Gratë përballen me pengesa për të përfituar nga projektet në bujqësi

 

 Sipas ligjit, gratë dhe burrat në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës dhe Azisë Qëndrore kanë të drejta të barabarta të aksesit për tokë, burime, trajnime dhe dije. Por në praktikë, ekzistojnë pengesa të cilat e tkurrin aftësinë e grave për të marrë pjesë në projektet e FAO-s dhe për të përfituar nga shërbimet këshillimore.

Për shembull, në Shqipëri, vetëm rreth 7% e njësive bujqësore menaxhohen nga gratë siç raporton publikimi i fundit i FAO-s “Gratë në fshat në Evropën Lindore dhe Azinë Qëndrore.”

Si përgjigje, FAO ngarkoi specialisten për gjinitë Aroa Santiago Bautista për të vizituar zonat e projektit në Shqipëri dhe për të vlerësuar impaktin aktual të projektit të FAO-s mbi burrat dhe gratë në fshat. Ajo u takua me 34 burra dhe 22 gra, përfshirë fermerë meshkuj dhe ferma, stafin e shërbimeve këshillimore dhe përfaqësuesë të Ministrisë së Bujqësisë.

"Një vëzhgim kyç që bëra ishte se shumë pak gra marrin pjesë në aktivitetet e projekteve dhe vetëm anëtarët meshkuj të shoqatave të fermerëve vijnë në takimet në Korçë dhe Berat," tha Santiago Bautista. "Ky është një shembull se si, megjithëse gratë janë fermere dhe anëtare të shoqatës, ato nuk kanë akses në vendimmarrje. Kjo do të thotë se nevojat e tyre nuk merren parasysh kur bëhet fjalë se cilat makineri apo pajisje duhe blerë, apo cili trajnim i ri është i nevojshëm."  Në Shqipëri dhe në vende të tjera, midis faktorëve kryesorë që pengojnë gratë të marrin pjesë në aktivitetet e projekteve të FAO-s janë kanalet e informimit të dominuara nga meshkujt, pamundësia e lëvizjes, largësia e vendeve të mbledhjes, një shpërndarje hierarkike dhe e ngurtë e detyrave sipas gjinisë të cilat i caktojnë grave barrën më të madhe të përgjegjësive të punëve të shtëpisë, dhe një keqkuptim se shërbimet këshillimore dhe projektet janë vetëm për burrat. Të njëjtët faktorë ndikojnë në rolin e grave rurale në vendimmarrje për bujqësinë.

"Duke identifikuar pengesat kryesore, ne mund t'i shënjestrojmë strategjikisht, t'i minimizojmë dhe t'i adresojmë në ndërhyrjet e ardhshme të FAO-s dhe të qeverisë," tha Santiago Bautista. Për të bërë të mundur që gratë në fshat përfitojnë njësoj nga projektet e FAO-s, përmirësime të vogla mund të sjellin një ndryshim të madh. FAO rekomandon:

– të sigurohet një qasje për përfshirjen e grave sipas së cilës shërbimet këshillimore dhe partnerët i konsultojnë gratë direkt, dhe ku gratë janë të ftuara posaçërisht në evente.

– të organizohen takime, trajnime dhe aktivitete të tjera të lidhura me projekte në vende që mund të arrihen nga gratë, sa më afër që të jetë e mundur shtëpive dhe fermave, dhe të ofrohet transport.

– të ofrohet kujdes për fëmijët, nëse është e mundur, gjatë takimeve të trajnimeve dhe të fermerëve.

– të ofrohet mbështetje për të ndihmuar gratë që të krijojnë vetëbesim në aktivitete tradicionalisht të lidhura me burrat, si për shembull të negociosh me tregtarët, apo të punosh me makineri.

“Përmirësimi i pjesëmarrjes së grave është një nga hapat e nevojshme për të adresuar pabarazitë dhe për të arritur mirëqënie të qëndrueshme për komunitetet rurale,” tha Santiago Bautista.

Këto janë shenjat e ndryshimit. Sipas Sadete Kopshtit, një anëtare e shoqatës së fermerëve në Shkodër: “Burrat tani janë më të ndëgjegjshëm se dhe gratë duhet të marrin pjesë në shoqata, pra ka një ndryshim në sjelljen e tyre.” FAO po punon në të gjithë rajonin për të mbështetur qeveritë për të zvogëluar hendekun gjinor në zonat bujqësore dhe rurale. Në Shqipëri, FAO përfundoi Vlerësimin Gjinor për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, dhe së fundmi, finalizoi një iniciativë të përbashkët me Bankën Botërore, me mbështetje nga qeveritë qëndrore, për të përmirësuar aksesin e grave në pronësinë mbi tokën.

Sipas të dhënave të FAO-s, nëse gratë kanë të njëjtin akses si burrat për inpute dhe shërbime, prodhimi bujqësor në mbarë botën do të rritej nga 2.5 në 4 %, ndërsa numri i njerëzve që vuajnë nga uria kronike do të ulej me 12-17%. 

SHKARKO APP