Kthimi i ligjeve, po gabon Nishani apo mazhoranca?

Presidenti Bujar Nishani ktheu sot në Kuvend ligjin për Arsimin e Lartë. I cilësuar nga mazhoranca si një nga reformat kryesore në sistemin universitar, ligji ka marrë 6 vërejtje thelbësore nga Kreu i Shtetit. Për këtë qëllim, Presidenti i ka kërkuar Kuvendit rishikimin e ligjit. Gjasat janë që ligji të kalojë i paprekur në Komisionet e Parlamentit dhe mazhoranca PS-LSI t’ja dërgojë edhe një herë kreut të shtetit në formën aktuale. Pas kësaj, reforma do të hyj në fuqi me apo pa pëlqimin e kreut të shtetit. Kushtetuta i jep Kreut të shtetit vetëm një herë të drejtën për të kthyer një ligj.

Pavarësisht trukteve ligjore, vendimi i kreut të shtetit është një gjest mosaprovimi ndaj mazhorancës. Ligji në fjalë është ndër më të kundërshtuarit nga universitetet shtetërore dhe së fundi dhe nga opozita. Argumentet e Nishanit janë pasqyrim edhe i shqetësimeve që kanë shprehur prej më shumë se një viti gjithë akademikët dhe profesorët e universiteteve shtetërore. Megjithë nevojën e domosodshme për reformë në arsim dhe qëllimit të mazhorancës për të hyrë me dorë të fortë në këtë sektor, ligji ka jo pak probleme teknike. Ndaj kreu i shtetit, edhe pse me vendimin e sotëm ka shkaktuar jo pak dhimbje koke brenda mazhorancës, ka zgjedhur të jetë strikt me Kushtetutën dhe tu jap të drejtë akademikëve dhe studentëve.

Por vendimi i kreut të shtetit vlen të shihet në gjithë serinë e vendimeve që janë marrë nga institucioni i Presidentit. Që nga viti 2013, Presidenti Nishani ka kthyer gati numrin më të madh të ligjeve të ndërmarra nga mazhoranca. Një javë më parë u kthye ligji për “Huamarrje shtetërore”. Ndërsa prej dy vitesh mund të flitet për një konflikt të hapur Presidencë-Mazhorancë. Konflikt nisi me heqjen e fotos së kreut të shtetit, me urdhër të Kryeministrit, nga të gjitha institucionet zyrtare.  Vijoi më pas me heqjen e kompetencave të Presidentit për Forcat e Armatosura dhe një sërë ligjesh të tjera dhe që vijoi së fundi deri më vendime aspak normale për institucionet, siç ishte heqja e të drejtës së Presidentit për të pushuar në rezidencat qeveritare. Të gjitha këto përplasje kanë sjellë që mes dy institucioneve të mos ketë as etikë në komunikim. Por pavarësisht debateve për foton, ftesave të munguara në aktivitete rajonale të Presidentit dhe dublim të tij nga Ministria e Jashtme, sherri Presidencë-Mazhorancë duhet të vlerësohet vetëm nga respektimi i ligjit.

Kreu i shtetit është institucion dhe jo thjeshtë individ. Është institucioni që garanton ruajtjen e Kushtetutës nga orekset politike të mazhorancave që miratojnë ligjit. Nismat ligjore të PS dhe LSI pretendojnë se janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, Presidenti i ka rrëzuar si të papajtueshme me Kushtetutën. Thënë ndryshe, sipas Presidenti, mazhoranca në dy vite ka shkelur të paktën mbi 10 herë Kushtetutën ndërsa për PS dhe LSI Presidenti ndikohet nga qëndrimet e PD. Edhe nëse vendimet e Presidentit janë ndikuar, siç pretendon mazhoranca, nga e kaluara e tij politike në Partinë demokratike, kthimi i kaq shumë ligjeve shkon përtej ngjyrimeve partiake. Kemi një shumicë politike që miraton ligje dhe një President që i kthen ato si atentate ndaj kushtetutës. Të dy palët pretendojnë se kanë të drejtë, por kur flitet për ligje e drejta është vetëm një.

Debati për ta akuzuar Presidentin politikisht apo mazhorancën si një grusht votash partiake nuk i shërben asnjërës palë. Mes dy institucioneve ka një krizë të thellë që i bën reformat e PS dhe LSI të njëanshme. Ligji i kthyer sot do miratohet sërish nga dy partitë. Madje me arrogancë mund të kalojë në mënyrë të përshpejtuar në Kuvend. Por kjo nuk e zgjidh problemin. PS dhe LSI i kanë votat, por në këto reforma s’kanë konsensusin e grupeve të interesit dhe as të institucionit kryesor të shtetit që është Presidenca. Ndaj këto reforma do të jenë të “suksesshme” për aq kohë sa do të qeverisë kjo mazhorancës dhe nuk do të jenë të pranueshme më pas.

Mazhoranca nuk mund të ketë me vete në reformat e saj opozitën dhe tashmë duket se është lodhur duke i kërkuar konsensus seli blu. Por nëse me PD nuk ka paqe, me Presidentin si institucion minimalisht duhet të ketë dialog. Kur ligjet nuk i pranon PD-ja, kjo është brenda logjikës politikë. Por kur kreu i shtetit kthen shumicën e ligjeve, mazhoranca duhet të shoh edhe brenda vetes. Ashtu sikurse dhe presidenti jo çdo nismë ligjore duhet ta gjykojë edhe për shkak të sulmeve personale që i janë bërë nga mazhoranca prej dy vitesh. 

SHKARKO APP