Konflikti Blushi-Rama.Historia e një ndarjeje të pakthyeshme (Rrefimi 17 vjecar i një miqësie të prishur)

 

Ka një aksiomë të njohur sipas së cilës politika nuk e njeh mirënjohjen, por për Edi Ramën aplikimi i saj e tejkalon çdo limit. Ky do të ishte edhe shpjegimi më i mirë që do t’i bëhej prishjes, pothuajse përfundimtare, të marëdhënies së tij të komplikuar me Ben Blushin. Ky i fundit, vite më parë ka qenë një nga mbështetësit e tij më të fortë. E ka përkrahur në 2003-shin kur donte të sfidonte Nanon për kryetar partie. E ka përkrahur gjithashtu në 2005, kur e mori këtë post, por sa herë ka kërkuar që Edi Rama të mbronte në krye të PS-së ato parime që atij vetë ia bënë të mundur ngritjen, ai është gjendur si kundërshtar përballë tij.

Në fakt historia e përbashkët e Ramës me Blushin daton shumë më herët se kaq. Ajo filloi të ngjizej pas krizës së ’97-ës, kur të dy, të ardhur nga jashtë politikës nga kudhra emblematike e antiberishizmit “Koha Jonë”, njëri si gazetar e drejtues e tjetri si rebel dhe publicist, përfituan nga hapsirat e lirisë dhe filozofia për zgjerim e Fatos Nanos, për të hapur derën e politikës së majtë. Në fillim Blushi, që u emërua më parë si këshilltar i kryeministrit, e priti krahëhapur kthimin në Tiranë si ministër kulture të njeriut me shallvare të gjëra e me çorape të verdha që shihej si alien nga një pjesë e mirë e PS-së. Në atë kohë e majta qe e ndarë më dysh. Nga njëra anë qenë mbrojtësit e Nanos që predikonte zgjerimin e partisë jashtë mureve të militantëve dhe nga ana tjetër, konservatorët që predikonin status quo-në. Ben Blushi në atë kohë u rendit hapur dhe me qëndrime të forta pro ndryshimeve në qeveri. Marrëdhënia e tij me Ramën u forcua më tej, kur ky i fundit u zgjodh kryetar bashkie në Tiranë. Ishte koha kur kryeministri aktual bashkëjetonte me prezantuesen Rudina Magjistari dhe miqësia mes të dyve filloi ta tejkalone cakun politik. Madje Rama vendosi ta ndiqte Blushin nga pas edhe në aventurën e blerjes së një shtëpie në Dardhë, të cilën e sistemoi së bashku me Rudinën.

Por këto ishin kohë të trazuara për politikën e majtë. Kryeministrat binin njëri pas tjetrit dhe për rishtarët, në kulisat e trashëgimtarëve të vjetër të Partisë së Punës, nuk qe e lehtë të orientoheshe.  Nga vjeshta e vitit 1998 deri në vjeshtën e vitit 2005, socialistët do të ndërronin plot pesë herë kryeministra. Në këto turbulenca, Rama kishte aftësinë të hidhej me mish e me shpirt në mbrojtje të atij që dukej më i forti për momentin, megjithëse gjithmonë rezultonte që ai kishte qenë më i dobti. Kështu ishte bërë me radhë me Nanon, Majkon, Metën, prapë Majkon dhe Nanon për t’u kthyer shpinën sapo i dukeshin të pafuqishëm.

Në këto përplasje Blushi kishte qenë më pak i afishuar në publik, megjithëse aktiv në kulisa. Kjo shpesh kishte bërë që miqësia e tij me Ramën të qe plot ulje ngritje.   

Por gjithësesi shumë burime brenda PS-së pohojnë se në fund të mandatit të tij, megjithëse ishte ministër i Nanos, Blushi i kërkoi këtij të fundit, në zyrën e tij, të largohej nga posti sepse kjo ishte e vetmja mënyrë që e majta të merrte edhe një mandat të ri.

Jo kaq troç, por të njëjtën gjë përsëriti edhe Rama në Kongresin e PS-së në vitin 2003, kur tha se ai po kandidonte për të shmangur humbjen e socialistëve dy vite më pas.

