Fevziu: Gruaja e politikanit mbante në qafë një varëse “Bulgari” që kushton midis 70 dhe 80 mijë Euro*

 

Nga Blendi Fevziu/

“Ulni sytë në kyçin tuaj të dorës dhe nëse ora që keni vendosur aty, është më e shtrenjtë se sa makina që kam unë, atëherë ju jeni të korruptuar”. Këtë logjikë të thjeshtë, të njohur, por shumë të vërtetë ka përdorur Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu gjatë një fjale para gjyqtarëve sot paradite. Ai nuk ka bërë stërhollime; ai nuk ka bërë as ndonjë investigim dhe as ndonjë zbulim të madh. Thjeshte ka thënë atë që ne e shohim të gjithë. Njerëz që paguhen nga shteti me taksat e qytetareve me afro 1000 mijë euro në muaj mbajnë në duar, gjoks apo në qafë objekte luksi prej mijëra eurosh. Shëtisin me makina që kushtojnë 100 – 150 mijë euro apo shpenzojnë nëpër udhëtime luksi shuma që nuk justifikohen dot kurrë me rrogat e tyre, modeste në krahasim me shpenzimet.

Lu ka të drejtë. Ka të drejtë për dy arsye. E para në kuptimin e mirëfilltë të fjalës e dyta në kuptimin simbolik. Ky i dyti më shumë një keqkuptim i politikës dhe drejtësisë shqiptare me shoqërinë e lirë.

E para nuk ka nevoje për komente. Në një kronikë të TV Klan, në një takim kombëtar të Prokurorëve, operatori u fokusua jo tek ato që thoshin, por tek orët e floririt, zinxhirët e artë me diamante e tek çantat e vogla të “keshit” që në Shqipëri njihen me emrin çanta e kambistëve. Kishte aq shume ar dhe gurë të çmuar në atë takim sa dukej sikur ishe në një mbledhje të manjatëve ruse ose të mafies amerikane të viteve ’30, por kurrsesi në një takim njerëzish të drejtësisë.

Në tre muajt e fundit disa portale kanë publikuar foto të makinave të deputeteve në momentin që hyjnë në seancë. Gjenden lehtë me një kërkim në internet dhe pamja është befasuese. Parku i parlamentit shqiptar vlen disa dhjetëra miliona euro, me makina kryesisht që kushtojnë midis 80 dhe 150 mijë eurove. Dhe të gjitha këto, pronë e deputetëve të vendit më të varfër në Europë.

Së fundi, mjafton po ashtu të fotografosh kyçet e duarve të burrave parlamentare për të parë që një pjese e tyre mbajnë ora prej 30 – 40 mijë eurosh. Nuk mbetën pas deputetët me çanta nga 3000 mijë euro dhe bizhu befasuese. Ambasadorja e një vendi të BE-së më tha dje se kur vizitoi shtëpinë e një politikani, gruaja e tij mbante në qafë një varëse Bulgari që kushton midis 70 dhe 80 mijë euro. Për etike Ambasadorja nuk ma tha emrin, por nuk ka asnjë dyshim që ajo ja ka raportuar këtë vendit te saj. Siç nuk ishte e vështirë për mua ta merrja me mend se për kë fliste.

Kjo nuk është ndonjë histori e re, por kohët e fundit po bëhet me bajate. Kryeministri Kroat Sanader nisi të investigohet për një orë të padeklaruar, ndërkohë që në Wikiliks mund të shohësh se si politikanët e shumë vendeve të korruptuara shpjegohen nga diplomatët amerikanë përmes këtyre shenjave.

Pra e para është pyetja? Si i sigurojnë këto vlera materiale të pajustifikuara me të ardhurat e tyre? Përgjigja është e thjeshtë: përmes korrupsionit. Justifikimi i përhershëm që ato janë dhurata nuk qëndron sepse sipas ligjit shqiptar, mund të pranohen dhurata deri në vleftën 100 euro.

E dyta është pyetja morale? A munden njerëz të tillë, që kanë zgjedhur një karrierë publike; që paguhen nga taksat e qytetarëve t’ju shërbejnë atyre? Përgjigja është padyshim jo. Edhe njerëz të pasur dhe me të ardhura të konsoliduar, kudo në botë, në momentin që hyjnë në politike, nisin një jetë më modeste dhe më pranë njerëzve që ju kërkojnë votën. Nuk është çështje mundësie, por simbolike. Një shërbëtor publik, nuk mund të jetë një shembull i shëmtuar vaniteti dhe arrogance. Parlamenti nuk mund të jetë një motor show ku deputetet ekspozojnë markat e makinave të tyre luksoze dhe as deputetët s’mund ta shohin si një pasarelë mode për të shuar kompleksin e tyre. O ke zgjedhur të jesh njeri politik, ose merru me jetën tende. Në jetën private mund të shpenzosh sa të duash mjafton që të tregosh burimin e të ardhurave. Në politike jo.

Partitë dhe politika shqiptare në përgjithësi duhet të vendosë kode strikte mbi etikën, ndërsa organet duhet të fillojnë hetimet. Kushdo që afishon një mirëqenie të tillë, le dyshimin që ka përdorur funksionin e tij për përfitime personale.

Lu ka të drejtë. Ai na tha diçka që e shohim të gjithë dhe që për fat të keq, është bërë edhe si garë mes njerëzve të pushtetshëm. Turp!

(Opinion.al)* Titulli është i redaksisë

 

* Ttitulli eshte i redaksise

 

SHKARKO APP