Arian Starova: Nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme

 

 

 

Nga Dr. Arian Starova/

Kur fillova të mendoj se duhet të shkruaj patjetër diçka në lidhje me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri kam pasur në mendje tri gjëra. E para, se ka shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet me mënyrën tonë të të bërit të politikës. E dyta, se duhet ta ndryshojmë mënyrën e tanishme të politikëbërjes se jemi të tejvonuar. E treta, se idetë e mia, sido që të ishin, duheshin ndarë me opinionin publik, qoftë për t’u vlerësuar qoftë për t’u kundërshtuar.

Pluralizmi politik filloi praktikisht në Shqipëri me studentët-oratorë, të cilët filluan të shprehin idetë e tyre antikomuniste me shkrim dhe me gojë në mjedise të ndryshëm. Ata flisnin në rrethe të ngushtë ndërmjet tyre, përpara grupeve të vegjël të studentëve, në takime të vështirë me zyrtarët e shtetit komunist dhe, dalëngadalë, përpara turmave më të mëdha të njerëzve që fillimisht grumbulloheshin në mjediset e Qytetit Studenti dhe, më pas, në sheshet e Tiranës. Në ato kohë, Qyteti Studenti i ngjante ndonjëherë një “pazari” të madh të “shitblerjes” së ideve dhe kishte raste kur flitej njëherësh nga folës të ndryshëm në disa pika të tij. Politika filloi natyrshëm si “tregu i ndaluar” i ideve. Oratoria studentore e atyre ditëve të dhjetorit 1990 ishte shumë e thjeshtë, shumë e qartë dhe rritej sipas rrjedhës logjike të gjërave dhe pritshmërisë së madhe të njerëzve. E nisur prej pakënaqësive të jetës studentore, ajo erdhi duke u rritur derisa u shndërrua në një lëvizje politike antikomuniste, e cila u themelua si Parti Demokratike duke shënuar kështu edhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Kur i mendoj sot ato ditë, më ndriçon në mendje diçka madhore, të cilën duket se shumë prej politikanëve tanë të sotëm e kanë humbur në një masë të madhe. Politikëbërja e atyre ditëve dhe e viteve të parë të nisjes së rrugëtimit drejt një shoqërie demokratike perëndimore mbizotërohej fund e krye nga ndershmëria dhe sinqeriteti i aktorëve të saj, i studentëve dhe pedagogëve. Fjalët që shpreheshin në publik besoheshin me mendje dhe me zemër, ndërsa përkushtimi ndaj asaj që thuhej as që mund të vihej në dyshim. Aktorët politikë të asaj kohe ishin deri diku shprehës të drejtpërdrejtë të ideve dhe ndjenjave popullore antikomuniste dhe udhëhiqeshin kryekëput nga interesat e tyre. Ato vlera të udhëheqësve i shohim shumë të varfra sot, por dhëntë Zoti, që humbja e atyre vlerave të politikës shqiptare pluraliste të viteve të parë të jetë diçka e përkohshme!

Megjithatë, askush nuk duhet të mendojë se rikthimi te vlerat e politikëbërjes së viteve të para 1990 vjen vetiu. Atë duhet ta bëjmë ne shqiptarët dhe sytë duhet t’i kthejmë te të rinjtë, në moshë apo në ide, te një brez tjetër i politikanëve, te një brez i tillë që vlerat morale dhe interesin publik t’i ketë udhërrëfyes kryesor në hapësirën e politikës. Kjo përpjekje idealiste, siç e thashë më lart, nis në një truall të varfëruar por jo të shkretë. Në dyja grupimet kryesorë të politikës shqiptare ka njerëz idealistë dhe të përkushtuar. Sot për sot, një pjesë e tyre janë të pakuptuar, një pjesë tjetër e lënë jashtë vëmendjes publike për shkak të trysnisë së fortë të jetës së ngjeshur me interesa të larmishëm ekonomikë mbi shumicën e njerëzve dhe pjesa e mbetur është e pafrymëzuar për t’u hedhur në veprimtari konkrete politike për ndryshimin e gjendjes. Të gjitha këto pjesë të shoqërisë të marra si një e tërë janë shtresa më e ndjeshme e saj, ajo që zakonisht quhet elitë e shoqërisë dhe e cila vjen prej fushave të ndryshme të veprimtarisë njerëzore. Kjo shtresë elitare e shoqërisë sot duket e përgjumur. Përpjekjet e opozitës për ta zgjuar nuk janë aspak frymëzuese dhe herë-herë qesharake deri në keqardhje. Prandaj një problem madhor i shoqërisë sonë të sotme është si të vihet në lëvizje kjo shtresë për të zgjidhur një numër jo të vogël të problemeve me të cilët po përballet kjo shoqëri.

