Becchetti dhe misteri i hidrocentralit të Kalivaçit

 
Emri i Françesko Beketit (Francesco Becchetti) shumë shqiptarëve u kujton tentativën e parë për importin e plehrave italiane në Shqipëri, projekt i firmosur fillimisht nga Fatos Nano, i kundërshtuar fort nga Berisha në opozitë dhe i miratuar me dhjetëra rreziqe më shumë, nga po vetë Berisha kur erdhi në qeverisje.
Por Beketin, bankat dhe biznesmenët shqiptarë, e njohin më së shumti për një tjetër projekt: të famshmin hidrocentral të Kalivaçit. Me licensën e Kalivaçit në dorë, Beketi ka arritur të thithë përgjatë 15 viteve, miliona për ndërtimin e një hidrocentrali që nuk është ndërtuar ende. Në listë mund të gjenden emra prestigjozë si Dojçe Bank dhe Enel, e pastaj, nga banorët e zonës pranë hidrocentralit fantazmë e deri te biznesmenë të mëdhenj shqiptarë të futur në lojë si nënkontraktorë.
 
Si nisi historia e Kalivaçit
Historia e hidrocentralit të Kalivaçit ka nisur në 1997-n me Vendimin e këshillit të Ministrave nr.222 datë 24.05.1997 “Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit të formës BOT për hidrocentralin e Kalivaçit”. Projekti në pamje të parë ishte shumë i madh, më i madhi i kohës – 350 GW energji e pastër në vit, brenda 5 viteve.
Askush nuk u thellua fillimisht tek një problem i madh: koncesionari, BEG S.P.A ishte një kompani e themeluar rreth dy vite më parë, në 1995 dhe kishte kapital themeltar të deklaruar 1 milionë euro dhe të paguar 340 mijë euro, ndërkohë që sipërmarrja që iu besua vlerësohej në atë kohë në rreth 100 milionë USD!
Për më shumë se tre vjet, deri në nëntor 2000, askush nuk u kujtua më për Kalivaçin, as vetë koncensionari.
 
Ndryshime të shpeshta në kontratë
Këshilli i Ministrave në 02.11.2000 me VKM nr.590 miratoi disa ndryshime të rëndësishme në kontratën fillestare të koncensionit tek një kompani tjetër e kontrolluar prej tij. Në të vërtetë bëhet fjalë për pranim nga ana e koncensionarit, që nuk është i aftë të ndërtojë vetë apo i vetëm veprën e marrë në koncension.
Sidoqoftë, ky vendim i hapi rrugë Françesko Beketit (Francesco Becchetti) për të kërkuar nëpër botë investitorë të aftë për të ndërtuar Kalivaçin, për t’i përfshirë në skemën e tij të mashtrimit.
Nga 2000 deri në 2007 përsëri askush nuk u kujtua për Kalivaçin. Koncensionari, arriti ndërkohë të gjejë partnerin (apo viktimën?) e radhës, gjiganti gjerman “Deutsche Bank AG”.
Me vendimin nr.363, datë 06.06.2007 Këshilli i Ministrave miratoi sërish ndryshime shumë të rëndësishme në kontratën fillestare të koncensionit, të ndryshuar. Këtë herë u legjitimua pjesëmarrja e një partneri të ri në koncension, pikërisht “Deutsche Bank AG”, nëpërmjet krijimit të një shoqërie të përbashkët me BEG (ku BEG do të kishte 55% të aksioneve dhe “Deutsche Bank AG” 45%, me kapital total 15 milionë euro). Investimi i parashikuar u shtua në 129 milionë euro dhe u la në diskrecion të koncensionarit përzgjedhja e nënkontraktorëve.
 
Kronologjia e një Hidrocentrali që nuk duket gjëkundi
Sipas kontratës së vitit 1997 prodhimi i energjisë duhet të fillonte në 2002. Sipas kontratës së vitit 2000 është nënkuptuar që prodhimi do të fillojë në 2005, duke marrë të mirëqenë që punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011.
Sot jemi në mes të 2015-s. Hidrocentrali nuk ekziston. “Deutsche Bank AG” u tërhoq nga bashkëpunimi 4 vjet më parë.
Mjafton të ndjekësh në mënyrë kronologjike çfarë ka ndodhur në Kalivaç dhe konkluzioni del vetë.
Nga 1997 deri në 2007 BEG, pa filluar për asnjë moment punimet, ka përdorur kontratën koncesionare me shtetin shqiptar për të gjetur një investitor, “të majmë” financiarisht, aq sa për të mbuluar në masën 100% koston e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit.
Në vitin 2007 ky investitor u gjet, ishte “Deutsche Bank AG”, ishte “i majmë” më shumë se duhej dhe mbi të gjitha u bind që kjo ishte një “punë e madhe”.
Në vitin 2007 BEG krijon “Hydro” S.r.l në Itali me kapital themeltar 17,850,000 euro, mbi të gjitha TË PAGUAR NË NATYRË në masën 16,500,000 euro, dhe të përbërë nga kontrata e koncensionit për Kalivaçin, disa studime të ndryshme për Kalivaçin, projekti i papërfunduar i këtij koncensioni, një autoveturë “Nissan Patrol”, një PC Optiplax, një printer HP duke zbritur disa borxhe të maturuara ndaj një personi të tretë!
Po në 2007 BEG krijon “Kalivaç Green Energy” sh.p.k në Shqipëri me NIPT K72326018B, me kapital themeltar 500,000 lekë dhe i kalon kësaj koncensionin, pa asnjë miratim dhe në kundërshtim me kushtet e vendosura nga shteti shqiptar.
Pak ditë më vonë “Kalivaç Green Energy” sh.p.k i shitet 100% “Hydro” S.r. dhe kjo e fundit bëhet gati kështu për të futur në lojë “Deutsche Bank” .
Pak muaj më vonë “Deutsche Bank” blen 45% të 500,000 lekëve për më shumë se 8 milionë euro dhe merr përsipër detyrimin për të financuar në vazhdimësi punimet në Kalivaç.
 
