Gjiknuri prapë insiston: Të sekuestrohen shtëpitë

 

Në çdo kabinet qeveritar ka ndonjë një ministër që mbahet mend për deklaratat të pa përgjegjshme. Në qeverinë “Berisha” ishin disa, por thagmat i kanë lëshuar në kohë të ndryshme. Në qeverinë “Rama” ministri Damian Gjiknuri duket se ka thyer rekordin e paraardhësve. Brenda pak ditësh ka bërë dy deklarata që tejkalojnë parashikimet. E para është ajo për shpërthimin e pusit të gazit në Patos Marinëz. Me një mendjelehtësi të çuditshme, kur një pjesë e banorëve ishin shtruar në spital dhe fshati ishte në rrezik, Gjiknuri doli para mediave dhe tha se “nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar”. Madje, po sipas ministrit, gazi nuk ishte helmues!! Është i njëjti gaz i lëshuar në atmosferë dy javë më parë, që edhe dje çoi në spital dy persona në rrethin e Patosit. Ministri akoma nuk është kujtuar të kërkojë të paktën ndjesë për këto qëndrime. Si shumë skandale në vend, Marinza u harrua dhe sot ministrin nuk e vret fare ndërgjegjja për atë që bëri me lejen dhe firmën e tij për banorët e zonës. Megjithatë Gjiknuri duket se nuk e ka harruar zakonin e të bërit deklarata të pa përgjegjshme. Më e fundit ishte ajo e djeshmja lidhur me mos votimin e ligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike dy ditë më parë në Parlament. Ligji u shty për javën tjetër, por praktikisht u rrëzua nga deputetët e vetë mazhorancës për shkak të një neni të tij. Sipas këtij neni, kur qytetarët janë debitorë të energjisë me 300 mijë lekë të reja, rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre. Kundër këtij drafti dolën deputetët e PS-së të cilët e vlerësuan këtë si një masë të panevojshme. Por ja çfarë tha Gjiknuri për mos votimin e këtij neni. “Është fatkeqesi që në një ligj kaq të rëndësishëm me 110 nene, katandiset debati vetëm në një çështje, e cila aktualisht është në Kodin e Procedurës Civile dhe nuk ka ndonjë gjë të re”,- tha dje ai.

Ligji për Sektorin e Energjisë është i rëndësishëm, por fatkeqësi nuk ishte mos votimi, por pikërisht futja e atij neni. Ka shumë spekulime nga hartuesit e ligjit lidhur me termin barrë hipotekore, duke e lidhur me faktin se jo gjithmonë do të shkohet direkt të sekuestrimi i pronës. Projekti i paraqitur nga Gjiknuri nuk e sqaron këtë detaj. Këtu ose hartuesit e ligjit kanë dashur të fshehin diçka ose ekspertët e ministrisë kanë qenë të paaftë. Nga mënyra sesi e kanë paraqitur ligjin, Ministria e Energjinë merr pamjen e një përmbaruesi dhe sekuestruesi pronash. Debati është përqendruar në një nen, sepse e thënë thjeshtë; nëse je debitor shteti ta sekuestron shtëpinë! Kjo është një gjë e  turpshme dhe antinjerëzore që pavarësisht kush e ka propozuar, por mban firmën e ministrit  Gjiknuri. Në vend që ministria e tij dhe posaçërisht ministri të gjejnë forma të tjera ligjore e më njerëzore për ata që nuk paguajnë, i kanë rënë shkurt: të marrin shtëpinë! Nisma ka dhe një problem jo pak të vogël juridik. Qytetarët kanë lidhur kontrata civile me OSHEE për furnizimin me energji dhe aty parashikohen masat sanksionuese. Përse duhet të Ministria që me një nen, të rrëzojë gjithë kontratat e mëparshme që kanë nënshkruar qytetarët duke u futur një pikë të paparashikuar? Pse ministria e Gjiknurit nuk ka përpiluar një mënyrë tjetër, ose të marrë masat që debitori që kalon një shumë të caktuar t’i ndërpriten dritat me forcë, e jo të lihet derisa të zhytet mirë e mirë deri në fyt dhe më pas të shkohet e ti merret edhe shtëpia!

Sipas projektit ky ligj synon të detyrojë ata që shesin banesat dhe nuk kanë shlyer detyrimet, duke ja kaluar blerësit. Edhe në këtë rast logjika duket se çalon. Gjatë transferimit të pronës ka klauzola të tjera që zgjidhin këtë problem. Ata që e pësojnë në këtë rast janë konsumatorët e tjerë familjarë që rrezikojnë të mbeten pa shtëpi. Ligji nuk e zgjidh problemin e debitorëve të energjisë. Vetëm se pas futjes në burg të atyre që nuk paguajnë energjinë tashmë u merr dhe shtëpinë.

Mundet që projektligjin t’ia kenë kërkuar edhe më lart, por nëse kalon në parlament Damian Gjiknuri do mbetetnë histori si njeriu që miratoi sekuestrimin e shtëpive të të varfërve që nuk kanë mundësi të paguajnë. Ka forma të tjera ligjore, por edhe administrative apo edhe kontraktuale, që e detyron konsumatorin e energjisë të paguajë e jo direkt sekuestrim të shtëpisë. Kjo nëse miratohet do ti shkaktojë një humbje të madhe PS në zgjedhje,por çdo qeveri tjetër do ta shfuqizojë mënjëherë këtë nen në këtë projektligj nëse kthehet në ligj javën e ardhshme.

Duhet dikush t’ia kujtojë Kryeministrit Rama se duhet të mos miratohet ky nen pasi nuk duhet se shkakton shumë pasoja sociale më vonë. Më mirë të ketë masa represive administrative nga OSHEE dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, duke iu ndërprerë furnizimin me energji personave të tillë se sa të lihen të zhyten deri në fyt me borxhe dhe më pas t’ju presësh kokën duke iu sekuestruar shtëpinë.

Ministri Gjiknuri mund të jetë edhe gënjyer nga vartësit, por ministri ndaj përzgjidhet si njeri që parashikon dhe gjen zgjidhjet më të mira për shtetin, por pikësëpari për qytetarët. Në këtë rast ka gabuar rëndë.

SHKARKO APP