Klosi: Profesioni, mundësi për punë të denjë

 

Dhjetëra të rinj kanë fituar sot kontrata dyvjeçare pune në profesione të ndryshme jashtë vendit. Dhe kjo falë profesioneve që ata kanë marrë, kryesisht duke ndjekur Arsimin Profesional. Kontratat janë bërë të mundura falë bashkëpunimit mes "Europe Agency" dhe zyrave të Punës, të cilat në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar më parë, kanë mundur t'iu ofrojnë qindra të rinjve deri më tani mundësinë për një punë të denjë dhe të mirëpaguar.

I pranishëm në dorëzimin e këtyre kontratave, ministri Blendi Klosi theksoi se pikërisht kërkesat e agjencive të punësimit janë një tregues i qartë se orientimi drejt arsimit profesional është rruga e duhur për të gjithë ata të rinj që kërkojnë jo vetëm një punë, por edhe një jetë më të denjë.

“Në këtë ditë të katërt të aktiviteteve që ne kemi organizuar për 25-vjetorin e Ditës së Rinisë, e cila është një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e popullit shqiptar, menduam të kishim një aktivitet që t'u dedikohej krejtësisht atyre të rinjve që kanë zgjedhur profesionin, punën e denjë, të cilët kanë zgjedhur të provojnë në jetë një shans që mund t'iu garantojë atyre një mirëqenie të konsiderueshme. Kërkesa e agjencive të punësimit, si "Europe Agency", për punërtorë të kualifikuar, është një kërkesë që duhet të na bëjë që të kuptojmë se Arsimi Profesional, kualifikimi, dija, zeja, mundësia për të punuar janë mënyra më e mirë për të jetuar”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Për këtë arsye, theksoi ai, qeveria shqiptare i ka kushtuar rëndësi të madhe reformimit të arsimit profesional drejt kërkesave të tregut të punës, ku çdo kualifikim i dhënë të jetë i orientuar në një vendi konkret pune.

Më tej ai ka shtuar se për t'u përballur me papunësinë nuk mjaftojnë vetëm përpjekjet e institucioneve shtetërore, por edhe një angazhim i të gjithë faktorëve, si biznesi apo edhe agjencitë private të punësimit.

Gjithashtu, Klosi bëri të ditur se ka kaluar në qeveri edhe projektligji “Për punëkërkuesit e papunë”, i cili synon të stimulojë punën dhe të dekurajojë dembelizmin.

Ndërsa drejtori i "Europe Agency", Ermal Jauri tha se aktualisht ekzistojnë afro 1700 vende pune për rreth 500 profesione të ndryshme jashtë vendit, me paga që variojnë nga 500 deri në 8000 mijë dollarë. “Trendi ekonomik global i tregut të punës ka rritur më tepër kërkesën për profesionistë. Ka rritur kërkesën për profesione të ndryshme si saldator, elektricist, staf të hoteleri-turizmit, punonjës shërbimi, punonjës socialë, punonjës ndërtimi, punonjës profesionistë të kategorive të ndryshme dhe profileve të ndryshme”, – tha Jauri.

SHKARKO APP