Por cilët janë problemet thelbësore të vendit tonë sot, të cilët kërkojnë patjetër thirrjen në skenën e shoqërisë të elitës së saj të anashkaluar? Në ditët e sotme, nga njëra anë kemi një përpjekje qeverisëse, e cila “synon hënën” (dhe vetëm dritëshkurtrit dhe trushpëlarët mund të guxonin ta kritikonin për pastërtinë e synimit të saj), por ajo nuk e mban sa duhet parasysh nivelin mesatar të vetëdijes kombëtare dhe krijon konflikte shoqërorë pikërisht për këtë shkak. Nga ana tjetër, kemi një Opozitë, e cila “krijon furtuna në një gotë uji” (të ashtuquajturat protesta, mosbindje civile etj., etj., shprehje të pamenduara) jo për të ndrequr Shqipërinë apo për të rrëzuar qeverinë, por për të siguruar mbijetesën e kryetarit të saj deri në kohën kur t’i bjerë në dorë “fiku i pushtetit”. E thënë me fjalë të tjera, Qeveria kërkon ta bëjë Shqipërinë, Gjermani për katër vjet duke humbur energji dhe krijuar konflikte të panevojshëm shoqërorë, kurse Opozita kërkon të sjellë ndryshim politik nëpërmjet krijimit të konflikteve shoqërorë të papërligjur, sepse kërkon ta udhëheqë veprimin politik për ndryshim duke u mbështetur në njerëz, të cilët janë pjesë e vetë problemit dhe, si rrjedhojë, nuk sjellin frymëzim te njerëzit. Prandaj, të gjithë bisedojnë dhe pyesin: Ç’do të bëhet? A mund të ketë zgjedhje të parakohshme? Kush i do zgjedhjet në të vërtetë, Opozita apo Qeveria?           

Le të arsyetojmë me këmbët të mbështetura fort mbi tokë. Në rrethanat që jemi nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse njerëzit nuk janë as të frymëzuar, as të vendosur. Megjithatë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim shumë të rëndësishëm. Ajo ka nevojë për një brez të rinj të udhëheqësve të saj politikë në të gjithë horizontin e politikës. Ajo ka nevojë për një ndryshim-reformë në politikëbërje, e cila të mos bëhet si nevojë thjesht për ndryshim të brezave të udhëheqësve politikë, por si nevojë për ndryshim të vlerave të udhëheqjes politike. Sa më shpejt të vetëdijësohemi se na duhet një udhëheqje me vlera të reja morale dhe politike, aq më shpejt do të mund të kursejmë kohë historike për Shqipërinë, aq më shumë energji do të investojmë për të gjithë shqiptarët dhe jo për njerëz të veçantë të korruptuar në qeverisje.

