KËTA GARIPË TË BALLKANIT

 

Nga Frrok Çupi.

S'është hera e parë që të parës i venë flakën Maqedonisë…

Interesant! Sa shumë gjëra, në këtë luftë, po ndodhin për herë të parë në historinë e luftrave dhe të politikës!

E para që ndodh për së pari është se askush deri më sot nuk ka një përgjigje kush dhe pse e vuri flakën. Askush nuk di edhe numrin e të vrarëve. Edhe agjencinë e famshme Reuters dje e kishin futur në kurth dhe i kishin thënë "pesë të vrarë". Në Shkup thuhet njëzetedy, diku tjetër nëntë, më tutje tetëmbëdhjetë. BBC-së i kishin dhënë shifrën 14…  Kur nuk tregojnë numrin e të vrarëve, çfarë mund të ketë kaq të veçantë mes gjithë luftërave?

Edhe në Luftën e Dytë Botërore, thuajse një shekull më parë, njerëzit numëroheshin kokë më kokë; këtu jo.

E dyta, për herë të parë në historinë e luftrave, qeveritë e shteteve fqinj, janë fshehur edhe nga ekranet televizive. Para ekraneve, zakonisht, qeveritë e Ballkanit rrinë me orë të tëra, njësoj si gratë spitullaqe. Qeveritë e Ballkanit, çdo ditë para ekraneve zgjohen, aty lahen e krihen, aty hanë mëngjesin e darkën, aty bëjnë betejat dhe sukseset.. dhe, mbrëmjen nëpër vila. Terreni tjetër, jashtë ekranit,  nuk ka qeveri… Ndërsa kësaj here të gjitha qeveritë fqinje të Maqedonisë u fshehën në back-stage; asnjë fjalë për luftën. De Gol, Churchill, Rousvelt (në Pearl Harbour), Kenedi (në Gjrin e Derrave), edhe pse pa ekranet e sotëm, rrahën gjithë telat dhe linjat e botës për të qenë present… Këta të Ballkanit u fshehën.

E treta, për herë të parë mes luftrash, lufta e Maqedonisë ishte paralajmëruar si një "spektakël i dobishëm". Sot Serbia lajmëroi se " e madhja do të nisë me 12 maj". Çudi të mëdha!

Spektaklin e kishin bërë gati bash qeveritë. Si garipë…

… Më vjen në mendje se fjalën arabe "garip" që e përdorim rëndom edhe në të folmen tonë, e kam kapur në një vend arabik bash kur po bëhej gati një spektakël, buzë mbrëmjes. Isha në Tuniz. Në oborrin e bukur të hotelit po bëhej gati një koncert për darkën që po shtrohej për gazetarë të Mesdheut. Mjeshtri i spektaklit iu drejtua djaloshit që po shtronte linjat e fonisë: "Hë morë garip!".  (Kapa vetëm fjalën e fundit). I afrohem dhe e pyes se cila është ngarkesa e kësaj fjale në gjuhën arabe. "Një njeri që bën sikur, që ngrefoset, bën dëm por nuk bën gjë të hajrit"- më tha mjeshtri.

Njësoj siç ka ardhur "garip" në të folmen tonë. Ose njësoj si sjellja e kryeministrave të Ballkanit në "spektaklin" e Luftës së Maqedonisë.

Lufta e Maqedonisë është drejtpërdrejt efekt i kryeministrave të shteteve ballkanike, që çuditërisht kanë thuasje të njëjtin format të garipit. Si ky i Maqedonisë, si Tsipras i Greqisë, si ky i Tiranës, si ai i Serbisë… kanë të njëjtën sjellje dhe të të njëjtës specie. Sa të ngrefosur aq edhe të ulët në kapacitete; sa të veçantë aq edhe në turmë; sa të angazhuar aq edhe mashtrues; sa trendy aq edhe primitivë…

Të gjithë, nga pak, kanë ushqyer konfliktin në Maqedoni.

Ai i Maqedonisë, për herë të njëmijtë, u ndodh në një krizë politike nga kun nuk po dilte dot; dhe për këtë i duheshin viktima. Jo thjesht viktima për viktima, por tërheqje e fortë vemendjeje.  Kishin pasur një histori të hidhët përgjimesh mes veti në prag të luftës.

Ai i Serbisë ka disa çështje me të shkuarën e tij ultranacionaliste kundër myslimanëve e katolikëve kroatë; tani i duheshin viktima ortodoks. Por kryesorja ka angazhimin me Moskën. Madje, rreth kësaj pikë vërtitet edhe vetë lufta në Kumanovë.

Ky i Tiranës bën si garip dhe trendy; nëpër zyrat e Europës e njohin edhe si hokatar. Ky nuk di shumë gjë për politikën, aq më pak për diplomacinë. Postin e kryeministrit e mbulon o me batuta o me kostume të shtrenjta.

