banorëve që t’i marrin tokat me qira, këto toka që do rehabilitohen, në mënyrë që banorët të kenë disa të ardhura nga këto toka për atë periudhë që nuk do jenë në gjendje t’i përdorin ato”, – tha kreu i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Dael Dervishi.

Ndërkohë lajmet nuk janë aspak të mira për banorët edhe përsa u përket banesave. Drejtues të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar shprehen se nga shpërthimi i dy pontanave në puse dhe si pasojë edhe e shfrytëzimit pa kriter të kësaj zone janë dëmtuar rëndë 46 banesa në fshatin Marinzë.

Madje nëntë banesat që gjenden pranë puseve që shpërthyen rrezikojnë që me kalimin e kohës të nisin fundosjen, si pasojë e lëvizjeve të shtresave nëntokësore. Gjithashtu, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka konfirmuar se nga analizat e hollësishme rrëzohen kategorikisht pretendimet e kompanisë “Bankers Petrolium”, se në zonën Patos-Marinzë ka pasur tërmete. Sipas përfaqësuesve të SHGJSH-së, bëhet fjalë për lëvizje të shtresave dhe pllakave nëntokësore tektonike jo si pasojë e tërmeteve “lokale”, por nga shpimet pa kriter që ndërmerrte kjo kompani.

Gjithsesi, në marrëveshjen e nënshkruar më parë me ‘Bankers Petrolium’ nuk parashikohen penalitetet në raste të shkeljes së procedurave të shpim-kërkimit dhe shfrytëzimit. “Fatkeqësisht, marrëveshjet hidrokarbure që ne kemi lidhur shumë vite më parë me kompanitë e naftës dhe të gazit nuk parashikojnë asnjë lloj penaliteti për këto lloj situatash.

I vetmi penalitet, nëse do ta quajmë një të tillë, është që kompania duhet të dëmshpërblejë dhe duhet të investojë deri në kthimin e situatës në gjendjen e mëparshme”, – shprehet kreu i AKBN-së, Dervishi. Për çështjen e shfrytëzimit pa kriter nga ana e ‘Bankers’ ka folur edhe kreu i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Viktor Doda. Ish-ministri e ka vlerësuar gjendjen atje si tepër alarmante.

SHKARKO APP