Ben Blushi:Shqiptarët po ikin nga keqqeverisja

 

Nga Ben Blushi.

Kam parë kronikat e braktisjes së vendit në ditët e fundit dhe mund të them se jam i trishtuar. Një seancë si kjo e sotmja, ku ne i hedhim fajin njeri tjetrit se kush ka zbuar më shumë shqiptarë nga Shqipëria është edhe më depresive. Mjafton kaq pak që nevoja e atyre që duan të ikin të kthehet në urgjencë. Në nevojë akute.

Sa here zihemi pa gjetur asnjë zgjidhje në këtë parlament mendoj se ia shtojmë zellin e braktisjes shqiptarëve sepse ky parlament, sipas perceptimit të përgjithshëm, është fajtori kryesor për ikjen e shqiptarëve nga Shqipëria. Askush që kam parë nuk ka thënë po iki se jam i pazoti: të gjithë thonë po ikim se ata që na drejtojnë janë të pazotët. Ne nuk po e rrëzojmë këtë paragjykim, por po e kthejmë në gjykim. Shqiptarët po ikin duke ndëshkuar veten dhe ne. Çdo të enjte duke bërë shumë pak punë të vlefshme ne u themi njerëzve: na shikoni, ne duam që ju të ikni. Dhe kam përshtypjen që ata po na dëgjojnë. Po ikin!

Pyetja që kam sot është pse ikin shqiptarët nga Shqipëria?

Pse ikin me shumë se serbët, më shumë se maqedonasit, më shumë se bullgarët, rumunët dhe madje edhe më shumë se grekët papunësia e të cilëve është rritur në 25 për qind në katër vitet e fundit, si askund tjetër?

A e dini se çdo ditë nga Shqipëria ikën një lagje, çdo muaj ikën një fshat, çdo vit ikën një qytet sa Pogradeci, afro 50 mijë banorë dhe se gjatë pesë viteve të fundit kemi humbur më shumë se një të dhjetën e popullsisë, ndërsa në 20 vjet kemi humbur një të tretën, 1 milion? Asnjë popull nuk është tretur siç jemi tretur ne. Asnjë luftë, asnjë sëmundje, asnjë epidemi dhe asnjë force natyre nuk ia ka bërë vendit të vetë këtë që i ka bërë ky parlament, kjo klase politike në 25 vjet.

Pas Luftës së Dytë Botërore ishim 1.7 milion banorë. Në vitin 1990 ishim katër milionë. Sot jemi më pak se 2.8 milionë. Duke marrë në konsideratë edhe pakësimin alarmant të ritmit të lindjeve mund t’ju them me bindje se pas disa dekadash Shqipëria mund të përgjysmohet. Ne jemi një popull i vogël, por po bëhemi një popull liliput. Jemi çdo ditë e më pak, jemi çdo ditë e më të vegjël. Zvogëlimi kronik është tregues i mënyrës se si qeverisim veten.

Kemi shkollat më të rrënuara, kemi administratën më amatore, kemi spitalet më të degraduara, kemi gjykatat më të padrejta, jemi një shoqëri tmerrësisht pesimiste e cila nuk beson më se nesër do jetë më mirë sesa sot. Para disa kohesh më është dashur të merrem me pesimizmin dhe pasojat e tij dhe mund t’ju them se kur popujt janë pesimistë, siç është rasti ynë, dy janë gjërat që bëjnë: ikin dhe nuk lindin më fëmijë. Të dyja po ndodhin. Pesimizmi i shoqërisë është sot armiku jonë më i madh. Kushdo që mendon se ne jemi në fakt një popull liberal, unë i bashkohem. Ne nuk diskriminojmë njeri për shkak të fesë, as për shkak të gjinisë, as për shkaqe politike, por tani kemi filluar t’i diskrimojmë njerëzit për shkaqe pasurie.

Shoqëria jonë po i diskriminon të varfrit. Në shkolla, në gjykata, në spitale, në transport, në punësim, tani edhe nëpër kufij. Të pasurit i lëmë të kalojnë, të varfrit po i kthejmë pas, megjithëse kanë të drejta të barabarta dhe po atë pasaportë. Kjo po ndodh prej disa vitesh. Të varfrit mbajnë mbi kurriz dy kosto: koston e shtetit dhe koston e të pasurve. Të varfrit mund mos kenë pasuri, por ata kanë dijen e mjaftueshme për ta kuptuar se kështu do jetë edhe pas dy vitesh, edhe pas katër vitesh ndoshta edhe pas dhjetë vitesh dhe prandaj po ikin.

A e dini pse po ikin? Për të shpëtuar fëmijët e tyre. Të gjithë duan që fëmijët e tyre t’ju ngjajnë, me përjashtim të të varfërve. Ata po i heqin fëmijët nga Shqipëria me frikën se mund të bëhen si ata. Unë besoj se është koha për të gjetur një zgjidhje për të varfrit sepse kostoja e mbajtjes së tyre në Shqipëri është gjithmonë më e ulët se kostoja e ikjes së tyre. Do paguajmë gjithmonë shumë më pak si shoqëri nëse i mbajmë këtu, qoftë edhe duke i favorizuar përkohësisht, sesa duke i trajtuar padrejtësisht derisa të ikin.

Nëse Shqipëria zbrazet me këto ritme dhe lindjet janë më pak se vdekjet, do të thotë që varfëria do të shtohet, shteti do jetë më i varfër, do mblidhen më pak taksa, nuk do ketë fuqi punëtore, nuk do ketë investime të huaja, vlera e pasurive që kemi vënë këto vjet do zhvlerësohet, tokat nuk do punohen, në banka do ketë më pak para dhe në përgjithësi pesimizmi do rritet duke u kthyer në epidemi.

Sot jemi në prag të epidemisë. Duhet ta zgjidhim me mjete shtetërore, me paketë urgjente e cila i jep shpresë të varfërve që mos ikin nga vendi. Megjithëse nuk kam shumë shpresë se do këtë një reformë të vërtetë kundër varfërisë, besoj se ka ende mundësi.

Kjo emergjencë kombëtare duhet të na detyrojë ta kthejmë kokën nga të varfrit duke ia ulur taksat edhe më shumë, duke subvencionuar punësimin e tyre te privatët, duke rritur asistencën sociale, duke investuar më shumë zonat e varfra, duke ia ulur kostot e arsimimit, duke rritur urgjentisht rrogat dhe sidomos pagat minimale, duke stimuluar lindjet dhe çiftet e reja, duke i rritur besimin të varfërve se këtu ka vend edhe për ta.

Do doja të dëgjoja sot qeverinë të dilte me një pakete për të varfrit, sepse koha tregoi që lufta kundër varfërisë ka qenë e pamjaftueshme edhe në dy vitet e fundit. Nëse nuk e luftojmë varfërinë, një gjë është e sigurtë: varfëria do na luftojë ne duke na nxjerrë nga ky parlament, por sidoqoftë kjo do ishte e keqja më e vogël!

Fjala e mbajtur në  Kuvend

SHKARKO APP