Gjyqe që nuk kanë kurrë fund
Deri në 2009 BEG financon punimet në Kalivaç duke paguar nënkotraktorët si “Salillari” sh.p.k, “Arti” sh.p.k, “C.A.E” sh.p.k dhe të tjerë me milionat e paguara nga “Deutsche Bank”. Pagesat u ndërprenë kur “Deutsche Bank”  ndërpreu financimin, u tërhoq nga Hydro dhe nisi procedurat ligjore kundër BEG.
Në fundit të vitit 2009 nga punimet u tërhoq edhe kallëzuesi “C.A.E” sh.p.k, pasi punimet e papaguara arritën në vlerën mbi 2 milionë euro, shumë kjo e dokumentuar në situacionet.
 
Beketi në mbrëmjet e Liri Berishës, blente 150 mijë euro piktura
Francesko, që më vonë trazoi keqazi me pagesa multimialiardare disa nga emrat më të njohur të gazetarisë shqiptare, më herët  shihej herë me opinga duke kaluar lumin si fermer fshati dhe herë me kostume në mbrëmjet gala të bashkëshortes së kryeministrit Liri Berisha, ku shiteshin piktura nga 100 deri në 200 mijë euro.
Në mbrëmjen e fundit gala të Berishës ai bleu 150 mijë euro piktura.
Por qershia mbi tortë e Beketit janë banorët e zonës. Dikur aty kishte një kavo të cilën ata e përdornin për të kaluar lumin në formë teleferiku. Beketi u premtoi se do ndërtonte një urë gjigande. Hoqi kavon dhe ndërtoi një urë. Ishte aq e dobët sa e mori lumi për pak kohë. Banorët e zonës mbetën edhe pa kavo, edhe pa urë!
 
E ruanin ish truprojat e Fatos Nanos
Është thuajse e pamundur t’i afrohesh Beketit. Zyrat e tij janë në Romë në në një nga sheshet më të njohura të kryeqytetit italian. 
Përpara hapjes së televizionit, sa herë vinte në Shqipëri përpjekjet e nënkontraktorëve që donin ta kontaktonin për të marrë paratë hasnin në një mur truprojash. Ishin së paku nëntë, shumica janë ish gardistë, dhe ish truproja të Fatos Nanos në kohën që ka qenë kryeministër. Edhe përfaqësuesi i tij në Tiranë ishte një ish këshilltar i stafit të ish kryeministrit socialist.
 
Relacioni zyrtar për Kalivaçin
“Për këtë HEC kemi në dispozicion një kopje të projekt zbatimit, por kjo kopje nuk është e firmosur nga projektuesi”, thotë raporti.
Gazeta DITA botoi që në korrik 2012 një relacion teknik zyrtar, që ka dalë nga kontrolli i kryer në objekt (hidrocentrali i supozuar i Kalivaçit) në datë 13.03.2012. Ky dokument i drejtorisë përkatëse pranë Ministrisë së Ekonomisë  thotë që nga kontrolli rezultoi që:
“Punimet janë po ato të fazave të mëparshme të rezultuar nga monitorimi në terren. Dy fashat e digës janë dëmtuar në pjesën e brendshme të lumit, për shkak të prurjeve të mëdha. Betonimet nuk kanë nisur ende. Thuhet se po punohet për riprofilimin e skarpatave, të cilat kanë rrëshqitur në krahun e tunelit të devijimit, por në momentin e monitorimit nuk po punohej. Është ende duke u diskutuar zgjidhja përfundimtare e rindërtimit të urës për të kaluar në krahun tjetër të lumit. Pasi urën e parë e kanë dëmtuar prurjet e mëdha të lumit, duke u nxjerrë jashtë funksionit. Ura ishte nën ujë dhe nuk ishte e dallueshme vendndodhja e saktë.
Raporti i qeverisë shqiptare numëron më pas plot 12 pika që janë të parealizuara, mes të cilave: “Për këtë HEC kemi në dispozicion një kopje të projekt zbatimit, por kjo kopje nuk është e firmosur nga projektuesi. Projekt zbatimi i është kërkuar METE nga ana jonë, këtyre shkresave METE nuk iu është përgjigjur. Për këtë HEC nuk kemi në dispozicion asnjë fletë projekti në lidhje me ujësjellësin dhe me vendosjen e fibrave optike”.
Konkluzionet vijojnë:  Koncesionari nuk ka sjellë aktin e fillimit të punimeve. Shoqëria koncesionare ka dërguar procesverbalin e përfundimit të piketimit, por ky procesverbal nuk është firmosur nga mbikëqyrësi i punimeve. Shoqëria koncesionare nuk na ka dërguar kontratën e lidhur me mbikëqyrësin e punimeve. Në situacionet e punimeve kemi dhe një situacion për ndërtimin e ujësjellësit të fshatit Kalivaç. Situacioni është firmosur nga mbikëqyrësi i punimeve. Situacioni nuk është i detajuar (është dhënë vetëm si copë, pa volume), etj, etj., shkruan DITA
Grupi i monitorimit që ka hartuar dokumentin që posedon DITA përbëhej nga: Entiol Laço, Elisabeta Hoxha, Klejdi Ngjela, Sokol Koçi, Fetah Dervishi. 

SHKARKO APP