Arti i udhëheqjes politike të njerëzve është njëherësh edhe mjet i formësimit të mendësisë politike të zgjedhësve dhe njerëzve në përgjithësi. Nëse politikëbërja mbizotërohet, ta zëmë, nga sharjet dhe shpifjet, nga mashtrimi dhe gënjeshtra, rendja pas pasurimit dhe forma të tjera të korrupsionit, atëherë një pjesë e njerëzve fillojnë të mendojnë gabimisht se këto janë tipare të politikës. Kjo, për fat të keq, ka ndodhur te ne. Njerëzit i thonë njeri- tjetrit se po nuk mashtrove nuk je për politikë, se kush përpiqet të ketë gjithnjë një sjellje që përputhet me vlerat morale ai nuk është i aftë për politikë. Kjo është gënjeshtra më e madhe që ka ngulitur te njerëzit tanë politikëbërja e keqe e deritanishme. Politika ka moralin e saj dhe për këtë mjafton të shikojmë sjelljet dhe të folurit politik të demokracive tradicionale perëndimore, apo figurat e njohura dhe të respektuara të saj. Në politikë duhet dalluar qartë, për shembull, se të gënjesh dhe të mos ia tregosh të gjitha synimet e tua konkurrentit politik janë gjëra krejt të ndryshme. Është si në një lojë shahu në të cilën kundërshtarit tënd nuk mund t’i tregosh sesi do ta mundësh, sepse kështu humb kuptimin edhe vetë gara. Ky lloj të mostreguari nuk është gënjeshtër dhe kjo gjë në politikë do të ishte diçka e natyrshme. Te ne bëhet fjalë për një gënjeshtër tjetër, për gënjeshtrën me synim pushteti vetëm për fitim. Koj lloj gënjeshtre duhet të marrë fund nëse shqiptarëve u vjen keq për veten dhe nuk duhet të presin që kjo t’u vijë si dhuratë nga lart. Ata që janë lart, në Opozitë apo në Qeveri, nuk mund ta bëjnë sepse nuk mund të dalin kundër vetvetes.   

Një tjetër tipar karakteristik negativ i politikëbërjes në Shqipëri, i cili është rritur sidomos në këtë dhjetëvjeçar të fundit janë kalimet e papërligjura prej një qëndrimi politik te tjetri, ose prej një grupimi politik te tjetri. Dëshiroj ta theksoj se unë nuk jam kundër lëvizjeve në politikë, se si kudo edhe në politikë përparimi vjen prej lëvizjeve, por lëvizjet duhet të jenë të përligjura dhe të kenë arsyet e veta, sepse ajo që nuk duhet harruar kurrë është se në udhëheqjen politike nuk vihet për interesa vetjake të dikujt, por për interesat madhorë të njerëzve, për interesat publikë. Lëvizjet joparimore në politikën shqiptare nga njeri skaj në tjetrin bashkë me kriminalizimin e politikës tregojnë fare qartazi se në politikëbërjen e Shqipërisë udhërrëfyes nuk janë idetë dhe vlerat, por shkuarja pas interesave vetjakë për përfitime. Prandaj, njerëzit e thjeshtë të paqartë pyesin me habi se si mundet që ky apo ai politikan kaloi nga e majta te e djathta dhe anasjelltas. Prandaj, njerëzit habiten se ç’kërkojnë në Kuvend, njerëzit e kriminalizuar. Prandaj, edhe Bashkësia Ndërkombëtare habitet me problemin e kriminalizimit të parlamentit shqiptar.

Duke u përpjekur të mendojmë për rrugëzgjidhjen e këtij problemi themelor të politikëbërjes shqiptare, diçka më duket me vlerë aksiomatike, me vlerë të padiskutueshme. Zgjidhjen e këtij problem nuk mund ta japin partitë e ashtuquajtura të mëdha të Shqipërisë. Ato janë shkaktare të vetë problemit dhe, tani për tani, nuk duket se kanë fuqi për të udhëhequr ndryshimin. Zgjidhja duhet të vijë nga forca të tjera politike, të vjetra ose të reja, nëse ato do të jenë të afta të frymëzojnë njerëzit për një ndryshim madhor.

Është koha për të menduar për një pikënisje të re në politikën shqiptare dhe nderi ia kërkon në radhë të parë të rinjve në moshë dhe në ide, të cilët udhëhiqen nga vlera morale pozitive të përbotshme.   

SHKARKO APP