Ambasadori Karpushin: Vetëm me solidaritet mund të përballojmë kërcënimet bashkëkohore

 

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Alexander Karpushin, theksoi të enjten se, “mësimet e Luftës së Dytë Botërore na inkurajojnë që të shfaqim solidaritet, pasi vetëm së bashku mund t’i përballojmë kërcënimet bashkëkohore”.

Në pritjen e organizuar me rastin e 70-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, ambasadori Karpushin kujtoi se, 70 vite më parë në Evropë, pushuan breshëritë e fundit të armëve, duke shënuar përfundimin e luftës kundër nazizmit gjerman.

“Ajo luftë solli shkatërrime të tmerrshme në mijëra qytete të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera, shkaktoi miliona viktima dhe mori një numër të pallogaritshëm të jetëve njerëzore. Forca e stërmadhe asgjësuese goditi në atë kohë pothuajse të gjitha vendet e Evropës. Por goditjen më të fuqishme ia dha Bashkimit Sovjetik. Hitlerianët ishin të sigurtë se atyre do t’u mjaftonin gjashtë javë për të pushtuar vendin tonë. Por nuk u mjaftuan as gjashtë javë, as disa muaj, as katër vite të gjata”, kujton ambasadori Karpushin në fjalën e tij.

Të gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik u ngritën kundër nazistëve, tha ai. “Asnjëherë njerëzimi nuk kishte parë një unitet të tillë, një vëllazëri aq të shenjtë dhe një besim aq të palëkundur në fitore. Heroizmi i pashembullt u shfaq nga ushtarët tanë si në beteja të mëdha, ashtu edhe në përleshje të shumta lokale. Në fund të fundit arritëm ta mbronim lirinë tonë, t’i dëbonim pushtuesit nga toka jonë dhe ta shpartallonim plotësisht armikun”, vijoi ambasadori Karpushin.

Është një fakt i njohur, sipas ambasadorit rus në Tiranë, se gjatë luftës, Bashkimi Sovjetik pësoi dëme kolosale. “Ishin shkatërruar shumë vepra të paçmueshme të artit dhe të kulturës. Më e keqja është se nuk do të kthejmë kurrë jetën, talentin dhe shpresat e milionave të bijve dhe bijave të Rusisë. Dhe për popullin rus kjo është një humbje më e madhe dhe vërtet e pakthyeshme”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, ambasadori Karpushin theksoi se, Fitorja e Madhe, pa dyshim, u arrit në saj të përpjekjeve të përbashkëta të shumë popujve. “U krijua koalicioni antihitlerian dhe aleatët tanë, para së gjithash Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, i dhanë Bashkimit Sovjetik një ndihmë të konsiderueshme. Gjatë viteve të para të luftës ata furnizonin vendin tonë me armatime, ushqime dhe materiale të ndryshme. Më vonë, në qershor të vitit 1944, pas një periudhe të gjatë trevjeçare, u hap Fronti i Dytë”, tha Karpushin.

Edhe krijimi i koalicionit edhe hapja e Frontit të Dytë, sipas tij, ishin ngjarje shumë të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore, sepse treguan qartë unitetin e forcave antifashiste dhe pashmangshmërinë e fitores së popujve liridashës mbi Hitlerin.

Megjithatë, ambasadori Karpushin shprehet se, nuk duhet të harrojmë se kontributin vendimtar në këtë Fitore e dha Ushtria e Kuqe. “Betejat kryesore me hitlerianët u zhvilluan në Frontin Lindor, dhe pikërisht atje ishte paravendosur rezultati përfundimtar i gjithë Luftës së Dytë Botërore”, shtoi ai.

“Mësimet e Luftës së Dytë Botërore na inkurajojnë që të shfaqim solidaritet. Sot për sot, solidariteti i të gjithë popujve të botës, përkrah të cilëve duhet të radhiten, para së gjithash, ish-anëtarët e koalicionit antifashist, mbetet akoma një vlerë e jashtëzakonshme përballë sfidave dhe rreziqeve të reja. Vetëm së bashku mund t’i përballojmë kërcënimet bashkëkohore. Vetëm në bazë të fqinjësisë së mirë mund t’i zgjidhim çështjet e sigurisë globale”, vijoi ai.

Sipas ambasadorit Karpushin, ata që përpiqen sot ta ringjallin prapë ideologjinë naziste, ata që nxisin urrejtje etnike, ekstremizmin dhe ksenofobinë, e çojnë botën në qorrsokak.

“Në Ditën e Fitores, ne përulemi para të gjithë atyre që dhanë jetën për idealet e drejtësisë dhe lirisë, para të gjithë atyre që kontribuan në fitoren mbi Hitlerin dhe aleatët e tij. Kujtimi i viktimave të panumërta të Luftës së Dytë Botërore do të jetë gjithmonë i gjallë në zemrat tona dhe do të përcillet nga brezi në brez. Obligimi ynë ndaj baballarëve tanë është të nxjerrim mësime nga ajo luftë dhe të parandalojmë përsëritjen e një katastrofe të tillë në të ardhmen”, tha ambasadori Karpushin në fjalën e tij.

Ai theksoi se, në Rusi e kujtojnë dhe e vlerësojnë shumë lart kontributin e popullit shqiptar në fitoren mbi armikun tonë të përbashkët. Siç dihet, shtoi ai, “Shqipëria ishte një nga vendet e pakëta të Evropës që u çliruan nga pushtimi fashist me forcat e veta, pa ndërhyrje të ushtrive të huaja”. “Dhe ne nuk do të harrojmë kurrë 28 mijë dëshmorë shqiptarë, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Atdheut”, tha më tej ambasadori Karpushin.

Duke iu drejtuar veteranëve të pranishëm të lëvizjes partizane të Shqipërisë dhe nëpërmjet tyre edhe të gjithë veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, ambasadori Karpushin tha se, “ju jemi shumë mirënjohës dhe jemi të lumtur që sot ju jeni pranë nesh dhe që e festojmë së bashku përvjetorin e Fitores së Madhe”.

SHKARKO APP