Ben Blushi:30 miliardë euro është fatura për ish-pronarët. Ku mund t’i gjejmë?

 

 Nga Ben Blushi

(fjala e tij në parlament)

Sikur çështja e pronave të ishte zgjidhur këto dy dekada ndoshta sot do kishim një kuptim tjetër për varfërinë për pasurinë dhe korrupsionin. Shqipëria do ishte një vend me funksional, drejtesia do ishte më e besueshme, investimet në bujqësi dhe turizëm do ishin shtuar dhe të paktën 3000 jetë do ishin kursyer.

Kjo është në një kuptim fatura e moszgjidhjes së çështjes së kthimit të pronave. Nëse ka një shtresë përsekutimi i të cilës nuk ka mbaruar ata janë pronarët. Ata të cilëve iu morën pronat, shtëpitë tokat dhe pasuritë.Një pjesë  e madhe ende nuk i kanë marrë dhe sot. Shumica e atyre që i vunë këto prona nuk i gëzuan dot .Ata vdiqen pa shijuar frytet e një toke që prodhon, apo të një shtëpije që kthehet në ndërtim dhe rritet si pasuri.

Shumica prej nesh që jemi në këtë parlament nuk kemi patur prona të konfiskuara nga shteti dhe kjo është arsyeja që nuk e kuptojmë siç duhet dhimbjen dhe trishtimin e një jete të kaluar me kompleksin e zhveshjes nga prona.

Eshtë edhe më e dhimbshme të mendosh se këta njërëz u grabiten nga shteti dhe sot po pengohen sërish nga shteti. Që ta kuptojmë këtë duhet të mendojmë për një çast, sikur shteti të kthehet sërish kundër nesh. Sikur të gjithëve që jemi këtu të na merren shtëpitë, pronat, tokat dhe pas 20 apo 30 vitesh ato të hyjnë në kalvarin e gjyqeve apo të pamundësisë për ti kthyer dhe kompensuar financiarisht.

Imagjinoni sikur , pas 30 vitesh, nipërit tuaj , të mos kenë mundesi të trashëgojnë pronat dhe për më tepër të rraskapiten edhe 20 vjet të tjera për t’i marrë ato.

Kjo do të thotë të kesh shtetin kundër.  Brezat që vijnë nuk do besojnë se shteti mban anen e së drejtës dhe ekonomija do të deformohet nga shtremberimet dhe spekulimet e tregut dhe të drejtësisë së korruptuar. Prandaj unë them se pronarët kanë të drejtë. Atyre duhet t’u njihen dhe t’u jepen pronat e tyre.

Çështja është si?

A ka tokë dhe troje të mjaftueshme për tua kthyer?A ka mundesi financiare për ti kompesuar?

Nga shifrat që kemi përpara del se jo. Një pjesë e madhe e tokave janë zënë. Në mënyrë të rregullt apo të paligjshme.

 

Kompensimi financiar me vleren e tregut shkon në afro 30 miliardë euro që do të thotë se duhen të pakten 5 buxhete, pa rroga, pa investime dhe pa pensione për të kompensuar të gjithë ata të cilëve u është bërë kjo padrejtesi.

Nëse shoqeria do të pyetej sot se pse duhen harxhuar 5 buxhete për të kompensuar pronarët sigurisht që shoqeria do të ishte skeptike.

Ajo nuk paguan dot.

Përse duhet paguar padrejtesia me taksa?Pse duhet të paguajnë të gjithë për të ndrequr një gabim apo një krim? Pse duhet të hiqen parate nga spitalet dhe shkollat, nga rrugët, energjia dhe bujqesia për të blerë pronat që shteti ua grabiti pronarëve?

Natyrisht që shoqeria ka të drejt . Ajo s’mund të paguajë një krim përjetësisht.

Mirëpo çështja e prones nuk është një çështje politike. Për mua është një çështje të drejte universale. Shoqeri të barabartë pa prona nuk ka. Ekonomi të zhvilluar pa pronesi nuk mund të ket . Ne e provuam dhe dështuam më keq se kushdo tjetër në planet.

Çështja është se në 20 vjet çështja e prones nuk është konsideruar si një e drejtë universale njëlloj si liria e fjales, liria e besimit dhe arsimimi, por si një e drejtë relative.

Shteti ta njeh, apo nuk ta njeh.

Çështja e prones ka qenë dhe mbetet politike.

Mua me vjen keq sot që pronarët duhet të jenë sërish nën kudhren e gjykimit tonë. A kemi ne të drejtë ti kufizojmë të drejtat e njeriut? Unë mendoj se jo. Ne nuk duhet ta kemi këtë të drejtë. Ne nuk kemi të drejtë ti mohojmë askujt pronën dhe kthimin e saj.

Në 20 vjet çudija ishte sesi pronarët u klasifikuan si tortë elektorale. E drejta e tyre u politizua kur në fakt duhet të ishte një e drejtë automatike që buron nga kushtetuta. Atij që i është marrë prona duhet t’i kthehet. Por kjo nuk ndodhi.

Dy aktet më të rënda që kanë cënuar pronen ishin të dyja politike.

E para ligji 7501 dhe i dyti akti i legalizimeve.

Nuk them se nuk duhet të ishin kaluar , por të dyja duhet të ishin vënë në zbatim pasi të ishte mbyllur procesi i kthimit fizik të pronave. Nëse kjo do kishte ndodhur, sot shoqeria nuk do ishte përballë një fature financiare të papërballueshme e cila kërcënon ekonominë e të pakten 30 viteve që vijnë.

