Martin Shkreli në 2015, si “Sudja” dhe “Kamberi” në 1997?

 

 

Shqiptarët e dinë mirë se sa shkatërruese mund të jenë skemat piramidale. Fonde që mbledhin para, por që kanë investime fantazmë, ata që investojnë para të parët marrin përqindje “fitimi” që në fakt vijnë nga paratë që fusin investitorët e mëvonshëm. Kur nuk afrohet më njeri, skema rrëzohet. Sa më shpejt të jesh futur në skemë aq më shumë ke shans të kesh marrë para mbrapsht. Ata që futen të fundit janë më të humburit.

Një emër tjetër për ‘to, është “skemat Ponci”, nga famëkeqi Charles Ponzi që e përdorte këtë formë mashtrimi në vitet 1920 në SHBA. Tani sipas akuzave të prokurorit amerikan Robert Capers, këtë metodë ka përdorur edhe bosi i shumëpërfolur i farmaceutikës Martin Shkreli. I njohur edhe si “shqiptari më i urryer në internet”, Shkreli është kthyer në një simbol të grykësisë së firmave të barnave në SHBA.

32-vjeçari e mori “Daraprimin”, një barnë që është jetike për shumë pacientë të një seri sëmundjesh dhe ia çoi çmimin “brenda natës” nga 13.50 dollarë në 750 dollarë për një kokërr të vetme. Pas stuhisë në media, doli dhe tha se do t’ia ulë çmimin. Pastaj doli dhe tha se duhej t’ia kishte ngritur edhe më shumë. Arrestimi nuk ka të bëjë me rritjen e paturpshme të një çmimi që godet njerëz në prag të vdekjes, por nuk ka dyshim se sjellja mospërfillëse ndaj ndjenjave të njerëzve ka nxitur më shumë hetuesit dhe sigurisht arrestimi ka fituar duartrokitje të mëdha. Një humor i ditës në revistën “New Yorker” thotë se, sapo mori vesh për arrestimin, avokati i Shkrelit ia ngriti çmimin “brenda ditës” nga 13,50 dollarë në 750 dollarë në minutë.

Sipas akuzës, ai ka marrë në mënyrë të paligjshme stoqe të firmës “Retrophin” për të paguar borxhe nga biznese që nuk kanë lidhje me këtë firmë. “Si akuzohet në padinë e ngritur, Shkreli praktikisht i drejtonte kompanitë e tij si të ishin skema “Ponci”, ku kompania e radhës përdorej për të paguar borxhet e investitorëve të mashtruar të kompanive të mëparshme”, tha për median prokurori Robert Capers. Rrallë ndonjë njeri është urryer kaq shumë në internet. Kjo nuk vjen vetëm nga kërcimi skandaloz i çmimit të barnave sesa nga sjellja e tij arrogante dhe e pacipë në publik. Një e keqe që ka ardhur bashkë me ‘të është edhe shpërdorimi i origjinës shqiptare. Ndonëse multimilioner ai nuk njihet për donacione e ndihma në komunitetin shqiptar. Nga ana tjetër, duke u vetëshpallur “shqiptari më i suksesshëm në botë”, ai ka përbaltur emrin e shqiptarëve. Duke dashur të fitojë simpatinë e këngëtarëve të muzikës rep, ka paraqitur shqiptarët si një tribu që vrasin këdo për të mbrojtur njëri-tjetrin. Nuk është asgjë më shumë sesa një lloj keqinterpretimi i traditave shqiptare, të cilat mund të tingëllojnë zbavitëse në rrethana të caktuara shoqërore, por që janë të papranueshme dhe disi psikopatike në kuadrin e intervistave me medien. Shkreli mbase kujton se, shqiptarët do të rrëmbejnë armët për të mbrojtur mashtrimet e tij në biznes. Në fakt, po të dinte mjaftueshëm shqip për të ndjekur rrjetet sociale do të kuptonte se shqiptarët e kanë zakon të lavdërohen me figura si Ferid Muradi dhe Nënë Tereza dhe se kanë dënuar masivisht grykësinë e tij për t’u pasuruar në kurriz të sistemit amerikan.

 

Në fund, vetëm gjykata mund të vendosë nëse Shkreli ka kryer ose jo ndonjë krim me veprimtarinë e tij financiare. Po ndërkohë, gjykata e opinionit publik nuk ka ndonjë dyshim për të. Piramida apo jo, bizneset dhe sjellja e tij në publik e kanë dënimin me kohë. “Illyria”. Ruben Avxhiu/

SHKARKO APP