Kulla e sahatit, simbol i Elbasanit

Në qendër të qytetit të Elbasanit, mbi muret e kalasë, ngrihet një objekt më shumë se një shekullor që fton çdo kalimtar të njihesh me matjen e kohës. Ky objekt, i njohur ndryshe si Kulla e Sahatit, është bërë pikë referimi për takime të ndryshme, qoftë për të rinjtë, turistët, apo vetë qytetarët e Elbasanit. Përgjatë viteve, shumë gjëra kanë ndryshuar në qytet – infrastruktura, ndërtesat, si xhamia e Ballijes apo pazaret përballë saj, të cilat nuk ekzistojnë më. Megjithatë, Kulla e Sahatit mbetet aty, si një dëshmitare e lashtë e historisë së qytetit.

Në formën e saj të hershme, kjo kullë qytetare nuk njihet mirë. Në të njëjtin vend janë ndërtuar tre sahate të ndryshme, njëri prej tyre me strukturë druri dhe i fundit, që njohim sot, është ngritur me mirësinë e banorëve të qytetit në vitin 1899, siç tregon edhe mbishkrimi mbi të.

Kulla e Sahatit është një element karakteristik për qytetet shqiptare, duke filluar që nga mesi i shekullit të XVI. Historiani Kreshnik Belegu, thekson se “përgjatë shekullit të XVII, pothuajse të gjitha qendrat qytetare si Prizreni, Berati, Shkodra, Prishtina, Peja, Kruja dhe Elbasani ishin pajisur me kulla sahati”.
Këto objekte u sollën nga tregtarët vendas që kishin kontakte të shpeshta me vendet evropiane, të cilat sollën mekanizmat kohëmatës dhe ndërtuan kulla të posaçme në sheshet e pazareve, duke i bërë ato element mbizotërues të siluetës së qytetit.

Në Elbasan, vendi i përzgjedhur për ndërtimin e kullës ishte kulla e hyrjes së kalasë pranë xhamisë së Fatiut, të cilën Evlija Çelebiu e përshkruante si shumë të bukur dhe funksionale.

Historiku i Ndërtimit të Kullës

Kulla ngrihet në lartësinë me tre kate funksionale, me planimetri katrore (4.3 x 4.3 metra). Në ballin e qytetit ndodhet porta e hyrjes, mbi harkun e së cilës është shkruar historiku i ndërtimit të saj.

Teksti i mbishkrimit është: “Mbreti i botës Abdylhamiti bujar/ nën hijen e hirit të tij u ngrit sahati i hijshëm/ burrat me sedër të Elbasanit patën mirësinë/ dhe ngjallën këtë kohëtregues të bukur dhe zemërledhatues/ shumë u përpoq, u interesua dhe u kujdesua Aqif beu/ Zoti i dhashtë si shpërblim gjithë të mirat e kësaj bote/ kur tingëllon, me zërin e tij njofton për bukuri kohën e saktë/ në mënyrë të përsosur nga të katër anët tregon minutat/ meqë zotëron intuitën e vjershëtorit tuaj/ Refit vitin e ndërtimit të tij/ e ndërtuan në fillim të vitit njëmijë e treqind e pesëmbëdhjetë.” (viti 1315 që i takon vitit 1899).

Artistikisht, Kulla e Sahatit të Elbasanit është një gjetje origjinale në proporcionet dhe trajtimin dekorativ të strukturave të jashtme.
Ajo vazhdon të mbetet një simbol i qytetit, duke kujtuar historinë dhe traditën e Elbasanit për çdo kalimtar dhe vizitor. Miranda Sadiku

SHKARKO APP