Aleati i PD, Arian Starova: A e ka me të vërtetë Opozita?!

 

"Duke u përpjekur të kuptoj, mua më ka bërë shumë përshtypje një fakt mediatik. Deri njëzet e katër orë përpara protestës së 8 dhjetorit zëdhënësit e shumtë të protestës së Partisë Demokratike i mëshonin idesë se ajo nuk do të ndalej deri në rrëzimin e qeverisë. Ndërsa rreth 12 orë para protestës zëdhënësi partiak i radhës tha për publikun se të nesërmen do të fillonte “maratona” e protestave për të rrëzuar qeverinë. Kjo fjalë e vetme që e kam futur në thonjëza duket se e ndryshoi synimin e protestave dhe natyrisht njerëzit nuk janë budallenj"…

 

Nga Dr. Arian Starova*

… kështu na pyesin dhe nuk dimë si të përgjigjemi, megjithëse, në të vërtetë, kjo nuk është pyetje për asnjërën prej partive jashtëparlamentare të ashtuquajtura të vogla. Përgjigjen njerëzve duhet t’ua japë Partia Demokratike e cila duhet të shqetësohet nga pavendosmëria dyvjeçare e politikës së saj. I nisi protestat kundërqeveritare për herë të parë në vjeshtë të vitit 2013 dhe i la në mes të rrugës. I nisi përsëri rreth një vit më vonë me kërkesat antikorrupsion të drejtuara kundër Ilir Metës dhe përsëri i la në mes të rrugës. I nisi edhe më 8 dhjetor dhe po i lë në mes të rrugës. Prandaj njerëzit shtrojnë pyetjen: A e ka me të vërtetë Opozita?! Ndërkohë që, ata presin përgjigjen, u vjen ndërmend përralla e “Bariut me Ujkun”. Partia Demokratike duket se i thërret njerëzit në protestë për t’i mbajtur “të frymëzuar”, por po harron se njerëzit nuk janë skllevër të Partisë Demokratike. Kur të vijë dita që ujku “mund t’u turret deleve” me të vërtetë, ata nuk do sulen më për të mbrojtur “tufën”. E thënë shkurt, Partia Demokratike duket se nuk po kërkon rrëzimin e Qeverisë. Në këto rrethana politike, partitë jashtëparlamentare të ashtuquajtura të vogla kanë zgjedhur të mos u bashkohen këtyre protestave, por e vërteta është se as Partia Demokratike nuk i ka thirrur. Partia Demokratike është duke u përpjekur që të bëjë e vetme një “revolucion demokratik” me protesta që po i vijnë duke u fashitur. Mbetet për t’u parë, gjithsesi, nëse po i fashit vetë, apo po dështon me organizimin e tyre. Të kërkosh protesta dhe të mos thërrasësh aleatët kur më parë thuhej se edhe një votë e vetme është e rëndësishme, kjo do të thotë se, synimi i protestave nuk është rrëzimi i qeverisë, por gjallërimi i Partisë Demokratike që është duke “fjetur”. Duke u përpjekur të kuptoj, mua më ka bërë shumë përshtypje një fakt mediatik. Deri njëzet e katër orë përpara protestës së 8 dhjetorit zëdhënësit e shumtë të protestës së Partisë Demokratike i mëshonin idesë se ajo nuk do të ndalej deri në rrëzimin e qeverisë. Ndërsa rreth 12 orë para protestës zëdhënësi partiak i radhës tha për publikun se të nesërmen do të fillonte “maratona” e protestave për të rrëzuar qeverinë. Kjo fjalë e vetme që e kam futur në thonjëza duket se e ndryshoi synimin e protestave dhe natyrisht njerëzit nuk janë budallenj. Si rrjedhojë, protestat filluan të veniten për të mos thënë se mbaruan. Edhe sikur të vazhdonin, ato protesta nuk mund ta rrëzonin Qeverinë dhe arsyet për këtë janë shumë të thella. Kjo Qeveri nuk është e përsosura. Ajo ka bërë dhe po bën edhe shumë gabime, por ka bërë edhe arritje sipas vlerësimit të paanshëm të ndërkombëtarëve. Duhet të marrë fund ajo politikë që flet vetëm për të metat dhe gabimet e kundërshtarit se është jorealiste, përçarëse dhe nuk u shërben interesave të vendit siç u lodhën së thëni edhe shumë vende-aleatë strategjikë dhe miq të Shqipërisë.

