Giacomo Vuxani – “Fashisti”- arberesh që e deshi aq shumë Shqipërinë

NGA NDREK GJINI

Giacomo Vuxani (Arbanasi, 20 Korrik 1886 – Trieste, 7 Prill 1964) ishte një politikan dhe patriot shqiptaro – italian i lindur në fshatin Arbanas të Borgo Erizzo (tani Arbanasi), në periferi e qytetit te Zares ne Kroaci.

Historiografia Shqiptare i ka borxh ketij intelektuali te shquar, ketij patrioti dhe veprimtari te palodhur qe e deshi aq shume Shqiperine dhe shqiptaret.

Giacomo Vuxani u la ne hije nga historianet komuniste duke u etiketuar si zyrtar i larte i regjimit fashist. Mjaftoi ky etiketim dhe gjithcka u mbyll me kaq, duke fshire me nje te rene te lapsit tere luften dhe punet e vyera te Vuxanit ne dobi te ceshtjes shqiptare.

Askush nuk mori mundimin te kerkoje neper arkiva, te studioje apo te nxjerre ne drite veprimtarine e tij ne Shqiperi qe nga Shpallja e Pavarsise e deri ne mbarim te Luftes se Dyte Boterore. Ekzistojne aty me mijera e mijera faqe. Mjafton vetem vullneti i mire.  Askush nuk denjoj te shfletoje apo studioje rreth leterkembimit apo takimeve te tij me kolose te letrave dhe politikes Shqiptare si Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi dhe Fan Noli, apo te shkruaje rreth kontributit te tij kur Vuxani punonte ne Tirane si Sekretar i Pergjithshem ne Ministrine e Tokave të Lirueme me minister Eqrem Bej Vloren. Ministri kjo qe merrej me administrimin, integrimin dhe zhvillimin e pjeseve etnike te Shqiperise. Ato ishin tokat e liruara nga okupatori serb në Kosovë, Dibër, Strugë, Plavë, Guci, Tuzi dhe Ulqin, që iu bashkëngjitën shtetit shqiptar pas kapitullimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në 1941.

Per te kuptuar madheshtine dhe punet e vyera ne dobi te Shqiperise dhe shqiptareve te ketij kolosi te diaspores shqiptare mjafton te lexojme nekrologjine e shkruar me rastin e vdjekjes se Vuxanit nga Ernest Koliqi dhe te botuar ne revisten “Shejzat” “Le Pleiadi) Viti VIII n.5-6 Maj -Qershor 1964; faqja. 155-158 “, me Kryeredaktor Martin Camajn.

Kjo nekrologji eshte shkruar e botuar ne Italisht dhe hapet me fjalet: “Ne agimin e 7 Prillit te shkuar, i rrethuar nga familjaret e tij, qetesisht u shua Giacomo Vuxani nje nga eksponentet me te njohur te diaspores sone.”

Giacomo Vuxani i kreu studimet e mesme klasike ne Zare, ne 1910. Me pas regjistrohet ne Fakultetin Juridik te Universitetit te Gracit ne Austri. Ne te njejten kohe ai nisi te marre pjese intensivisht ne jeten italiane te qytetit te lindjes se tij, Zares, dhe ne veprimtarite e shoqatave atdhetare e nacionaliste, duke kryer detyra te besuara, nen udheheqjen e ndritur te atdhetareve dalmate si Ziliotto dhe Ghiglianovich. Giacomo Vuxani kurre  nuk harroi gjuhen e atdheut te te pareve te tij, gjuhen Shqipe, te cilen familja e tij e fliste dhe ruante me shume dashuri e passion ashtu sic ruante dhe  zakonet e traditat shqiptare.

Ne 1910 Giacomo Vuxani promovon e organizon “Shoqaten Italo- Shqiptare” te Borgo Erizzos, qe kultivon lidhjet me Shqiperine dhe me eksponentet me te shenjuar te diaspores, si Prof.Zef Skiroi (Giuseppe Scirò) dhe Rosolino Petrotta.

