Beqaj padit Bashën: Nuk i shmangem gjyqit me raport mjekësor

 

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, padit në prokurori kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për shpifje. Kallëzimi vjen në kundërpërgjigje të akuzave për vjedhje në adresë të Ministrit si nga Basha ashtu dhe eksponentë të tjerë të PD.

“Kam vendosur të çoj në gjyq kryeshpifësin në detyrë të PD, Basha. Koha që Basha të provojë para gjykatës se shpifjet e tij nuk janë të tilla. Basha të provojë se shpifjet janë denoncime të bazuara në fakte dhe prova. Vërej me trishtim se për Bashën milionat e miliardat janë fjalë goje. Basha nuk ka provuar para drejtësisë se s’ka grabitur mln nga Rruga e Kombit. Përballjes në gjyqin me Bashën nuk do t’i shmangem me raport mjekësor. S’paraqes raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit siç bëri Basha”, tha Beqaj.

Në daljen e tij të fundit sot për mediat, Basha i kërkoi kryeministrit Rama të çojë para drejtësisë ministrat e korruptuar, listë në të cilën figuronte dhe Beqaj.

“Nuk ka kryeministër në Europë si kryeministri shqiptar i cili pasi konfrontohet nga të dhëna të pakundërshtueshme të hajdutërisë së ministrave të tij. Të Beqës llogaria e të cilit ka shkuar 31 milionë euro tendera. Të Arben Ahmetaj që ka duart dhe gishtat e tij në çdo aferë korruptive në vend. Të Mimi Kodhelit, të Damian Gjiknurit, apo të ministrit të Brendshëm që është bërë palë me krimin në vend që të luftojë krimin që të vazhdojë të ndihet krenar dhe të shprehet krenar para nj populli që varfërohet ditë për ditë”, tha Basha.

SHKARKO APP