Ndërkohë, në rrugëtimin e sforcuar dhe të bashkërenduar të dy partive të mëdha për ta bërë me domosdo pluralizmin politik të Shqipërinë vetëm me dy parti politike, partitë e ashtuquajtura të vogla kanë mbetur herë me hir herë me pahir jashtë Parlamentit dhe thuajse pa asnjë mundësi të të bërit politikë në të gjithë qarqet e vendit. Atyre u ka mbetur vetëm mundësia për të menduar dhe për të folur ndërmjet tyre dhe, me gjasë, mundësia për t’u bashkuar në një koalicion me synimin që të bashkuar më vete ato të marrin rreth një të tretën e votave që kanë marrë përherë. Kjo mundësi e fundit duket e vështirë, sepse politikanët shqiptarë si të partive të mëdha edhe të atyre të vogla ende vuajnë nga sëmundja e vjetër e luftës për të qenë i pari. Posti i të parit të një koalicioni të mundshëm të partive të vogla duket që të jetë për ta shumë më i rëndësishëm se misioni i këtij koalicioni në dobi të sistemit politik të Shqipërisë. Nga ana tjetër, të dyja partitë e mëdha janë gati t’i harrojnë grindjet e tyre teatrale për të mos lejuar formimin e këtij koalicioni. Herë me “shkelje të syrit” ndaj ndonjë partie të vogël, herë me joshje për protagonizëm të ndonjë përfaqësuesi të rëndësishëm të tyre, të dyja partitë e mëdha po bëjnë përpjekjet e tyre për të mos lejuar një koalicion të tillë. Pavarësisht prej këtyre zhvillimeve, në zgjedhjet parlamentare që po afrohen me shpejtësi, madje me shpejtësi edhe më të madhe sesa e mendon Partia Demokratike e protestave, të dyja partitë e mëdha kanë harruar disa faktorë që shkojnë kundër imponimit të një sistemi pluralist dypartiak siç e duan Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Këta faktorë janë Lëvizja Socialiste për Integrim, njëmendësia e thuajse të gjitha partive të vogla për të mos u shkuar më pas “të mëdhenjve” për t’u mashtruar rishtazi prej tyre dhe përpjekjet e heshtura dhe serioze të një grupi të njerëzve të cilët, të shqetësuar për ecurinë e politikës në Shqipëri, mund të krijojnë një forcë të re politike. Këto rrethana dhe faktorë të rinj të politikës së vendit nuk do të lejojnë as bërjen e një ligji zgjedhor që të përkrahë vetëm partitë e mëdha, as shkuarjen drejt një sistemi pluralist dypartiak i cili është fare i parakohshëm për Shqipërinë dhe i përforcon të këqijat e politikëbërjes së sotme.

Kur përballemi me të vërtetat e mësipërme të zhvillimeve politike të vendit na vijnë vetiu në mendje disa pyetje. Nëse është e krejt e vetëdijshme për pamundësinë dhe prandaj nuk e synon rrëzimin e Qeverisë, atëherë çfarë kërkon Opozita? Në qoftë se ankesat antiqeveritare të njerëzve janë të panumërta, të vërteta dhe të drejta, atëherë përse njerëzit nuk u përkushtohen pa u ndalur atyre kur këtë mundësi po ua jep me bollëk Partia Demokratike? Ku janë ajo shumicë e madhe e njerëzve që janë të pakënaqur nga Qeveria dhe përse nuk dalin në protesta? Përse edhe pamja e atyre njerëzve që marrin pjesë në protesta nuk rrezaton aspak energji protestuese? Nëse protestat anti-qeveri janë të përligjura dhe të folurit publik anti-qeveri është logjik, atëherë mos e ka fajin mungesa e besimit te udhëheqësi apo grupi i drejtuesve politikë? Në qoftë se Opozita e kërkon me të vërtetë rrëzimin e Qeverisë dhe bërjen e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë ajo duhet të diskutojë dhe t’u japë përgjigje pyetjeve të mësipërme. Pjesë e atyre përgjigjeve duhet të jetë edhe deklarimi i hapur se Partia Demokratike ka vendosur që të bëjë politikë opozitare e vetme sipas idesë “më mirë ardhje në pushtet me vonesë, por vetëm, sesa shpejt dhe me parti të tjera”. Një pjesë e Partisë Demokratike ndoshta po pret që ta ndajë përsëri pushtetin me Lëvizjen Socialiste për Integrim,por në qoftë e vërtetë kjo, atëherë Kryetari i saj nuk ka nevojë ta përdorë më aq shpesh deri në rreckosje togfjalëshin-tabelë qitjeje “dyshja Rama-Meta”. Kush do të thoshte se kjo është strategji e hollë politike, unë do t’i përgjigjesha se kjo është arsyeja se përse humbet besimi te drejtuesit politikë dhe njerëzit po thonë më shpesh se Shqipëria nuk bëhet. Madje, në qoftë se do të vazhdojnë të luhen lojëra të tilla të paskrupullta politike shqiptare opozitare, por ndoshta e gjithë politika shqiptare do ta vendoste vetveten si në skenën e një shfaqjeje teatrale me maska ku ajo çka ndodh në “skenë” është tepër larg interesave të njerëzve që e ndjekin sepse bëhet vetëm për interesat e ngushta të aktorëve. Kjo lloj politike duhet braktisur njëherë e mirë. Ajo është shkaku i të gjithë të këqijave të sotme të politikës qeveritare apo opozitare. Dikujt tjetër që duke më lexuar mund të thoshte se Ariani po shkruan në emër të diçkaje që qëndron përtej Qeverisë dhe Opozitës, do t’i përgjigjesha pa ngurrim: Po.

Megjithatë, unë mbetem përfaqësues i Opozitës, e cila është shumë më e madhe sesa Partia Demokratike dhe forcat që duan të më “harrojnë”, brenda apo jashtë saj, janë shumë të brishta. Me këtë ide të fundit, dua t’u rikujtoj drejtuesve të Partisë Demokratike që të kenë guximin dhe ndershmërinë dhe të mos flasim më në emër të Opozitës shqiptare, por vetëm në emër të vetvetes. 

*Kryetar i Bashkimit Liberal Demokrat

 

SHKARKO APP