Andrea Stefani: Pse nuk i ngrihet Lulit

 

Nga Andrea Stefani/

Ngrihu Shqipëri! – thërret e thërret Lulzim Basha. E ka të shkruar edhe në tribunë. Me gërma shumë të mëdha. Po i është përgjigjur Atdheu thirrjeve të tij? Fakti që Luli vazhdon ta thërrasë deri në ngjirje “ngrihu”(!) tregon se nuk po i ngrihet. Një fakt tjetër që e provon po këtë gjë është braktisja e Kuvendit dhe vajtja e deputetëve të PD në bazë për ta ngritur Shqipërinë në protestë. Gjë që nuk do të qe e nevojshme nëse Shqipëria do të qe ngritur. Dhe është e kotë të përpiqesh ta çosh me zor. Kohët kanë treguar se kur Atdheu ngrihet, ngrihet vetë dhe nuk ka nevojë për stimuj e thirrje. Madje ka raste, si ai në vitin 1997 kur qeveria e bëri shumë baltë tolerimin mafioz dhe populist të piramidave financiare, që është Shqipëria që e ngre opozitën dhe jo opozita Shqipërinë. Ne sot nuk jemi para një rasti të tillë. Prandaj Lulit nuk i ngrihet Shqipëria, por vetëm lulëria?

Por le ta analizojmë se përse Shqipëria nuk i përgjigjet thirrjeve të Lulit. Para së gjithash ka të bëjë me pluralizmin politik. Thirrja ngrihu Shqipëri (!) është, në vetvete, totalitare dhe i kundërvihet me arrogancë realitetit pluralist sikur në Shqipëri të kishim vetëm një parti politike. Vetëm PPSH kishte për zakon t’i bënte thirrje Shqipërisë apo tërë popullit si për shembull: Të gjithë në votime! Eshtë një solipsizëm politik që Lulit i shpërthen nga që është i mbushur me epsh për pushtet ndaj thërret pa pushim, ngrihu! Por më kot.

Po është e vërtetë që mund të kemi raste kur Atdheu ngrihet i tëri pa dallime partiake. Zakonisht kjo ndodh kundër një pushtuesi të huaj megjithëse, për hir të së vërtetës, edhe kundër pushtuesit shqiptarët rrallë janë bërë bashkë. Ose edhe në raste kur qeveria bën që qytetarët, pa dallime politike, të ngrihen kundër saj sepse ajo i ka dëmtuar të gjithë pa dallim. Edhe shqiptarët u ngritën në vitin ‘97 pa dallime partiake kur qeveria e PD bëri që ata të humbasin të gjithë paratë e tyre. Në shumë vende të tjera ka ndodhur që i gjithë populli është ngritur kundër qeverisë, kur ajo ka vrarë qytetarë të pafajshëm. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur edhe pse qeveria ka vrarë qytetarë të pafajshëm në Gërdec dhe në 21 Janar. Në Shqipëri dashuria për partinë dhe liderin vazhdon të jetë ku e ku më e madhe se dashuria për njeriun. Të gjitha këto që mund ta ngrenë një popull kundër një qeverie pa dallim feje, krahine dhe ideje nuk kanë ndodhur me këtë qeverinë e sotme, por vetëm kur qeveriste Luli dhe babai i tij politik. Prandaj edhe Lulit nuk i ngrihet Shqipëria!

Prandaj edhe Lulit i është ngritur sy herë Shqipëria. Por për ta hedhur nga pushteti dje jo për ta ngjitur. Por edhe në raste të tilla kur merr mbi 1 milion vota kundër, mund të thuash vetëm figurativisht u ngrit Shqipëria. Nuk të lejon pluralizmi për më shumë. Dhe nuk jemi fare në situatën që, pavarësisht të ca pakënaqësive me këtë qeveri, ata 1 milionë që përmbysën Lulin edhe një vit më parë, do ngrihen që të ngrenë prapë Lulin të përmbysin Ramën. Të besosh gjëra të tilla do të thotë të jesh adoleshent në politikë dhe te ëndërrosh të ndodhin gjëra që vetëm adoleshentët kanë aftësinë t’i ëndërrojnë.