Ne 1901, ne Borgo Erizzo funksiononte nje shkolle ne gjuhen shqipe, ku dha mesim edhe atdhetari i paharruar franceskan, at Pashko Bardhi, shkrimtar me pseudonimin Vorf Dukagjini, Bib Gjeta dhe Oshkap Idhrabi, qe bashkepunoi ne revisten “Albania” “Bruksel – Londer,1897-1909). Vuxani posedonte ne menyre te admirueshme jo vetem te foluren arbereshe te vendit te lindjes, por dhe gjuhen e atdheut meme, shqipen, qe perbente objektin e studimeve te tij. Lexonte shume ne shqip, dhe qe ne fillim ishte mik dhe mbeshtetes i revistes “Shejzat”.

Ne 1913-en Vuxani organizoi nje delegacion arbereshesh, qe erdhen ne Shqiperi per te vizituar atdheun e baballareve te vjeter dhe per te nderuar Princ Vidin, simbol i lirise dhe pavaresise kombetare.

Shperthimi i Luftes se Pare Boterore e detyron Vuxanin te nderprese studimet dhe e rreshton ne radhet e ushtrise Austro-Hungareze. Ne Shqiperi ai fillimisht vjen ne rolin e perkthyesit.

Gjate pushtimit Austro-Hungarez te Shqiperise, e cila ishte nje periudhe me progres te vecante dhe impuls per studimet shqiptare, Vuxani krijon shume miqesi me eksponentet me te spikatur te kultures shqipetare te asaj kohe.

Ne fund te Luftes se Pare Boterore, ne Maj 1919, Vuxani vendoset ne sherbim te Prefektures se Zares, ku qendron per 23 vjet. Shpesh qeveria italiane i besonte misione te rendesishme. Ne vitin 1921 Vuxani u dergua me mission ne Durres dhe Tirane. Ne vitin 1926 ai u dergua me mission ne Bari, ku gjithmone ruajti lidhjet e miqesise shqiptaro-italiane. Qeveria italiane e ftoi Vuxanin ne Shqiperi ne 1940, me mision organizativ. Ai punoi aty me shume impenjim, dhe kontriboi me shume dashuri per te krijuar miqesi, bashkepunim dhe respekt reciprok mes shqiptareve dhe italianeve, tek te cilet nje fat historik i perbashket impononte t’i mbante bashke.

Ne vitin 1942 Vuxani emerohet prane Ministrise se Tokave te Lirueme, me minister Eqrem Vloren. Ne ate ministri ai mbante detyren e Keshilltarit te Perhershem, sot i vlefshem me postin e Sekretarit te Shtetit.

Ne ato vite, edhe pse ne nje kohe te shkurter, Vuxani beri nje pune kolosale ne drejtim te rivendosjes se kufinjeve etnike shqiptare. Ai ne Parlamentin Shqiptar perfaqesoi edhe bashkesine shqiptare te Borgo Erizzo, (Arbanasi). Shqiperia e madhe atehere konceptohej si nje familje e madhe etnike, brenda kufijve etnike, qe llogarisnin edhe pjese te diaspores.

Ne ate Parlament Shqiptar me Giacomo Vuxani, si deputet, ishte edhe atdhetari i pafat avokat Terenzio Tocci, perfaqesues i komunitetit shqiptar te Kalabrise, apo Rosolino Petrotta dhe Pierino Maurea, perfaqesues te lokaliteteve respektive ne Sicili dhe Molise te jugut te Italise.

Me 16 Prill 1943 Giacomo Vuxani rimerr sherbimin prane Prefektures se Zares. Ketu nisi nje nga periudhat me te veshtira te jetes se tij. Rreziqe te te gjitha llojeve, te gjitha keto per te pakesuar vuajtjet e Zares se tij. Sic qe rasti kur ne kohen e bombardimeve ajrore Anglo – Amerikane te 16 dhe 30 Dhjetorit 1943 ku ai qendroi ne krye te detyres, duke ndihmuar me gjithe fuqite e tij  popullsine ne nevoje te qytetit te tij te lindjes, Zares.

Giacomo Vuxani nuk u terhoq edhe kur Zara u pushtua nga trupat Jugosllave ne 31 Tetor 1944. I arrestuar nje dite me pas, me 1 Nentor te vitit 1944, ai pesoi tortura duke rrezikuar edhe te pushkatohej. Pas vendosjes se regjimit komunist ne Zare dhe ne krejt Jugosllavine ai vendoset ne Trieste, ku merret me trajtimin dhe ndihmen e refugjateve shqiptare, te ardhur kryesisht nga Jugosllavia.