… Spektakli që u kthye në tragjedi nisi në Beograd, gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë. Tani, kur e tëra ka zbritur në Kumanovë e Shkup, të gjitha pyetjet e "ditës dhe natës së Beogradit" bëhen të qarta.

Pyetja e parë:

Pse vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd u nda në "e natës" dhe "e ditës".  Si në legjendat e vjetra të Ballkanit: Nata ndërton dhe dita prish, ose e kundërta. Gjatë ditës Rama- Vuçiç bënë sikur u grindën ashpër "për patriotizëm". Gjatë natës u lëshuan fjalë miqësie dhe u dedhën bute të tëra me verë të vjetëruar mes të dyve. Bash simbolika e marrëdhenieve Perëndim- Lindje. Me grindjen e ditës, Vuçiç e Rama i dëshmuan Europës se "nuk merremi vesh". Ndërsa gjatë natës i dhanë sinjal Moskës se "jemi bashkë". Ishin momentet më të vështira të krizës së Ukrainës, që mund të kthehej në një krizë botërore. Perëndimi kishte nevojë për unitet ballkanik, ndërsa këta bënë të kundërtën.

Pyetja e dytë:

Pse u zbeh ose u shuajt roli i lidhjes së kryeministrave të Ballkanit në Berlin?

Pas grindjes "për Kosovën" në Beograd, Gjermania e kancelares Merkel mbeti e pafuqishme. Merkel i kishte mbledhur "çunat e Ballkanit" për të ndërtuar përbashkimin si një mur përballë zgjerimit të krizës ukrainase dhe influencave të Moskës. Por kur këta dëshmuan se nuk ishin bashkë, nuk kishte më vlerë lidhja e Merkel. Kryeministri i Shqipërisë mori rolin e të parit kundër "kështjellës së Berlinit".

Dhe pastaj si zbriti "nata e Beogradit" drejt Kumanovës?

Zbriti ngadalë, përmes Ulqinit ku Edi Rama deklaroi para botës për "bashkimin e Kosovës me Shqipërinë".

Pas kësaj deklarate çdo analist apo politikan i botës e lidh luftën e Kumanovës me  thirrjen "për Shqipërinë e Madhe".

Vallë a po luftonin në Kumanovë sipas idesë së "bashkimit me Shqipërinë"?  Qeveria maqedonase lëshoi njoftime se aty ndodhet UÇK- njësia luftarake që ka veç një ëndërr: Çlirim dhe bashkim me Shqipërinë. Qeveria e Shqipërisë që lëshoi e para thirrjen, duhej të shfaqej për të folur me luftëtarët ose në emër të tyre. Në qoftë se nuk ka UÇK dhe luftëtarë, përsëri qeveria e Shqipërisë duhej të shfaqej për të ndaluar frymën akuzuese. Sepse ishte autore e nisjes së tensionit që nga "nata e Beogradit" dhe "dita e Ulqinit".

Askush nuk u shfaq.

A kishte vallë terroristë në Kumanovë? Nato thotë jo. Qeveria e Shkupit ka thënë se "janë terroristë". Qeveria e Beogradit, në ekstazë feste dërgoi ushtrinë serbe për të marshuar në Moskë për 9 Majin. (Edhe në Tiranë u mbajt një koncert ku mori pjesë kryeministri). Tiranë- Beograd u gjenden në një pikë të përbashkët; të dy qeveritë urdhëruan gjendje të gatishmërisë ushtarake për tu ruajtur nga shqiptarët e Kumanovës.

Duket se e tëra është ndërtuar me duart e qeverive ballkanike. Duket se është ndërtuar si mjet për të mos dorëzuar pushtetin secili nga "çunat". Në Maqedoni Gruevski po jeton momente të vështira krize politike. Në Beograd ka ardhur koha që të vendoset "me BE dhe pa Kosovën, apo pa BE?". Në Tiranë, Rama po humb zgjedhjet vendore dhe ka humbur qetësinë, po flet dhunshëm. I duhet konfikti në Ballkan por edhe brenda vendit. "Dhunë?… Nuk keni parë gjë akoma"- pat thënë që në fillim. 

Konflikti i Kumanovës është ndërtuar si me dorë. Është gjetur Maqedonia si plastdarm. Që këtej mund të përhapet e keqja te të gjithë rrotull. Maqedonia është shteti ballkanik që ka më shumë fqinj, pesë: Shqipëri, Serbi, Bullgari, Kosovë e Greqi. Asnjë nga shtetet e Ballkanit nuk ka kaq shumë fqinjë. Po të besosh teoritë e konsipracionit që po lundrojnë nëpër faqet e mediave, atëherë do të besosh edhe se Maqedonia u zgjodh "si eksplozion" bash për arsyen se ka më shumë fqinjë rrotull. Te të gjithë ka krizë. Qeveritë kanë thërritur konfliktin si shërim.

… Sa të thjeshta janë mekanizmat e luftës, aq sa edhe një punë garipësh.

SHKARKO APP