Hoffman apel politikës: Kujdes me dekorimet që bëni

 

Nderimi nga ana e shtetit shqiptar i pjesëmarrësve në Luftën Nacionalçlirimtare, por edhe i personazheve famëkeq të diktaturës komuniste, nuk ka lënë shije të mirë jo vetëm tek opinioni publik, por edhe te përfaqësuesit ndërkombëtarë në vendin tonë.

Njëri prej tyre është edhe ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, i cili duke folur në konferencën e donatorëve “Kërkimi dhe identifikimi i personave të zhdukur, viktima të regjimit komunist në Shqipëri”, ka theksuar se Shqipëria duhet të përballet me të shkuarën e vet, duke respektuar dhe nderuar çdo person që ka kontribuar apo ka sakrifikuar për të.

Por sipas tij, institucionet shqiptare duhet të jenë të kujdesshme kur vendosin që të vlerësojnë apo nderojnë persona të caktuar, qofshin këta edhe pjesëmarrës në Luftën Antifashiste. Ai ka theksuar se nuk mjafton vetëm ajo që ke bërë në një fazë të caktuar të historisë, por edhe ajo çfarë ke bërë më pas, për të bërë të mundur vlerësimin e një personazhi të caktuar.

“Kur lexoj gjëra të caktuara për sa i përket respektimit të njerëzve, kur lexon artikuj të tillë në media sot, mendoj që respektimi duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të mos dërgohen sinjale të gabuara. Unë personalisht s’kam asnjë lloj problemi me respektimin e personave që meritojnë nderimin si rezultat i pjesëmarrjes së tyre në luftën çlirimtare, por duke parë biografinë e tyre, mendoj se duhet që të shihen këta persona, sepse mund të ketë persona të cilët nuk e meritojnë një nderim të tillë honorifik, pasi mund të kenë pasur pozicione shumë të debatueshme”, – tha Hoffman në fjalën e tij.

Më tej, ai theksoi se është shumë e rëndësishme që për të nderuar veprën e dikujt dhe në veçanti për të respektuar vuajtjet atyre që kanë vdekur gjatë regjimit komunist, apo që janë ende gjallë sot, të bëhen verifikimet e nevojshme.

“Pra ka shumë gjëra të cilat mund të identifikohen, pra ka shumë gjëra që mund të bëhen për respektimin e të vdekurve, të kujtesës të së shkuarës, për të qenë të drejtë për ata persona të cilët ende jetojnë dhe që janë ndjekur dhe persekutuar gjatë regjimit komunist”, tha Hoffman.

Gjithashtu ai u shpreh se vendit tonë i mbetet shumë për të bërë për të respektuar të shkuarën e vet, në mënyrë që ajo të njihet nga brezi i ri dhe t’i shërbejë atij për të kuptuar tiranitë. Kjo pasi sipas tij, Shqipëria ka shumë pak vende të kujtesës historike që mund të vizitohen për të kuptuar të shkuarën diktatoriale.

“Vë re që në Shqipëri ka shumë pak vende, të cilat realisht mund të shërbejnë si vende kujtese popullore, kujtese njerëzish. D.m.th, ka një muze këtu në sheshin “Skënderbej”, që ka një departament për të shkuarën. Është edhe një tjetër,.një vend në Shkodër, që është një vend i ri e që në fakt është muze. Për një vend, i cili ka kaluar një histori të tillë, këto dy vende apo dhe ndonjë vend tjetër janë shumë pak për të reflektuar atë që ka ndodhur në të shkuarën. Dhe mendoj se deri më sot shumë pak, nëse ka, politikanë të nivelit të lartë e kanë vizituar për shembull burgun famëkeq të Spaçit dhe kjo më duket e habitshme”, – u shpreh Hoffman.

SHKARKO APP