Islamikët në Afrikë,viktima dhe 170 pengje perëndimorë në një hotel në Mali

 

 

Luftë në hotel Radisson në Bamako, kryeqyteti i Malit në Afrikë. Të shtënat me automatikë kanë nisur brenda hotelit me 190 dhoma, 90 për qind të të cilave janë aktualisht të zëna. “Po ndodh në katin e shtatë, xhihadistët po shtijnë në korridor”, tha një burim i sigurisë, i cili shtoi se sulmuesit e nisën me thirrjet “Allahu Akbar”.

Sipas një zëdhënësi të hotelit, cituar nga NBC News, terroristët po mbajnë peng 170 persona, 140 klientë e 30 anëtarë të stafit.

Policia ka izoluar zonën rreth hotelit, duke krijuar një perimetër sigurie. Sipas “Jeune Afrique”, tre terroristë i janë afruar hotelit me një makinë të trupit diplomatik. Ambasada amerikane u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë, përfshirë stafin e saj, të shkojnë në vende të sigurta.

Lidhjet me Francën

Hoteli frekuentohet nga diplomatë dhe afaristë të huaj dhe mund të jetë shndërruar në objektiv pasi midis klientëve ka shumë francezë. Trupat franceze janë të pranishme në vend që nga janari 2013 dhe vetë presidenti François Hollande iu referua Malit në fjalimin e djeshëm. Në 2013, Franca ndihmoi Malin të arrinte një fitore dhe “terroristë e dinë, për këtë arsye na konsiderojnë armiq”, shpjegoi Hollande, duke shtuar se “terroristët më 2012 sulmuan kulturën e Malit, shkatërruan simbolet e kulturës, gratë u nënshtruan, burrat u poshtëruan. Francës iu desh të merrte përgjegjësitë e saj për të çuar përpara aksione të rëndësishme”.

Më 7 mars, një atentat në një bar-restorant në Bamako kishte vrarë pesë njerëz, ndër ta një francez e një belg, dhe plagosi tetë të tjerë. Në pranverë 2012 Mali ra nën kontrollin e grupeve xhihadiste të Al Qaedës, pas përleshjeve midis ushtrisë dhe grupeve rebele.

Të përzënë kryesisht për shkak të ndërhyrjes së Francës më 2013, rebelët mbeten në zona të tëra jashtë kontrollit të forcave të Malit dhe të forcave ndërkombëtare të sigurisë.(Marre nga java.al)

SHKARKO APP