Krim shtetëror në Patos-Marinëz. A do të ketë arrestime në Fier?

 

Gazi shfryu frikshëm nga nëntoka. Duke shpërndarë llavë, baltë e gaz të zi, por mbi të gjitha panik dhe tmerr tek banorët,të cilët  prej vitesh e kanë ngritur zërin për tronditjet e shkaktuara nga shpërthimet e pakontrolluara të kompanisë “Bankers Petrolium” në zonën naftëmbajtëse të Patoz-Marinzës.Mesa duket, shteti nuk ka denjuar t’i dëgjojë aspak, pasi duhet të fshihen qindra milionë euro interesa në këtë rajon dhe dikush merr pjesën e tij. Vit pas viti, situata ka degraduar vazhdimisht, për të arritur deri në atë të krijuar dje kur shpërthimet e gazit natyror në Marinëz të Fierit i kanë detyruar banorët që jetojnë aty të braktisin shtëpitë e t’i nënshtrohen një paniku kolektiv. Tmerri i banorëve nuk ka mundur dot të vihet në kontroll as me deklaratat qetësuese të ministrit të Energjisë Gjiknuri, sipas të cilit, gazi i çliruar nuk na qenka helmues sepse nuk është çliruar nga hidrokarburet. Por a mund të jetë ky argumenti i duhur që vlen për të neutralizuar  situatën alarmante? Po sikur të çlirohej vërtet gaz helmues? Do të kishim të bënim vërtet me një krim ndaj 60 familjeve të evakuuara nga zona naftëmbajtëse, teksa pjesëtarët e tyre ia kanë besuar jetën shtetit të tyre dhe sigurisë që ai ofron në këmbim të dhënies së licencës ndaj kompanive të ndryshme për operacione kërkimi nafte e gazi.

Një krim i ushqyer prej shtetit, po të mendosh se është pikërisht ai që duhet të studiojë të gjitha kriteret e duhura në mënyrë që operacione të tilla të mos shkaktojnë kataklizma, e për më pak, viktima. Gjë e cila në rastin konkret, duket se nuk rezulton aspak bindëse, po t’i referohemi faktit se aktiviteti i kompanisë “Bankers Petroleum Albania” ishte urdhëruar të pezullohej që në 27 shkurt të këtij viti. Eshtë vetë Inpektoriati Mjedisor që e konfirmon këtë, duke argumentuar se ky vendim ishte ndërmarrë pikërisht pas një inspektimi të bërë në zonën e Patos-Marinzës, ku ekipi përkatës është përballur me një sërë shkeljesh. Të cilat  mund të lidhen edhe me aksidentin e djeshëm, ndotjen e mjedisit apo rrezikun e përmbytjes së zonës për shkak se të gjitha gropat ekologjike rezultuan të mos kishin më kapacitet depozitues. “Një nga çështjet kryesore për ndotjen e mjedisit është situata e gropave ekologjike, në të cilat janë depozituar mbetjet e shpimeve dhe prodhimit të naftës bruto, që përbëjnë një rrezikshmëri. Me urdhër të ministrit Lefter Koka i është kërkuar ‘Bankers Petroleum’ me qëllim parandalimin e aksidenteve të mundshme për ndotjen dhe potencialin në mjedis që kjo kompani duhet të zbatojë këto masa: 1. pezullimi i aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e një plani për menaxhimin e mbetjeve. 2. hartimi i planit të përputhshmërisë si dhe rishikimi i të gjitha kushteve të lejeve mjedisore që kompania zotëron”, ka cituar për mediat lidhur me një fakt të tillë, vetë kreu i Inpektoriatit Mjedisor, Ergys Agasi.

Urdhri i ministrisë së Mjedisit Lefter Koka për pezullimin e aktivitetit të kompanisë “Bankers Petroleum” i është vënë në dijeni edhe ministrisë së Energjisë, Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, kompanisë “Albpetrol” dhe prefekturës së Fierit. Fakte këto të cilat nuk mund të anashkalohen aspak, teksa gati një muaj pas nxjerrjes së një urdhri të tillë pezullimi, kompania në fjalë, jo vetëm që vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj, por të shkaktojë edhe incidente të përmasave gati fatale, si ai i djeshmi.

Kush e mban përgjegjësinë për një fakt të tillë? Kompania nga ana e saj duket se është “në rregull”, deri në momentin që strukturat e shtetit  i lënë dorë të lirë dhe nuk i nxjerrin asnjë pengesë, edhe pse inspektimet i konstatojnë shkelje. Mesa duket, përgjegjësia mbetet e vetë shtetit, i cili edhe pse në nivelet qendrore të tij mund të tregojë kujdes për respektimin e rregullave të ushtrimit të aktivitetit të një kompanie, diku në nivelet e poshtme të tij, ky fill ngatërrohet dhe pasojat më tej, rezultojnë shkatërruese. Pa mundur dot që të balancohen as me deklaratat e zyrtarëve të mjedisit, se kompanisë “Bankers  Petroleum”,  do t’i riaktivizohej leja e ushtrimit të aktiviteti vetëm pasi të përmbushte detyrimet e përcaktuara nga Inspektoriati dhe ministria e Mjedisit. Po përse një gjë e tillë nuk ndodhi dot dhe nuk u respektua? Duhej të ndodhte ndoshta shpërthimi i djeshëm, që shteti të kujtohej se “Bankers  Petroleum” paska probleme me ushtrimin e aktivitetit të saj dhe se duhet të nisë hartimin e planit të masave për trajtimin e mbetjeve që gjenerohen prej tij dhe të mos lejohet më depozitimi i këtyre mbetjeve në gropat ekologjike. Ndërkaq, e keqja ka ndodhur. Dhjetëra banorë janë evakuuar nga banesat e tyre. Teksa shijen e keqe të panikut shkaktuar nga shpërthimet, me siguri që po e përjetojnë ende. 

 Por lind një pyetje publike:Si ka mundësi që asnjë dje nuk është ndaluar nga prokuroria apo policia e qarkut përkatës, ndërkohë që ishte palicensë dhe mund të kishte viktima banorësh? Pse nuk ka guxuar njeri nga Shteti të hetojë apo penalizojë cilindo në këtë rast apo është kompani e huaj?! Kush fshihet pas kësaj kompanie e cila nuk respekton ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar?  Janë interesa të ndokujt lart në Qeveri apo në rang ministror?

 Shteti nuk duhet të veprojë me dy standarte; tek rasti “Doshi” mënjëherë në pranga , kurse në rastin e kompanisë së huaj e cila për pak sa nuk shkatërroi një zonë të tërë edhe me viktima heshtin?

Ligji duhet edhe mbi këta dhe mbi këdo. Në të kundërt ka standarte të dyfishta.

 

SHKARKO APP