30 miliarde euro është kjo faturë. Ku mund ti gjejmë?

Fatale është se Partia Demokratike që pretendoi se do ti mbronte pronarët bëri me pak se kushdo për ta. Jo vetem që ndau  tokat e tyre në mënyrë politike, por inkurajoi zaptimin e pronave pa bërë rishpendarjen e pronave të konsifiskuara.

Partia Demokratike ndertoi absurdin më të madh politik të pluralizimit:edhe me pronarët, edhe me ata që ua zaptuan pronat atyre . Por ky dëm nuk është vetëm i Partisë Demokratike. Ky është dëmi i shoqerisë për disa breza.

Partia Demokratike e ktheu të drejtën e prones nga një e drejtë universale në një të drejtë relative. Në tetë vite Partia Demokratike nuk bëri dot një ligj për pronat, por në fakt e amendoi, e qepi dhe shqepi mbi dhjetë herë ligjin e vitit 2004. Përfundimi i kësaj tollovije ligjore sot është trondites. Në tetë vjet qeveria e djeshme ka paguar me pak se 30 milionë dollarë për kompensimin e pronave çka është krejtësisht e papërfillshme dhe injoruese. E vetmja gjë që u bë për dhjetë vjet është postimi i dosjes së pronave. Zgjidhja u shty duke rritur faturen financiare dhe kostot për brezat.

E dini kush janë njërëzit që kanë paguar me shtrenjtë këtë faturë?

Janë ata që nuk kanë patur prona të konfiskuara nga shteti dhe ata që nuk kanë zaptuar asnjë metër tokë të cilen tashmë e kanë legalizuar. Këta janë shumica e popullsisë. Ata kanë paguar një faturë padrejtësije e cila sot shkon më shumë se disa miliardë.

Sot sërish ata janë përpara kësaj fature. Sipas këtij ligji duhet të paguajnë të paktën 50 milionë dollarë në vit për të kompensuar financiarisht padrejtesinë që shteti u ka bërë pronarëve të ligjshëm.

Ky ligj, mëgjithëse është më i guximshem sesa ajo që ka ndodhur për tetë vitet e shkuara, megjithatë nuk e zgjidh çështjen e pronës.

Ky ligj nuk e kthen pronen, por vetem e kompenson atë.

Unë mendoj se debati nëse prona duhet kompensuar me vleren e tregut të sotem apo me vleren e tregut kur prona është konfiskuar mbetet në thelb të ligjit.

Shqipëria nuk ka mundesi ta paguajë këtë faturë.

E megjithatë unë besoj se Republika jonë mund të paguajë më shumë se sa ka vendosur.Jo vetem financiarisht, por fizikisht.

 

Të gjitha pronat që shteti ka sot i duhen dhënë pronarëve.

Kjo do ta ulte koston financiare dhe do çlironte shtetin nga barra e padrejtesisë historike. Pronarët mund të pranojnë të mos marrin qind për qind atë që u është marrë , por ata do të çliroheshin nga kompleksi i padrejtësisë. Edhe me këtë ligj ata besojnë se padrejtesia vazhdon dhe do të vazhdojë.

Unë besoj se shteti nuk ka pse të jetë pronar tokash dhe trojesh të cilat nuk i duhen. Hidrocentralet , puset e naftes, minierat, veprat publike,  shkollat,  spitalet nuk mund të kthehen dhe duhet të kompensohen, por gjithshka tjetër nuk ka pse mbahet.Pronësija e tepërt, e ndërtuar mbi padrejtesi e rrënon një shtet.

Nëse një njeri që ka 1000 metra për t’iu kthyer i jepen 200 dhe 800 të tjerat mbahen nga shteti për t’u rishpendarë, për tu privatizuar apo dhënë me koncesion kjo është e padrejtë. Për fat të keq ky ligj nuk e garanton këtë marrëdhënie. Shteti serish mbetet pronari më i madh në kurriz të pronarëve të ligjshëm.

Shteti nuk mund të ndërtojë publiken mbi jopubliken.

Kjo e drejtë që shteti ia jep vetes nuk e bën atë më të besueshem dhe e fut në rrugen e korrupsiont siç ka ndodhur këto vite kur tokat e pronarëve janë blerë apo përvetësuar nga njërëz të tjerë të cilët i gëzojnë sot padrejtësisht.

Prandaj them se ligji duhet të quhet ligj për kthimin e pronave dhe jo vetem kompensimin e tyre. Prona duhet ti njihet dhe ti kthehet atij që i takon.

Thënë këto jam i bindur se ky ligj nuk e zgjidh çështjen e pronave sepse ai nuk i kthen ato, duke e shtyrë zgjidhjen për një kohë të panjohur. Kostot e buxhetit rriten dhe konfliktet gjyqesore apo njerezore do të shtohen duke kalbur gjykatat dhe duke përkulur aftesine e shtetit për të investuar apo për të thithur investime të mjaftueshme.

Nëse duhet të zgjedh mes qeverisë dhe pronarëve zgjedh pronarët.

Ata nuk janë problemi, ata janë viktima.

Nëse duhet të zgjedh mes të drejtes dhe pamundësisë, zgjedh të drejtën.

E drejta e bën çdo të pamundur, të mundur.

 

 

SHKARKO APP