Klosi: Qeverisja shqiptare, përfaqësime të larta gjinore

“Jam krenar që kabineti qeveritar i Shqipërisë ka aktualisht 8 gra ministre ose 42% të tij, duke qenë një nga shtetet evropiane me një përfaqësim kaq të lartë gjinor në qeverisjen qendrore. Zëvendës-ministre janë 10 gra nga 29 gjithsej, ose 34.4%. Në Parlamentin e Shqipërisë nga 140 deputetë, 32 janë gra ose 23%”.

Një panoramë të tillë mbi përfaqësimin e grave në jetën politike shqiptare, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi e bëri gjatë një fjalimi të posaçëm që mbajti në Komisionin e Statutit të Gruas në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork.

Duke shtuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u bënë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2015, parashikuan kuotën prej 50% e përfaqësimit të secilës gjini në listat e kandidatëve për antare/ë në Këshillat Bashkiakë. Dhe sipas tij, si rezultat i zbatimit të tij përfaqësimi i grave dhe vajzave në Këshillat Bashkiakë si këshilltare është 34.6% (nga 12% që ishte në zgjedhjet vendore 2011), dhe 9 gra (14,7%) u zgjodhën si kryetare bashkie nga 61 gjithsej.

Por sipas tij, në të njëjtën kohë ka patur progres edhe në përfaqësimin e grave në nivele të larta të administratës publike, ku 45% e grave janë në nivel drejtorësh të përgjithshëm. Dhe se në përfaqësimin diplomatik 24% e ambasadorëve të  Shqipërisë janë gra dhe 59% janë sekretare të para. Por rritje ka pësuar edhe përfaqësimi i gruas në organet e policisë, rreth 10%, duke shpalosur vlerat e saj si një ruajtse rendi e përkushtuar në detyrën e dhënë. Për herë të parë në dhjetor të 2015 u zgjodh si Shefe Komisariati një grua, duke thyer edhe një stereotip gjinor që ky pozicion është mbajtur vetëm nga burrat.

“Është kënaqësi e veçantë për mua që si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të marr pjesë dhe të flas përpara jush në këtë Sesion të Komisionit të Statusit të Gruas, duke shprehur angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë për fuqizimin e grave si kusht për një zhvillim të qëndrueshëm”, tha më tej ministri Klosi në eventin e OKB-së.

Për të nënvizuar gjithashtu edhe faktin se qeveria shqiptare e ka shtrirë punën e saj për barazinë gjinore në disa nivele, duke filluar nga përmirësimi i politikave dhe legjislacionit në përputhje me konventat ndërkombëtare; duke forcuar kapacitetet zbatuese në nivel qendror dhe lokal; duke përmirësuar mbledhjen e të dhënave dhe mekanizmat e monitorimit; dhe duke zgjeruar fushën e veprimit dhe të shërbimeve shoqërore drejt të gjithë aktorëve të shoqërisë.

“Përfaqësimi dhe pjesmarrja e grave në vendimmarrje janë tregues kyç të një shoqërie që ka përqafuar barazinë gjinore në të gjitha sferat e jetës. Pikërisht zhvillimi dhe demokratizimi i qëndrueshëm social-ekonomik mund të arrihet vetëm nëpërmjet përpjekjeve fuqizuese dhe emancipuese të cilat u garantojnë grave dhe burrave përfaqësim në të gjithë sektorët dhe fushat”, konkludoi ai.

“Sfida jonë e përbashkët, gratë në vendimmarrje”

“Sfida jonë e përbashkët është për të krijuar një qëndrueshmëri të arritjeve për gratë në vendimmarrje e përgjithësisht fuqizimin e grave”, ishte ndërkaq një tjetër apel që minisri i Mirëqenies Sociale e drejtoi para fjalës së tij në Komisionin e Statutit të Gruas në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork. Duke shtuar se fuqizimi i gruas për të qenë pjesëmarrëse e plotë në jetën ekonomike në të gjithë sektorët është esencial, nëse duam të kemi ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme. “Tashmë në vendin tim po konsolidohen disa përpjekje të shoqërisë civile por që kanë gjetur mbështetjen edhe të qeverisë, për të inicuar një përfaqësim më të lartë të grave në borde dhe në poste të larta drejtuese të kompanive private. Ne jemi të angazhuar ta avancojmë axhendën për fuqizimin e grave, sepse e dimë që vendi nuk mund të bëjë përpara në se gjysma e shoqërisë është e nënpërfaqësuar. Çështja e barazisë gjinore nuk është thjesht një çështje morale. Kur ka pabarazi ajo kthehet në një problem jo vetëm për gratë po për gjithë shoqërinë, për vet zhvillimin e vendit. Duke promovuar barazinë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave, ne të gjithë synojmë për politika të qëndrueshme të një zhvillimi të qëndrueshëm – proces, i cili nuk mund të arrihet pa një shpërndarje të drejtë të resurseve sot dhe nesër”, tha ai në këtë kuadër.

“Arritje, dhënia e ndihmës ekonomike grave, jo burrave”

“Dhënia e pagesës së ndihmës ekonomike grave, është një nga masat e tjera që ministria që unë drejtoj ka ndërmarrë, duke ndihmuar direkt në mirëadministrimin e të ardhurave në familje. Edukimi është kyç për të ulur varfërinë dhe integruar gratë në zhvillimin e qëndrueshëm. Këtij objektivi të punës sonë i shërben fushata e nisur nga MMSR për të përfshirë sa më shumë vajza e gra në arsim dhe formim profesional si një nga rrugët më të mira drejt punësimit të sigurtë”, nënvizoi mes të tjerash kreu i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë para OKB-së. Duke përfunduar me apelin për parandalim dhe ulje të dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, eliminimi i diskriminimit gjinor në arsim, shëndetësi, media, duke përforcuar mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për barazinë gjinore në nivel qendror dhe vendor, si edhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit, do të vijojnë të jenë në fokusin e punës sonë.

“Qeveria shqiptare e ka vendosur barazinë gjinore në qendër të axhendës së saj dhe një sërë  arritjesh janë shënuar, por se ajo mbetet ende një sfidë për t’u çuar përpara. Është bërë një rrugë e gjatë dhe janë shënuar arritje e të gjitha këto falë bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë e veçanërisht organizatat e UN dhe organizatave të shoqërisë civile. Ka ikur koha kur barazia gjinore ishte objektiv, për ne është një kusht, pa të cilin nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm dhe qeverisje të mire, dhe kjo arrihet kur ne që punojmë për këtë kusht, bëhemi shumicë”, përfundoi ai.

 

 

 

SHKARKO APP