Beqaj: Së bashku për një rajon pa duhan

 

 Shqipëria është vendi mikpritës i Takimit Nën-Rajonal të Vendeve Anëtare të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore (SEEHN) për Përshkallëzimin e Zbatimit të Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit në vendet e Evropës Jug-Lindore, që po zhvillohet në Tiranë, në datat 16-18 nëntor 2015. SEEHN është një forum ndërqeveritar rajonal i ministrive të shëndetësisë të Europës Jug-Lindore, themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Inisiativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Europën Jug-Lindore. SEEHN përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Bosnia-Herzegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia. 

"Njëra prej arsyeve që kemi zgjedhur të mbajmë këtë takim në Shqipëri, i detyrohet përkushtimit të fuqishëm të Ministrit të Shëndetësisë për të bërë realitet Shqipërinë pa duhan. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka mbledhur përfaqësues të 11 vendeve për ta dëshmuar këtë me sytë e tyre, sepse ne besojme se kjo është mënyra më e mirë për të mësuar nga përparimi i bërë," thotë znj. Kristina Mauer-Stender, Drejtuesja e Programit të Mbrojtjes nga Duhani në Zyrën Rajonale të OBSH për Europën.

Sipas kreut të shëndetësisë shqiptare, “puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, kanë luajtuar një rol të dorës së parë për suksesin në realizimin e objektivit të një Shqipërie pa duhan.

Duke folur për situatën aktuale, përvojën, sfidat dhe mundësitë e kontrollit të duhanit në Shqipëri, kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Dr. Eltar Dedaj, u shpreh se “strukturat shtetërore, dhe posaçërisht institucioni që ai drejton, luajnë një rol të dorës së parë në ndjekjen e zbatimit të drejtë, në mënyrë të barabartë dhe konstante të ligjit antiduhan”.

Megjithë rezultatet mjaft të mira deri më sot, përfshirë 32 603 inspektimet e kryera që nga krijimi i ISHSH-së dhe 505 masat e marra administrative, mbetet ende shumë punë për të bërë lidhur me ndryshimet e sjelljes dhe mentalitetit, forcimin e strukturave inspektuese, vazhdimin dhe thellimin e fushatës antiduhan, forcimin e zbatimit të ligjit për ndalimin e shitjes së duhanit personave nën 18 vjeç, apo edhe zvogëlimin dhe ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, kontrollin dhe rregullimin e shitjes dhe përdorimit të cigareve elektronike. tha më tej ai.

Në shenjë vlerësimi për përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë, për të luftuar epideminë e duhanit dhe për punën lidhur me kontrollin e duhanpirjes në Shqipëri, ministri shqiptar i Shëndetësisë u nderua në 16 shtator 2015 nga OBSH me Çmimin Botëror Jo Duhanit, ku Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të OBSH-së, Dr. Margaret Chan, dhe Drejtorja Rajonale e OBSH-së për Evropën, Dr. Zsuzsanna Jakab, e vlerësuan z. Beqaj për “vendosjen në rradhë të parë të shëndetit të njerëzve dhe të ardhmen së shoqërisë.”

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Takim:

Jam veçanërisht i kënaqur që më jepet mundësia të marr pjesë në këtë forum të lartë të vendeve anëtare të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore (SEEHN), në të cilin, merren në shqyrtim e diskutohen çështje kyç të axhendës rajonale të shëndetit, që lidhen me zbatimin e Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit në Vendet e EJL-së. Duke ju uruar mirëseardhjen në cilësinë e vendit mikpritës të këtij takimi, më lejoni të shpreh bindjen time të thellë se organizimi i aktiviteteve të këtij niveli, përmes angazhimit të vendeve tona, do të ndihmojë në përafrimin sa më të mirë të përparësive dhe nismave të përbashkëta për thellimin e zbatimit të Konventës Kuadër.

Intensifikimi i zbatimit të nismave të përbashkëta në këtë drejtim, është me një rëndësi tepër të veçantë, pasi mund të ndryshojë kryekëput, duke e riformatuar tërësisht, panoramën e shëndetit publik në vendet tona. Që kur Dr. Doll dhe Dr. Hill bënë histori në vitin 1950, kur provuan për herë të parë shkencërisht lidhjen shkak-pasojë ndërmjet duhanpirjes dhe kancerit, do të ngjante tërësisht e pabesueshme nëse dikush do të përpiqej të argumentonte sërish mungesën e rreziqeve të lidhura me duhanpirjen.

