Bujar Fezga: Zhvillim i infrastrukturës së Bashkisë Këlcyrë

Kandidati i Pavarur në Bashkinë e Këlcyrës, Bujra Fezga ka premtuar investime në kohë rekord në disa nga akset problematike në kësaj njësie vendore. Në takim me banorët e zonës ai ka premtuar nisjen e punës për riparimin dhe rindërtimin e rrugëve të fshatrave, Zhepovë, Luarë dhe Delilaj.

Fezga tha se gjatë detyrës si drejtues i komunës Dishnicës ka dhënë prova se ka mbajtur premtimet dhe ka kryer investime të rëndësishme edhe kur i ka munguar mbështetja e pushtetit qendror.

Nga ana tjetër, stafi i tij ka denoncuar sot bllokimin e ndërtimit të një rrugë nga ana e kryetarit aktual të Bashkisë Klement Ndoni. Kandidati Fezga, i cili është dhe kryetar në detyrë i Bashkisë Dishnicë prej disa javësh ka nisur ndërtimin e një prej rrugëve me fonde të investitorëve privatë. Sipas stafit të kandidatit Fezga, punimet në këtë rrugë u bllokuan 20 ditë më parë me urdhër të kreut aktual  të Bashkisë së Këlcyrës. “Vetëm dje kreu i bashkisë ka dhënë lejen për ndërtimin e rrugës duke synuar të marrë meritën e një pune të nisur nga të tjerë”,- thanë drejtues të stafit të kandidatit Fezga.  

Kandidati Fezga hyri në zgjedhjet e 21 qershorit si kandidat i pavarur. Pas largimit nga gara të kandidatit të PD-së, Gentian Muhameti, Fezga ka mbështetjen e Partisë Demokratike dhe gjithë koalicionit të djathtë në Bashkinë e Këlcyrës. Përballë tij garon kandidati i PS, për një mandat të dytë, Klement Ndoni. Me ndarjen e re territoriale Bashkia e Këlcyës ka në përbërjen e saj qytetin e Këlcyrës, 4 njësi administrative dhe 48 fshatra

Profili i bashkisë Këlcyrë

Zona Gjeografike: Këlcyra kufizohet në në lindje me Bashkinë Skrapar, në jug me bashkinë Përmet dhe Libohovë dhe në perëndim me Bashkinë Tepelenë dhe Memaliaj. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Këlcyrës. Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 6.113banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 12.468 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 304.65 km2, me një densitet prej 40.92 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Këlcyrë, Ballaban, Sukë dhe Dishnicë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Përmet dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 48 fshatra. 

Këlcyra është një qytezë e shtrirë mes maleve Trebeshinë dhe Nemërçkë, e cila përshkohet  nga ujërat e kthjellëta të Vjosës. Zona me peizazhe mahnitëse dhe vende historike ofron pak sa i përket strukturës arkitekturore. Zhvillimet urbane pa kriter, mos-kombinimi i ndërtimeve para viteve ’90 me ato të tranzicionit dhe mungesa e një plani urban për zgjerimin kanë sjellë pasoja për qytezën e Këlcyrës.

Të ardhurat ekonomike të banorëve janë të ulëta. Ato vijnë nga aktivitete të vogla tregtare dhe shërbimi, por edhe nga bujqësia dhe blegtoria e pakët.  Këlcyra është dalluar gjithmonë për cilësinë e lartë të  frutave dhe rrushit dhe është njohur si qendër për kultivimin e rakisë dhe verës. Por kaosi në tregun shqiptar të pijeve dhe spekulimet kanë bërë që Merloti i famshëm i Këlcyrës pothuajse të humbasë në tregun shqiptar të verës.

Edhe vreshtaria ka pësuar luhatje të ndjeshme, ndërsa kantinat kanë pak peshë në ekonominë e zonës. Të ardhurat nga emigracioni kanë mbështetur mjaft familje të zonës, por rënia e tyre për shkak të krizës ka rënduar situatën ekonomike të banorëve.

Popullsia e Këlcyrës është e përbërë kryesisht nga vendas dhe të ardhur nga fshatrat përreth. Shumë banorë kanë migruar drejt Tiranës, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë kanë emigruar kryesisht drejt Greqisë fqinje.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re

Sfida kryesore e bashkisë së re të Këlcyrës është integrimi i politikave të zhvillimit mes zonave të reja dhe Bashkisë aktuale, duke i mëshuar veçanërisht  zgjidhjes së disa problemeve. Rikonstruksioni i rrugëve, ndërtimi i urave dhe ujësjellësve, përballimi i përmbytjeve që mund të vijnë nga Vjosa apo dëmeve që shkaktohen nga erozioni konsiderohen çështje që kërkojnë ndërhyrje emergjente për rivitalizimin e bashkisë.

Bashkia e re duhet të rrisë nivelin e të ardhurave duke menaxhuar më mirë fondet pyjore dhe asetet e saj, ndërsa duhet t’u ofrojë më shumë mbështetje shtresave në nevojë.

Bashkia do duhet të përballojë nevojat  e sektorit arsimor, sidomos për përmirësimin e mjediseve të shkollave, rikonstruksionin e godinave dhe ngrohjen e tyre gjatë dimrit.

Për të rritur potencialin e vet ekonomik, Bashkia e re e Këlcyrës duhet të hartojë programe turistike, të nxisë mbrojtjen e pasurive natyrore dhe  sidomos të disa kishave bizantine, që rrezikojnë degradimin nga mungesa e gjatë e restaurimeve.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Këlcyrës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 9,764 votues. Votuesit janë të ndarë në 22 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 15 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

 

SHKARKO APP