Një arsye e dytë pse Lulit nuk i ngrihet Shqipëria, është modeli që ai përfaqëson. Kur ai çirret “çohu (!)” kundër korrupsionit, Shqipërisë i kujtohet pasuria e tij prej 1 milion eurosh (ajo e deklaruara), i kujtohet edhe korrupsioni i rrugës Durrës-Kukës, gjykimit të të cilit Luli i bishtnoi me raport nga “doktori”, i kujtohet edhe falja e ujërave detare Greqisë. Kur Luli thërret për dekriminalizim, i kujtohet edhe krimi i 21 janarit. Shumica e shqiptarëve nuk mund të mos jenë skeptikë dhe të dyshojnë shumë se Luli sikur të vinte në pushtet do të bënte të njëjtat proçka. Shumica e do luftën kundër korrupsionit, por është e bindur se Luli i thërret në protestë jo për Shqipërinë por për partinë ose, më saktë, që të shpëtojë veten dhe klanin e pasuruar që përfaqëson, nga reforma në drejtësi. Një reformë që mund të bllokohet e shtyhet për në pafundësi, vetëm duke bllokuar punimet e Kuvendit dhe duke destabilizuar jetën politike të vendit me protesta. Prandaj Lulit nuk i çohet Shqipëria!

Një tjetër frenim që e pengon të çohet Shqipërinë, është fakti që prapa Lulit shohin autokratin plak që është bërë qesharak duke u fshehur (kinse ka ikur) mbas Lulit si struci që fut kokën në… ferrë. Shohin antishtetin. Biznesmenit mund të mos i vijë mirë për taksat, mafies (por edhe ca fshatarëve që rronin me ato kultivime) për asgjësimin e parcelave me kanabis, disa shitësve për kuponin tatimor, ca konsumatorëve (që ishin mësuar nga qeveria e Lulit të mos paguanin), për dritat. Por të gjitha këto pakënaqësi, s’ka rëndësi të përligjura apo jo, që Luli po përpiqet t’i mbledhë në përroin e protestës, nuk e bëjnë qeverinë Rama të keqen më të madhe “që duhet shporrur”. Shumë -shumë, me mendjen e disa shqiptarëve që janë bërë të pakënaqur në këto dy vjet reforma, Rilindja mund të jetë reduktuar nga një shpresë në një të keqe në të vogël. Por kurrsesi nuk është e keqja më e madhe që dihet shporrur si shporri Shqipëria Berishës e PD në vitin’97, dhe atë të Berishës dhe Lulit në vitet 2013 dhe 2014. Dhe është e kotë të shpresosh t’i ngrihet Shqipëria Lulit kur shumica e sheh si të keqen më të madhe.

E sheh si të keqen më të madhe sepse Luli jo nuk mundi por, nuk mundte të distancohej nga Berisha që e kish pjellë dhe pra, as nga krimet e 21 janarit, apo korrupsioni i Durrës-Kukësit. Dhe kush nuk distancohet dot nga Berisha nuk distancohet dot as nga Gërdeci dhe gjithë korrupsioni berishist. Dhe prandaj protesta e PD është e dënuar të jetë një protestë e elektoratit të ngushtë të saj, e besnikëve, e fanatikëve, e qëndrestarëve berishistë që kanë qenë për shporrjen e qeverisë Rama që ditën e parë të saj. Pra e të gjithë atyre njerëzve dhe shtresave që, në një mënyrë ose në një tjetër, janë të lidhur pasionalisht me PD, me qeverisjes dhe korrupsionin e saj. Dhe me kultin anakronik të liderit të përjetshëm Berisha.

Prandaj edhe pas së enjtes, do pasojë lufta qesharake e numrave. Jo po ishin 100 mijë, jo po ishin 10 mijë, jo bishti i protestës zgjatej deri te piramida apo deri te hotel “Dajti”. Le të zgjatet sa të dojë qoftë edhe duke shtyrë me marifet distancën e protestuesit nga protestuesi. Ajo është e dënuar të jetë një protestë mbështetësish dhe jo e Shqipërisë. Një tjetër provë se Lulit nuk i është ngritur Shqipëria. Po, në protesta të tilla ka edhe njerëz nga shtresa të varfra të cilëve ju kanë mbushur mendjen, ose xhepin me ndonjë lek, se mjerimi i tyre është krijuar në këto dy vjet dhe se nuk ka fare lidhje as me 8 vjet qeverisje të Lulit dhe as me pasurimin korruptiv të tij dhe klanit të tij. Megjithatë Shqipëria e ka mësuar tashmë hilenë dhe te mjerimi, rrobat dhe këpucët e vjetruara të atyre të shkretëve, sheh “tullumat” e Lulit që duan ta hanë shtetin dhe jo ta shpëtojnë atë. Prandaj dhe nuk i çohet Lulit!

DITA

SHKARKO APP