Gjetjet e këtyre studimeve kërkimore i paraprinë raportit inovator të vitit 1962 të Kolegjit Mbretëror të Mjekëve, i cili shënoi një pikë kthese në edukimin e publikut për rreziqet e duhanpirjes. Nëntë vjet më vonë, raporti i tyre i dytë do të çonte në një ulje prej 5% të konsumit të cigareve, dhe ç'është më e rëndësishmja, do të vinte për herë të parë në dukje dallimet demografike e profesionale në përdorimin e duhanit.

Këto janë vetëm tre nga momentet e panumërta në historinë e gjatë të paralajmërimeve shkencore institucionale kundër përdorimit të duhanit, por secili prej tyre, zë një vend të rëndësishëm lidhur me ndikimin përkatës në shëndetin publik të një vendi. Sipas të dhënave të OBSH-së, në mbarë botën, duhani shkakton 5.4 milion vdekje në vit, një shifër kjo që pritet të rritet në 10 milion në vitin 2030, nëse vazhdon kjo shkallë e përdorimit. Mbi 70% e vdekjeve ndodhin në vendet e varfra dhe në zhvillim. Në Shqipëri më shumë se 3.300 njerëz vdesin çdo vit nga pasojat që shkakton pirja e duhanit dhe në 2030 ky numër do të rritet në rreth 7.500 njerëz.

Por tashmë, jemi në prag të një momenti historik, të një pikë ktheseje të rëndësishme për shëndetin publik në vendin tonë. Të dhënat e fundit të GYTS (Global Youth Tobacco Survey) 2015, krahasuar me ato të 2009, janë tepër optimiste dhe tregojnë qartësisht se jemi në rrugën e duhur. Kështu, duhanpirja për studentët 13-15 vjeç në Shqipëri raportohet të jetë pothuajse përgjysmuar, duke u ulur në 6% nga 11.5% që ishte në 2009. Ndërkohë, për meshkujt e këtij grupi demografik, shkalla e duhanpirjes është ulur në 8.3% nga 17.6%, ndërsa për femrat, në 3.6% nga 6.3%. Dhe, sigurisht që këtu, një rol të dorës së parë ka luajtur puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura.

Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor i krijuar rishtazi, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe posaçërisht median dhe shoqërinë civile, u bënë pjesë e rëndësishme e kësaj beteje kundër duhanpirjes, duke mundësuar që Shqipëria të meritonte këtë vit çmimi më të lartë të OBSH-së, “World No Tobacco Day,” në shenjë vlerësimi për arritjet në kontrollin e duhanit dhe zbatimin e Konventës Kornizë të OBSH-së.

“Shqipëria Jo duhanit” ishte nisma e shoqërisë civile e lançuar në shtator 2014 nga një grup aktorësh të shoqërisë civile, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, që synonte informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për t’i thënë ndal duhanpirjes. Aktivitetet që vijuan në këtë drejtim, ishin një dëshmi e qartë, se edhe në kushtet e shtrëngesave financiare, por falë vullnetit politik, përkushtimit, e nismave që filluam me miratimin e akteve legjislative e deri tek ndërtimi i marrëdhënieve të partneritetit me qytetarët për të marrë mbështetjen e tyre të plotë, beteja ndaj epidemisë së duhanit mund të ishte e suksesshme.

Ky ishte një moment i veçantë që shënoi vendosjen në rradhë të parë të shëndetit të njerëzve dhe të ardhmes së shoqërisë. Por ndërkohë, beteja kundër duhanpirjes është larg së qënit e fituar. Të dhënat e fundit nga veprimtaria e Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë, flasin për 505 gjoba të vendosura për periudhën shtator 2014 – tetor 2015. Nga këto, 444 janë gjoba subjekti, 27 gjoba administratori dhe 34 duhanpirësish, në një shumë të përgjithshme prej 133 655 000 lekësh.

Një nga parimet e Konventës thotë se: “Çdo person duhet të informohet për pasojat shëndetësore, natyrën droguese dhe kërcënimin vdekjeprurës të shfaqur nga konsumimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij dhe masa të tjera efektive legjislative, ekzekutive dhe administrative në nivelin e duhur qeveritar duhen të merren për të mbrojtur të gjithë personat nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.”

Kjo është me të vërtetë një pikë kthese. Qytetarët kanë përqafuar rrugën e ruajtjes dhe përmirësimit të shëndetit, prandaj ne duhet ta që të mos ta humbim këtë mundësi që na jep sinergjia që mund të krijohet nga takimet në forume të tilla. Kjo është një mundësi për mijëra duhanpirës në vendet tona të heqin dorë nga një varësi e rrezikshme dhe e fuqishme, dhe kjo është mundësia më e mirë e një brezi të ri për të përmirësuar shëndetin e kombit, – me të vërtetë, me një ndryshim të menjëhershëm. Duke ju uruar suksesese me punimet e këtij forumi kaq të rëndësishëm, ju faleminderit!

SHKARKO APP