Klosi: 6 objektiva për kushte më të mira për të rinjtë

 

Është prezantuar sot në qytetin e Gjirokastrës Plani Kombëtar për Rininë 2015­2020. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i pranishëm në këtë takim, ka theksuar se ky prezantim vjen në kuadër të organizimit të 25 ditëve aktivitete, për 25­vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë, ndërsa synon të adresojë problematikat, prioritetet dhe masat për realizimin e objektivave në fushën e rinisë. “Gjirokastra është një qytet që ofron një larmishmëri aktivitetesh në fushën e trashëgimisë kulturore dhe promovimit të turizmit. Andaj është e rëndësishme që ju, rinia të kontribuoni sa më shumë në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës në këtë qytet përmes angazhimit në formimin tuaj arsimor dhe kulturor. Plani i rinisë është përgatitur nga 12 mijë të rinj studentë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët përmes kontributit të tyre sollën në këtë dokument të gjitha çështjet që shqetësojnë sot rininë shqiptare dhe zgjidhjet respektive për to”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Më tej, ai bëri të ditur se Plani i Veprimit ka 6 objektiva kryesore dhe që synojnë krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë shqiptarë, përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, përmes zhvillimit të më shumë mundësive në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë dhe rritjen e pjesëmarrjes së plotë të të rinjve në shoqëri dhe vendimmarrje. Duke qenë se Gjirokastra ka një traditë dhe një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit dhe shkencës shqiptare, ministri Klosi prezantoi në këtë takim një nga objektivat kryesore të Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë: Edukimi i të Rinjve. “Ky objektiv synon përmirësimin e kurrikulave të lidhura me aftësimin për jetën, cilësinë e arsimit, dhe cilësinë profesionale të mësimdhënës në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës, dhe krijimin e agjencive të pavarura me ekspertë të jashtëm për monitorimin dhe vlerësimin e sistemit arsimor dhe procesit mësimor në veçanti.

Sfidat kryesore në arsimin e lartë përfshijnë nevojën për: (1) rritjen e cilësisë nëpërmjet përmirësimit të kushteve të mësimdhënies; (2) përmirësimin e kurrikulave dhe standardeve në përputhje me standardet më të mira europiane (3) lidhjen e strategjive të arsimit, dhe programeve me ato të sektorit privat për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës; (4) për të zgjeruar arsimin post­sekondar në përputhje me nevojat e zonave specifike dhe zhvillimit rajonal; (5) forcimin e kapaciteteve të përgjithshme institucionale”, tha ministri Klosi. Ministri shtoi se Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka realizuar programin e praktikave të punës, duke e vlerësuar këtë program si një mekanizëm mjaft të rëndësishëm për kalimin e tranzicionit nga shkolla në punë. 

“Qëllimi i programit është aftësimi i të rinjve profesionistë dhe përfitimi i një përvoje kualifikuese në lidhje me sistemin administrativ publik. Rreth 900 të rinj të diplomuar në programet e studimit të ciklit të parë Bachelor kanë zhvilluar praktikën 3­-mujore në ministritë dhe institucionet e varësisë; ky program do të finalizohet me punësimin e 200 të rinjve në administratën shtetërore”, u shpreh ministri Klosi.
 
Në fjalën e tij, Klosi është ndalur edhe tek arsimi dhe formimi profesional i të rinjve, duke theksuar se sistemi i ri që ka nisur të aplikohet muajt e fundit ka sjellë një vëmendje të shtuar të të gjithë atyre djemve dhe vajzave që kërkojnë një profesion apo zanat për të siguruar një jetë të denjë. Ai është shprehur gjithashtu se qeveria shqiptare po investon në platforma të reja për rininë, si krijimin e qendrave rinore në 12 qarqet e vendit, duke synuar realizimin e sa më shumë aktiviteteve social-­kulturore për të rinjtë dhe duke shërbyer si hapësira ku ata të mund të zhvillojnë potencialin e tyre krijues.
 
“Ne vitin 2015 është hapur Qendra Rinore në Tiranë, më pas do të vazhdojmë me hapjen e Qendrës Rinore në Korçë dhe në Vlorë. Gjithashtu, në këtë listë përfshihet edhe qyteti i Gjirokastrës, ku së shpejti të rinjtë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë këto hapësira për realizimin e veprimtarive rinore. Forcimi i bashkëpunimit midis aktorëve qeveritarë, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit do të bëjë të mundur zhvillimin e sektorit të rinisë në rritjen e mundësive të barabarta në arsim, punësim, qytetarinë aktive, përfshirjen sociale, solidaritetin dhe vullnetarizmin”, tha Klosi. 

SHKARKO APP