Pikërisht ky moment, është një episod kyç në marëdhënien Rama – Blushi. Kur kryebashkiaku i Tiranës vendosi të konkurronte kundër Nanos për kreun e PS-së, për shumë nga socialistët ai u duk si një heretik bukëshkalë që po guxonte të sfidonte liderin historik. Fatos Nano ishte në fund të pushtetit të tij dhe siç ndosh rëndom në Shqipëri ai ishte vetëizoluar, vetëkënaqur e nga dëshira për të bërë të lumtur gruan e tij të re i kishte hapur të gjitha dyert e korrupsionit dhe kishte arritur të mblidhte rreth vetes vetëm servilë. E gjithë lukunia e tyre u hodh kundër birit plangprishës Rama. Një pjesë e anatemonte. Një pjesë tjetër e luftonte duke thënë se ai po e bënte këtë, jo për të mirën e PS-së, por për të tërhequr vëmendjen nga fitorja plot probleme dhe parregullsi kundër Spartak Ngjelës në Tiranë. Të gjithë bashkë e pengonin të mblidhte firmat e domosdoshme për kandidim.

Ben Blushi u bë i pari dhe i vetmi ministër (i pushtetit lokal) i Nanos, i cili i dha firmën për të kandiduar njeriut që donte të sfidonte kryeministrin e tij. Edhe sot 12 vite më pas, ky mbetet një akt i paprecedent në politikën shqiptare. Por Blushi pretendoi atëhere se ai po e bënte këtë në emër të po atyre vlerave për të cilat ai kishte hyrë në PS dhe të cilat Fatos Nano me mendjen e hapur dhe me liberalizmin e tij të theksuar ia kishte injektuar të majtës. Toleranca, pranimi i konkurrimit dhe pranimi i të ndryshmit, që e kishin bërë PS-në një parti modern, duhej të vazhdonin edhe pse Nano i kishte shkelmuar ato.

Në emër të të njejtave vlera, Rama konkurroi në Kongresin e 2003-shit, herë duke e lënë jashtë dyerve të konferencave zgjedhore, herë duke e tallur, e herë duke u betuar përpara sallave ku e pranonin se ai nuk ishte një axhami që i kishte marë koka erë. 

Ai humbi thellë në këtë Kongres, në të cilin paralajmëroi humbjen, por e përdori atë si një trampolinë për të marrë partinë dy vite më pas, kur Nano ishte larguar. Ndihma e Blushit në këtë fitore nuk ishte e vogël. Dhe pikërisht për këtë ai u “shpërblye” me postin e kreut të Grupit Parlamentar. Kjo qe padyshim koha më e mirë e debateve të PS-së në Parlament, në një kohë që Berisha ishte në apogjeun e tij.

E gjitha zgjati vetëm 3 vjet. Blushi vendosi të japë dorëheqjen pasi 6 deputetë të grupit që ai kryesonte, shkuan të votojnë Bamir Topin për President të Republikës. Qëndrimi i tij ishte në linjë llogjike me rregullat e PS-së së re. Grupi Parlamentar ishte shpërbërë dhe kryetari i tij nuk mund të qëndronte më. “Kush dështon largohet”, ky parim i politikës moderne po fillonte të zbatohej edhe tek trashëgimtarët e një partie me të shkuar diktatoriale.

Por kur Ramës i erdhi rasti të zbatonte të njëjtin parim, pasi humbi zgjedhjet parlamentare të verës 2009, ai insistoi tek prishja e rregullave. Ai e hodhi në kosh parimin që kishte vendosur vetë në statut “kryetari që humb zgjedhjet, largohet” dhe shpiku kauzën e vjedhjes së zgjedhjeve, hapjes së kutive dhe tradhëtisë së 60 mijë zemrave të majta nga Ilir Meta.

