Dosja e Ismailajt: Ja format e mashtrimit me 4.6 mln euro

 

Kastriot Ismailaj akuzohet për mashtrim dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Si bashkëpunoi Ismailaj me drejtorin e Përgjithshëm të “CEZ Shpërndarjes”, Josef Hejsek, në skemën e mashtrimit për mbledhjen e borxheve të kompanisë së energjetikës. Transfertat e dyshimta jashtë vendit dhe skemat që përdori i pandehuri

Përfundojnë hetimet për personin më të përfolur dhe mjaft enigmatik, Kastriot Ismailaj, i akuzuar për mashtrim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Ismailaj dyshohet se në bashkëpunim me drejtues të lartë të “CEZ Shpërndarjes” dhe veçanërisht me Josef Hejsek, nëpërmjet krijimit të kompanive fiktive dhe pastrimit të parave përfitoi 4.5 milionë euro. Kjo shumë është përfituar si pjesë e një marrëveshjeje për mbledhjen e borxheve të prapambetura të faturave të energjisë elektrikë në vitin 2011.

I pandehuri Kastriot Ismailaj ka krijuar kompaninë “ADC” në vitin 2005, me objekt “këshillim dhe financim për promovimin e zbulimit, zhvillimit, përpunimit dhe prodhimin e mineraleve, si dhe infrastrukturën e projekteve energjetike”.

Nga hetimet e Prokurorisë Tiranë ka rezultuar se kjo shoqëri ёshtё fiktive sepse nuk ka zhvilluar aktivitet  ekonomik, por nё llogaritё e kёsaj shoqёrie janё kryer transaksione financiare qё shkojnё nё disa milionë euro.

“Vlera e transaksioneve të kryera nëpërmjet shoqërisë ‘ADC’ ёshtё nё hyrje në 9.8 milionë dollarë dhe 800 000 euro. Ndёrsa transfertat dalëse për transaksionet jashtë vendit janё nё shumёn dalje 4.1 milionë dollarë dhe 11 mijë euro. Për të gjithë transaksionet hyrëse dhe dalëse nuk ka asnjë dokument justifikues”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës.

Me vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë është vendosur sekuestrimi i të gjitha parave të ndodhura në llogaritë e shoqërisë “Adriatic Development Corporation Ltd”, si dhe të llogarive të shtetasit Kastriot Ismailaj.

Shuma e gjetur dhe e sekuestruar nё llogaritё e kёsaj shoqёrie në total është 4.2 milionë dollarë dhe 455.000 euro, si dhe 12.5 milionë lekë, pranë dy bankave të ndryshme të nivelit të dytë në Shqipëri. Transfertat hyrёse shoqëria “Adriatic Development Corporation” sh.p.k, i ka përfituar kryesisht nga shoqëria “Hassans Client”, me qendёr në Gjibraltar, dhe një pjesë tjetër nga disa shoqëri me qendёr nё  Zvicër.

“Më pas, paratё e pёrfituara janё transferuar nё shoqёri dhe individë tё ndryshëm me vendndodhje në Zvicër, në Francë, në Angli, në Kongo, në SHBA, si edhe në Afrikёn e Jugut etj. Gjatë periudhës 2006-2015, për transfertat hyrëse dhe dalëse, përgjithësisht nuk ka dokumente mbështetëse që të justifikojnë vlerat e arkëtuara të paguara. Ka rezultuar se shtetasi nën hetim, Kastriot Ismailaj ka tërhequr nga llogaria e shoqërisë shumat 930.000 dollarë, 80,500 euro, si edhe ka bërë pagesa për kartën e tij të kreditit në shumat 11,725 USD dhe 15,652 euro”, shprehet prokuroria.

Për faktet e mësipërme, Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj shtetasit Ismailaj akuzën e  “pastrimit të produkteve të veprës penale”, ndërkohë që po vijon hetimi për transaksionet që vlerësohen dukshëm të dyshimta.

Por ajo që mbetet më interesante për pjesën e hetimeve lidhet me kompaninë DIA, e cila u përfshi drejtpërdrejtë në një aferë të dyshimtë për mbledhjen e borxheve të debitorëve të kompanisë ‘CEZ Shpërndarje’. “Shoqëria ‘DIA’ është regjistruar në vitin korrik 2010 në British Virgin Island nga një shtetase shqiptare, e cila ka emëruar si përfaqësues ligjor të kësaj kompanie në Shqipëri shtetasin Kastriot Ismailaj, të emërtuar ”DIA-Dega Shqipëri”.

