Fatos Klosi, ish-kreu i Sherbimit Sekret:Atentatet me tritol, nga ekstremizmi politik

 

Ne nje interviste ekskluzive per KOHA JONE ish-kreu i Sherbimit Sekret Shqiptar Fatos Klosi shprehet per antentatet dhe gjendjen e krimit ne Shqiperi. Lexoni me poshte:

Zoti Klosi, gjatë javës që lamë pas Tirana u trondit nga 4 shpërthime dhe tentativa për atentate me eksploziv. Kjo valë sulmesh e paregjistruar ndonjë herë brenda pak kohësh në kryeqytet u interpretua si një mesazh që krimi i organizuar i dërgoi institucioneve shtetërore. Sipas jush çfarë kanë synuar autorët e këtyre sulmeve?

Mua më duket ndryshe. Krimi i organizuar në Shqipëri është "biznes" kriminal, është një aktivitet që ka objektiva konkretë fitimi dhe nuk besoj se investohet në aktivitete të tilla, që gjithësesi krijojnë riskun për tu zbuluar. Për mua, ngjarjet e mësipërme janë akte terroriste, që kërkojnë të krijojnë ndjenjën e pasigurisë, idenë se vendi ka mbetur pazot. 

Vendosja e tritoneve është shoqëruar dhe më një gjuhë të ashpër dhe akuza nga ana e politikës. A është politika ajo që po i nxit sulme të tilla dhe kush përfiton nga krijimi i një situatë të tillë paniku dhe terrori në vend?

Sigurisht, një fillim i natyrshëm në rrugën e zbulimit të një akti terrorist është analiza se kush përfiton nga një akt i tillë. Dhe kjo del qartë nga dy ide që janë hedhur dhe në Parlament: "Tahiri nuk mbron dot pronën e të atit jo më vendin" dhe "i bëjmë thirrje prokurorisë që të na i gjejë sa më shpejt autorët, që të kuptojmë lojërat e pista që luhen". Pra është shumë e qartë që këto akte po shfrytëzohen politikisht.

Ka kaluar më shumë se një javë dhe nuk kemi ende një autor përgjegjës për atentatet. Është komentuar gjatë roli i Shërbimit Informativ Shtetëror lidhur me moszbulimin e këtyre akteve. Si ish-drejtues i Shërbimit Informativ Shtetëror, si e vlerësoni rolin e këtij shërbimi në këtë rast?

Nuk është aq e thjeshtë të zbulohen akte të tilla, sidomos kur nuk janë pjesë e një aktiviteti të vazhduar dhe të konturuar qartë. Akte të tilla, më shumë për zhurmë se sa për pasoja, më kujtojnë dinamitet e shtyllave të tensionit, kur dhe atëherë, opozitë ishte kjo e sotmja. Janë akte ku kufiri midis frymëzimit dhe organizimit është jo aq i konturuar. Natyrisht Shërbimi ka detyrat e tij në këtë situatë, sa më e vështirë të bëhet sqarimi i ngjarjeve, aq më i madh bëhet roli i Shërbimit në sqarimin e tyre. Megjithatë, unë besoj se rolin kryesor në mos acarimin e mëtejshëm të situatës me akte të tilla e ka ajo pjesë e politikës që akoma nuk po e gjen dot kalin e saj të betejës, si opozitë konstuktive, në një vend që synon demokracinë dhe afrimin në Europë.

Fakti që një prej bombave, ajo tek farmacia e babait të Ministrit të Brendshëm, shpërtheu vetëm disa metra larg godinës kryesore të SHISH a është dëshmi e moseficensës totale të këtij shërbimi?

Jam i sigurt se njerëzit e sotëm të Shërbimit dinë më shumë për ç'ka po ndodh, por mesa duket, akoma nuk kanë vendosur të flasin.

Çfarë nuk funksionon në institucionet e sigurisë në vend, përderisa krimet me eksploziv rezultojnë më pak të zbuluara?

 E thashë dhe më parë, grupe fare të vogla terroriste është e vështirë të arrihen, duhen pritur gabimet, pra duhet kohë për tu zbuluar. Sigurisht duhet më shumë bashkëpunim midis institucioneve të sigurisë dhe sidomos më shumë luajalitet dhe patriotizëm. Më shpejt mund të arrijë rezultatin ndërprerja e frymëzimit nga politika. 

Bomba gjetur në zonën e shkollës “Petro Nini”, përveç se synonte viktima kishte të dhëna teknike me ato të bombave që përdorin celulat terroriste. Ndërsa vëmendja e policisë dhe hetuesve është për lidhjen e atentateve mes grupeve kriminale që janë goditur nga Ministria e Brendshme, a mund të jenë një pistë hetimi sulmet me karakter terrorist nga grupe ekstremiste?

Nuk duken këta terroristë aq të egër sa ata që shohim në televizion, deri tani kanë bërë kujdes që të mos ketë të lënduar. Për mua asnjë pistë nuk duhet nënvlerësuar, por më e mundshme është pista e ekstremizmit politik.

Sulmet të frymëzuara nga ekstremizmi fetar dhe avancimi i militantëve të ashtuquajturit Shtetit Islamik janë kthyer në rrezik real për vendet e BE-së. Së fundmi, Italia është vënë në alarm nga rreziku i ISIS pas marrjes nga militantët të disa qyteteve në Libi. Sa e sigurt është Shqipëria nga sulme të tilla?

Është e gabuar të themi se jemi të siguruar, por sigurisht nuk jemi në vijën e parë të frontit të luftës me militantët terroristë të ISIS.

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, në një shkrim në Koha Jonë konfirmonte se gjatë viteve 2012-2014 SHISH ka realizuar 5 mijë orë përgjime të zyrtarëve të lartë. Fakti që nuk ka asnjë masë për ata që urdhëruan apo kryen përgjimet, mos do të thotë se këto materiale po përdoren për shantazh politik?

Unë uroj, që mes atyre që vendosin në këtë vend, të mos ketë njerëz që mund të shantazhohen kaq kollaj.

Çështja e hapjes së dosjeve është kthyer edhe një herë në vëmendje të opinioni pas një projektligji të propozuar nga mazhoranca. Ju keni folur shpesh për ketë çështje, por a ka shanse që këtë herë çështja e dosjeve të trajtohet në mënyrë shteruese?

Ndoshta ka ardhur koha që hapja e dosjeve të bëhet, por gjithnjë kam parasysh atë model për të cilin është folur këtë radhë. E kam fjalën për modelin që i lejon secilit të dijë më shumë lidhur me faktin se sa dhe si është ndjekur, kush ka thënë të vërtetën dhe kush ka shpifur për të. Besoj se kjo do të bëhet. 

Qamil Xhani

SHKARKO APP