Kronika nga fillimi deri në arrestimin e Tom Doshit

 

Që prej vendimit të Prokurorisë së Krimeve së Krimeve të Rënda për të arrestuar deputetët Tom Doshi e Mark Frroku, gjithçka rrodhi me shpejtësi. Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit vendosi të dëgjonte të hënën dy deputetët në mënyrë që t’ia përcillte pa vonesë raportin kuvendit për autorizimin e arrestimit. Po të hënën do të mbahej edhe një seancë e jashtëzakonshm parlamentare për këtë qëllim. Ky skenar u shty vetëm për arsye se Tom Doshi paraqiti një raport përmes të cilit vërtetonte se vuante nga luhatje tensioni dhe për këtë kërkoi që mbledhja e Komisionit të zhvillohej të mërkurën.

Të mërkurën e 25 marsit Tom Doshi u duk sikur e fitoi betejën me prokurorët në përballjen direkte në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit. Ai kishte paralajmëruar një ditë më parë se do të bënte publike një “provë rrënqethëse”. Para mediave ai u kërkoi prokurorëve ta pohonin publikisht ekzistencën e saj. Ishte një bisedë e tij me Durim Bamin, një takim i zhvilluar në burg, i regjistruar me urdhër të Gjykatës, ku sipas Doshit, Bami i kishte thënë se një polic i RENEA, i maskuar, i kishte shkuar në qeli dhe e kishte kërcënuar me familjen në mënyrë që të thoshte se versioni i Tom Doshit nuk qëndronte dhe ishte i sajuar.Një provë e tillë e ndryshoi rrjedhën e mbledhjes, por jo përfundimin e saj. Vendimi dukej se ishte marrë. Përkundër këmbënguljes së avokatëve mbrojtës të Doshit për paraqitjen e inçizimit para Komisionit, si provë që do të faktonte se klienti i tyre nuk kishte bërë kallëzim të rremë dhe se historia e tij qëndronte, prokurorët refuzuan. Ata u detyruan të pohojnë madje se nuk kishin ngritur ende akuza ndaj Doshit. Kërkesës për t’ia paraqitur provën kuvendit iu bashkua edhe opozita. Socialistët u shfaqën indiferentë ndaj këtij zhvillimi të ri, që mund të shpëtonte nga arrestimi dy deputetët. Por me zell punuan deri pas mesnate për të përpiluar raportin për kuvendin, përmes të cilit shprehnin dakordësinë për arrestimin, ndonëse sipas rregullores kishin 4 javë kohë në dispozicion.

Raporti i tyre u fut i pari në rendin e ditës në seancën e një dite më pas. Në seancë ishte përgatitur gjithçka. Ilir Meta kishte vendosur të qëndronte në sallë dhe jo në drejtimin e saj, detyrë që e mori Vangjel Dule. Ai e etiketoi Doshin si keqbërës si për të diktuar nevojën e vënies së tij në pranga sa më shpejt.

Dhe ashtu ndodhi. Pak minuta pas mesditës kuvendi votoi me 80 vota, pa opozitën, pro autorizimit të arrestimit të Tom Doshit e Mark Frrokut. Ishte ora 12.45 minuta. Gjysmë ore më vonë, postieri i kuvendit, me procesverbalin e votimit në dorë, mbërriti në derën e Prokurorisë së Përgjithshme. Pas 20 minutash shkresa zyrtare e protokolluar në Prokurori mbërrin në zyrën e kryeprokurorit Adriatik Llalla që po e priste atë në zyrë. Ai thërret në mbledhje kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnan Xholin që ka drejtuar hetimet Altin Binajn, që ka punuar në këtë dosje për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme dhe  prokurorët e tjerë të grupit hetimor. Do ta hedhë vetë firmën për arrestimin me udhër –ndalim.

Avokatët mbrojtës e kishin paralajmëruar prokurorinë se duhej t’i drejtohej Gjykatës së Lartë për të caktuar masën e sigurisë. Por Adriatik Llalla e kishte marrë vendimin. Arrestimi i Tom Doshit, që e kishte përfshirë vetë atë në këtë histori dhe i Mark Frrokut, do të bëhej me vendim të tij dhe jo të gjykatës.

Kur shkresa del nga zyra e tij për të mbërritur në polici, ai i drejtohet shtëpisë, në orën 14.30.

Dy orë më vonë do të ketë parë livë nga ekranet e disa televizioneve se si skuadrat e Policisë së Tiranës u mbërritën në kompleksin ku gjendej Mark Frroku, që u arrestua i pari dhe shtëpinë së Tom Doshit pranë Profarmës.

Lajmi mori dhenë po me shpejtësinë që u ekzekutua kërkesa e prokurorisë arrestimin. Ai u pasqyrua edhe në media prestigjioze botërore, ndonëse me pak rreshta dhe me titullin: Dy deputetë shqiptarë arrestohen për kallëzim të rremë për vrasje. 

SHKARKO APP