E ardhme e sigurtë për diversitetin gjenetik bimor në Shqipëri

 

16 Nëntor 2015, Tirana, Shqipëri – Diversiteti i bimëve i cili tipikisht ka qenë i pasur dhe i përshtatur mirë po përballet me një kërcënim të papreçendentë. Një projekt dyvjeçar i FAO-s i cili përfundon me një seminar kombëtar nesër është një përgjigje ndaj këtij kërcënimi – duke zhvilluar një sistem të ri të qëndrueshëm për të dokumentuar dhe monitoruar këtë burim të paçmueshëm.

Diversiteti i pasur bimor i Shqipërisë ka një histori të gjatë. Toka, klima dhe pozicioni gjeografik i vendit ka kontribuar në shekuj për përshtatjen dhe zhvillimin e një numri të madh bimësh dhe varietetesh të rëndësishme për sigurimin e ushqimit. Bimë si gruri, misri, bishtajat, perimet, pemët frutore, vreshtaria dhe ullinjtë patën një fokus të veçantë nga projekti.

Për më tepër, rreth 50 vjet izolimi nga vendet fqinje, si dhe sistemi i fermave të vogla i cili mbizotëron në vend, ka lejuar konservimin dhe zhvillimin e varieteteve bimore shumë të përshtatshme të cilat janë mbajtur nga fermerët shqiptarë.

Një gamë e gjerë bimësh të egra dhe të kultivuara janë një burim i rëndësishëm gjenetik për ushqimin dhe bujqësinë në Shqipëri. Projekti i FAO-s ka mbledhur në  Bankën Gjenetike të Bimëve të vendit më shumë se 500 fara të varieteteve të bimëve të egra dhe të kultivuara.

Por vitet e fundit, ndryshimet në përdorimin e tokës, ritmet e mëdha të urbanizimit, emigrimi dhe ndryshimet e kushteve klimatike kanë shkaktuar erozion gjenetik të varieteteve të përshtatura lokalisht – për bimët e rëndësishme  dhe ato më të ralla.

“Variacioni gjenetik që ekziston në varietet e kultivuara të bimëve shërben si bazë për zhvillimin bujqësor dhe sigurimin e ushqimit”, tha Stefano Diulgheroff, zyrtar i menaxhimit të informacionit në FAO. “Nëse diversiteti lokal i bimëve do të zvogëlohej, apo dhe më keq, nëse do të zhdukej, do të vihej në rrezik aftësia e vendit për të rritur prodhimtarinë, për të zhvilluar produkte cilësore dhe për të përshtatur dhe zhvilluar praktikat bujqësore.”

Më mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë dhe të Universitetit Bujqësor, projekti  zhvilloi shumë aktivitete. Specialistët u trajnuan se si të përdorin mjetet gjeoreferuese për të monitoruar dhe menaxhuar varietete bimore të rrezikuara. Diversiteti i bimëve të përzgjedhura u dokumentua. Germoplazma e bimëve dhe relativëve të tyre të egra u koleksoniua dhe u ruajt në ambiente konservimi afatgjatë. Fjala më e fundit e teknologjisë u përdor për mbledhjen e të dhënave, shpërndarjen e të dhënave, dhe hartëzimin e diversitetit gjenetik.

Në fund, kjo njohuri u përdor për të zhvilluar një Mekanizëm për Shpërndarjen e Informacionit Kombëtar për monitorimin e diversitetit të bimëve në Shqipëri me kontributin e grupeve kryesore të interesit, si Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjisë.

“Ky projekt, dhe ngritja e këtij  rrjeti është vetëm fillimi” tha zj. Jetika Spahiu, specialiste e ekstensionit dhe teknologjisë në Ministrinë e Bujqësisë. “Ky sistem i përmirësuar dhe i përshtatshëm për menaxhimin e varieteteve lokale do të kontribojë për ruajtjen e burimeve ekzistuese bimore të cilat shërbejnë si bazë për intensifikimin e qëndrueshëm të prodhimit bimor, dhe për politika të shëndosha në vitet që do të vijnë.”

Këshilli i Koordinimit të Burimeve Gjenetike Bimore i ngritur së fundmi do të fokusohet në përgatitjen e një strategjie kombëtare dhe programi implementimi për burimet gjenetike bimore. Një pjesë e rëndësishme e këtij programi do të jetë përmirësimi i kuadrit ligjor dhe mbështetja financiare e fermerëve nëpërmjet skemave të subvencionimit.

Në seminarin e fundit, ekspertë nga Qendra Shqiptare e Burimeve Gjenetike, Universiteti Bujqësor i Tiranës, dhe FAO do të bëjnë prezantime mbi arritjet e projektit, mbi menaxhimin dhe përdorimin aktual të Mekanizmit Kombëtar të Shpërndarjes së Informacionit, dhe për punën që mund të pritet pas përfundimit të këtij projekti.

SHKARKO APP