Në regjistrin tregtar shqiptar, kjo kompani është regjistruar me aktivitet investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fusha të ndryshme, në burimet natyrore, energjetike, infrastrukturën energjetike, transport ndërkombëtar në rrugë ajrore, rrugore, detare, hekurudhore, shitblerje aksionesh, tregtimi, import-eksport i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve.

“Me datën 01.09.2010, subjektet ‘Debt International Advisory’ Ltd – Dega Shqipëri dhe ‘Operatori i Sistemit të Shpërndarjes’ sh.a., kanë lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit. Objekti i marrëveshjes ka qenë, ndër të tjera, detyrimi i të porositurit të mbledhë prej debitorëve të porositësit, me mbështetjen dhe shpërblimin e porositësit të gjitha borxhet dhe kamatat që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh, duke përdorur mjete juridike të përshtatshme”, -thotë prokuroria.

Kjo marrëveshje është firmosur nga i pandehuri Kastriot Ismailaj, në cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Tiranë dhe shtetasi Josef Hejsek, aktualisht person në hetimin, me detyrë kryetar i Bordit Drejtues të “Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes” sh.a.

Marrёveshja e parё nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqёrisё ”CEZ Shpёrndarje” dhe pёr kёtё arsye, mё datё 01.02.2011, midis kёtyre palёve ёshtё nёnshkruar njё marёveshje e dytё, me tё njёjtin objekt dhe pёr një afat dyvjeçar. Kjo marrёveshje ёshtё zgjidhur nё muajin tetor tё vitit 2011.

“Nga tёrёsia e tё dhёnave tё administruara gjatё hetimit tё kёtij procedimi penal arrihet nё konkluzionin se, qёllimi i shtetasit Kastriot Ismailaj nuk ka qenё mbledhja e borxhit tё shoqёrisë dhe as kryerja e ndonjё pune reale, por vjedhja e parave tё shoqёrisё “CEZ Shpёrndarja”."

Një tjetër fakt i rëndësishëm për institucionin e akuzës është se gjatë zhvillimit të hetimeve ka prova konkrete se në këtë skemë mashtrimi ka bashkëpunuar me kreun e CEZ-it në vendin tonë, Jozef Hejsek.

“Pёr realizimin e qёllimit tё tij kriminal, i pandehuri Kastriot Ismailaj ka pasur si bashkёpunёtor personin nën hetim, Josef Hejsek, me detyrë kryetar i Bordit Drejtues tё kёsaj shoqёrie. I pandehuri Kastriot Ismailaj, duke pёrdorur tё dhёna tё rreme dhe dokumente fiktive nё bashkёpunim me shtetasin Josef Hejsek, ka pёrfituar nё mёnyrё tё kundraligjshme shumёn  512 004 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja tё rёnda pёr shoqёrinё “CEZ Shpёrndarja”, si rrjedhojё edhe pёr shtetin shqiptar, i cili ka zotëruar 26 për qind tё  aksioneve tё kёsaj shoqёrie”, thotë prokuroria.

Gjithashtu, paratё e pёrfituara nёpёrmjet mashtrimit, i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka pёrdorur me qёllim realizmin e kontratёs, por i ka riinvestuar, i ka transferuar jashtё vendit apo i ka përdorur pёr qёllime personale. Tashmë, pas përfundimit të hetimeve gjykata pritet të marrë në shqyrtim çështjen dhe më pas të vendosë për fajësinë ose jo të Ismailajt, i cili aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit.

 

Tërheqja e DIA-s, Arbitrazhi pushoi çështjen

Katër ditë më parë, Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë pushoi gjykimin për kërkesën e kompanisë ‘DIA”, e cila pretendonte të përfitonte nga shteti shqiptar shumën prej 130 milionë eurosh, për shkak të prishjes së kontratës me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Kjo u bë e ditur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe në këtë mënyrë, rreziku se shtetit mund t’i fironin edhe 130 milionë euro nuk qëndron më. Sipas burimeve pranë institucionit të akuzës, administratorja e kompanisë “DIA”, Rebeça Gaskin Gain, është tërhequr nga gjykimi në Arbitrazh, pasi është vënë në dijeni të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për administratorin e mëparshëm të kompanisë, Kastriot Ismailaj. Pak kohë pasi Ismailaj u arrestua, ai dha dorëheqjen nga drejtimi i kompanisë “DIA”, duke e justifikuar këtë vendim për “mosprishje të imazhit” të kompanisë. Drejtimin e saj e mori Gain dhe pas tërheqjes së padisë nga ana e saj, Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë ka pushuar gjykimin, ku në lojë ishin 130 milionë euro.

SHKARKO APP