Blushi dhe Rama nisën dy rrugë të kundërta. I pari krijoi lëvizjen LMN për të kundërshtuar uzurpimin e partisë, që qe shndëruar në një “autobus ku nuk i flitet shoferit”. I dyti nisi një kongres fallco, ku kundërkandidatin e tij Maqo Lakrori, e shëtiste si dordolec nëpër Shqipëri, për ta paraqitur si një alternative reale. Ndarja këtë rradhë dukej pa kthim. Megjithëse LMN-ja tuboi mjaft njerëz në Tiranë dhe rrethe, megjithëse ajo zgjoi një interes të madh mediatik, sidomos në TV-të pro qeveritare, ajo e pati jetën të shkurtër. I pari Blushi e la përgjysëm në mes atë.  Trysnia me bojkot, mitingje dhe greva urie që shpiku Rama për të arsyetuar dështimin e tij elektoral e shpërqëndroi të gjithë skenën politike në vend. Ajo linte pak vend dhe hapsirë për të bërë opozitën e opozitës. Nga ana tjetër që nga Sali Berisha e deri tek ata që e ndoqën për një kohë lëvizjen e tij nga pas, kanë hedhur dyshime se ajo u ndërpre pas një pazari okult të Blushit me Ramën. 

Por pavarësisht kësaj tërheqje në heshtje, marrëdhënia mes dy miqve të dikurshëm politikë nuk u rekuperua kurrë. Megjithëse Rama e kurseu edhe pse dogji të gjithë LMN-istët e tjerë (Malaj, Islami, Bello, Harasani u largua vetë) ai as nuk e mendonte Blushin në organigramën e pushtetit të ardhshëm.

Në kundërshtim të hapur me traditën e vendosur nga Nano në PS, në kundërshtim me atë frymë prej së cilës kishte fituar dhe vetë për t’u ngritur në krye të partisë, Rama do të hiqte përfundimisht dorë nga bashkëjetesa me njerëzit që mendonin ndryshe, apo më keq akoma që guxonin ta kritikonin. Qeveria e re e pas 23 qershorit do të konceptohej me njerëz pa identitet dhe yes-men.

Për Blushin të gjitha këto qenë të qarta. Përpara se t’i bënte publike në shkrimin e tij të fundit, ku shpalli funeralin e Rilindjes, të njëjtat gjëra ai ia ka thënë Ramës edhe në sy, në publik, gjatë një darke disa orëshe në lokalin e Dash Pezës në Pezë. Atë darkë, në të fundit takim mes tyre, Blushi i ka thënë Ramës në sy se ai ka ndërtuar kabinetin më të dobët të 25 viteve, se nuk po bën reforma, se nuk ka vizion dhe po e çon vendin drejt katastrofës. Natyrisht kjo logjikë nuk i ka pëlqyer mikut të tij të dikurshëm, i cili i është përgjigjur me shifra dhe fakte se punët nuk janë ashtu sikurse i shihte Blushi. Të dy janë ndarë pa shtrënguar duart dhe me betimin e këtij të fundit, se ishte i gatshëm të urinonte mbi statujën e rreme që çdokush i ngrinte vetes. Por pak rëndësi ka…..

Përsëritja e këtyre tezave në publik duket se i ka ndarë përfundimisht këta dy ish miq që hynë në politikën e lartë të së majtës në fund të viteve ’90. Gjatë këtyre 18 muajve qeverisje të Ramës, Blushi nuk ka lënë pa e shigjetuar Kryeministrin, qoftë kur paraqiti programin e parë të Qeverisë, qoftë gjatë protestës së armëve kimike, qoftë për mungesën e zgjedhjeve në parti, qoftë për rastin e Tom Doshit dhe qoftë për përzgjedhjen e kandidaturave për kryebashkiakë. Ai është afishuar tashmë si një kundërshtar i hapur, i ashpër, sikurse ai di të jetë kur është jashtë loje, pretendojnë disa. Për të mbrojtur ato vlera që në PS po zhduken, por që dikur bënë të mundur karrierat e Blushit e mbi të gjitha edhe të vetë Ramës, thonë shumë të tjerë. Megjithëatë, pavarësisht nga motivet, beteja mes tyre ka shkuar aq larg, sa vështirë të bëjë më prapaktheu.

A.B.

SHKARKO APP