Minoriteti, Totozani: Ligj i ri dhe census me të dhëna të pakontestueshme

“Të realizohet  një census i pakontestuar dhe i gjithëpranuar nga minoritetet , që të jap shifrat reale të popullsisë minoritare, dhe komuniteteve të tjera”. Kështu deklaroi Avokati i Popullit, Igli Totozani, në një auditorium për gjendjen e të drejtave të minoriteteve të mbajtur në Gjirokastër.

Totozani saktësoi se pavarësisht proceseve të regjistrimit të popullsisë të ndërmarra nga ana e shtetit, (përfshirë këtu censusin e vitit 2011), gjendemi para faktit të një debati mes deklarimit zyrtar të shifrave të popullsisë minoritare në vend dhe nga ana tjetër të mospranimit dhe kontestimit të tyre nga ana e vet minoriteteve.

Ky moment konstaton mungesën e të dhënave të sakta statistikore mbi popullsinë minoritare, të dhëna këto që të jenë të pranueshme nga të gjitha palët”, u shpreh Avokati i Popullit në këtë takim. Si prioritet u konsiderua edhe përmirësimi i kuadrit ligjor për minoritetet.

Avokati i Popullit paraqiti nevojën e miratimit të një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”. Një gjë e tillë aktualisht mungon.

Po kështu Totozani tha se është i nevojshëm, fillimi dhe përfundimi i procesit për ratifikimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale, ose Minoritare, si dhe hartimi i një ligji të ri kundër diskriminimit. Ai vlerësoi si prioritet mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, duke i konsideruar ato  si një pasuri kombëtare e çmueshme për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit. Por pavarësisht hapave pozitivë për një bazë normative sa më afirmuese mbi të drejtat e minoriteteve, Totozani  theksoi  se ndjehet nevoja e përmirësimit të këtij legjislacioni, pasi vërehen mangësi.

Pas inspektimeve dhe mbedhjes së fakteve në terren, institucioni i Avokatit të Popullit ka përgatitur edhe një raport të detajuar mbi situatën reale të  minoriteteve, dokument ky që është dorëzuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Raporti konstaton se perceptimi i përgjithshëm që ekziston tek minoritetet dhe komunitetet e tjera është se, barazia formale ekziston por ka elementë të jetës së përditëshme të cilat identifikojnë mungesën e barazisë thelbësore.

Sa i takon masave që duhet të marrë shteti për ruajtjen e identitetit të minoritetit, si zhvillimin e kulturës, besimit fetar, gjuhës, traditave dhe trashëgimisë kulturore),konstatohet se janë marrë përgjithësisht masa, por ato konsiderohen ende të pamjaftueshme nga ana e minoriteteve.

Në raport thuhet se përsa i takon njohurive në tekstet shkollore shtetërore mbi minoritetet në vend, konstatohet se, përfshirja është e pakët dhe e pamjaftueshme dhe se, jo të gjithë fëmijët minoritarë marrin mësime në sistemin shtetëror arsimor, në gjuhën e tyre amtare.

Shkollat me sistem dygjuhësh ekzistojnë, por jo për të gjithë minoritetet dhe ato janë të nivelit nëntëvjeçar. Në raportin e Avokatit të Popullit konfirmohet problematika ende e pazgjidhur e shfrytëzimit të fëmijëve të këtij minoriteti për punë, ndjekja e procesit arsimor, si dhe rastet e trafikimit të tyre.

Nisur nga kjo situatë Avokati i Popullit bëri disa rekomandime mes të cilave edhe: Krijimin e kushteve për rritjen e mirëqënies në zonat ku banojnë minoritetet dhe komunitetet e tjera, përfshirë këtu edhe financimin me një buxhet më adekuat për njësitë e qeverisjes vendore, ku ka komunitete minoritare dhe komunitete të tjera në një masë dalluese me pjesën tjetër të popullsisë mazhoritare.

E rëndësishme konsiderohet edhe marrja e masave konkrete ligjore dhe administrative për përmirësimin e aksesit në strehim, shërbimet e arsimit, shërbimet sociale dhe pjesëmarrjen në jetën publike veçanërisht të minoritetit Rom, por edhe të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në vend. Integrimin real të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në jetën e përditëshme, veçanërisht në strukturat qeverisëse në nivel vendor, apo qëndror.

SHKARKO APP