Koliqi shkruan ne nekrologjine rreth Giacomo Vuxanit se: “Kush kishte rastin te vizitonte shtepine e Vuxanit ne Triete do ta shihte ate prane familjareve, duke u dridheruar nga nje entuziazem rinor, ndersa tregonte dy flamujt te ruajtur me fanatizem, ate Italian te Komunes se Zares, te sjelle fshehurazi ne Itali nga ai, dhe ate Shqiptar te Shoqates se vjeter arbereshe te Borgo Erizzo.

Donte klasiket greke dhe latine, kishte gjithmone mbi komodine, afer shtratit, ndonje veper ne tekstin original. Se fundi, ne periudhen e semundjes mbante nje volum te zgjedhur nga Ovidi.”

Koliqi thote se: “Ne shqiptaret e Shqiperise nderojme Vuxanin, nje nga personalitet me perfaqesues te diaspores sone, nje te zgjedhurin tone, qe ka lene deshmi te ndritura te virtyteve bujare te shqiptarise dhe te besnikerise ndaj kultit te traditave te tij fisnike atdhetare.”

Pervec dokumenteve arkivore te Parlementit Shqiptar te periudhes kur Vuxani ishte deputet si dhe te dokumenteve dhe veprimarive te tij si Sekretar i Pergjithshem ne Ministrine e Tokave të Lirueme, ne Tirane, nje ndihme shume te madhe per kerkime e studime me te thelluara rreth kesaj figure mund te jepte dhe kontakti me familjare te Vuxanit.

Me 23 Tetor te vitit 2005 djali i Vuxanit ne ate kohe 79 vjec, doktor Giuseppe Vuxani i shkruan nje leter  redaksise se revistes se Arberesheve te Italise, Arbitalia. Fakt ky qe tregon se Vuxani e ka ruajtur me fanatizem gjuhen dhe kulturen Shqiptare, dhe e ka percjelle ate edhe tek femijet e tij.

Ne ate leter djali i tij shkruan: “Jam doktor Giuseppe Vuxani, i lindur ne kolonine me origjine shqiptare te Borgo Erizzo (aktualisht Arbanasi) ne ish-provincen italiane te Zares (ne Dalmaci), tashme nen sovranitetin e shtetit te Kroacise me emrin Zadar. Jam 79 vjec dhe banoj neTrieste.

Kam lene, bashke me shume bashkefshatare te mi vendin e lindjes ne vitin e larget 1948, ne vijim te Traktatit te Paqes, me te cilin qyteti i Zares i perkiste Jugosllavise. Ne ate kohe ne fshat flitej ende shqipja e vjeter e prinderve, qe moren arratine nga dominimi turk, ne 1725, te ardhur nga dy vende afer Shkodres. Ata u sistemuan ne periferi te Zares  dhe kur isha femije me therrisnin ne shqip Zef dhe ruaj ende ne kujtese fjalet me te zakonshme ne shqip, qe fliteshin atehere. Babai im qe nje eksponent i vendosur i diaspores shqiptare, i impenjuar ne ndihme te Pavaresise se Shqiperise. Im ate ishte themeluesi dhe sekretari i Shoqates Italo-Shqiptare te Borgo Erizzo. Ne ate kohe ai qendronte vazhdimisht ne kontakt me eksponente te kolonive shqiptare ne Itali. Vecanerisht domethenes qe Kuvendi i Triestes ne vitin 1913.

Ne vitet 30 gjuhetari i famshem italian Carlo Tagliavini ekzaminoi me kujdes gjuhen shqipe te folur ne Borgo Erizzo dhe shkroi nje liber mbi kete argument.

Per me teper kane mundur te shpetojne vetem disa deshmi te vogla, por interesante te origjines se shqiptareve, qe do te doja t’ua ofroja qendres suaj kulturore.

Duke udhetuar ne internet dje jam njohur me websitin tuaj, por nuk njoh vecse Homepagen tuaj, ku gjeta dhe adresen e e-mailit.”

Kjo leter e djalit te tij eshte domethenese dhe shume inkurajuese, duke na bere te besojme se ka akoma shprese se dicka nga thesari arkivor i lene nga ky kolos i diaspores Shqiptare mund te shpetohet.

SHKARKO APP