Naço: Presidenti, të mos jetë më kryetar i KLD-së

Presidenti i Republikës, nuk duhet që të jetë më kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky është vetëm njëri nga propozimet që ministria e Drejtësisë, paraqet në kuadrin e realizimit të reformës në drejtësi. Të përmbledhura në një dokument të posaçëm analitik, këto propozime dhe ndryshime deri në nivelin e Kushtetutës së vendit, parashikojnë para së gjithash orientimet se si duhet që të realizohet reforma në fjalë. Konkretisht, tek pjesa e ndryshimeve kushtetuese, ministria e Drejtësisë propozon dhe reduktim të kompetencave të kreut të shtetit në krye të qeverisjes së gjyqësorit. "Amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera. Përshembull, qenia kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarsisht faktit se nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimine  prokurorëve, edhe pse Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një president joqeverisës dhe një gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Presidenti i Republikes?" – shkruhet në dokumentin analitik, të paraqitur nga ministri Nasip Naço për deputetët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Duke shtuar mes të tjerash edhe se një domosdoshmëri, është ndryshimi i formulës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duke e rikthyer atë në variantin e para vitit 2008, me shumicë të cilësuar në të pestë raundet ose me votë nga populli. "Amendamentet e prillit 2008 duhet të rishikohen  me qëllim që të korrigjohen efektet e pamenduara anëtarësore që krijuan ndryshimet në formulën e zgjedhjes së presidentitdhe në mekanizmin e votëbesimit të qeverisë", – thuhet gjithashtu në këtë dokument analitik. Edhe sa i përket zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, ministria e Drejtësisë propozon që kjo të bëhet me shumicë të cilësuar dhe konkretisht, duke ndërhyrë në Kushtetutë. Për të pohuar në këtë mënyrë faktin se paraqitet nevoja e ndërhyrjes dhe e realizimit të ndryshimeve të caktuara në dokumentin themeltar të shtetit për të rregulluar disa nga kompetencat e Parlamentit mbi institucionet e tjera. "Nga praktika institucionale janë vërejtur disa kriza sistematike në raportet e Parlamentit me Prokurorin e përgjithshëm, në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, vështirësitë e përsëritura në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, paqartësitë në lidhje me të drejtën e  parlamentit për të ushtruar kontroll përmes komisioneve hetimore dhe kufijtë e natyrshëm të kësaj veprimtarie", – vijon dokumenti analitik i firmosur nga ministri i Drejtësisë. Sipas analizës së Naços, Kushtetuta aktuale nuk ka mundur të frenojë  keqpërdorimin e pushtetit nga maxhorancat. Ndërkohë që e tërë reforma në drejtësi sipas tij duhet të mbështetet mbi gjashtë shtylla kryesore: reformimi i Kushtetutës, KLD-së, prokurorisë, arsimit juridik, organizimin e gjyqësorit dhe profesionet e lira.

 

 

LISTA

 

Shtyllat kyçe ku duhet

që të bazohet reforma:

 

1.   Kushtetuta

2.   KLD-ja

3.   Prokuroria

4.   Arsimi juridik

5.   Sistemi gjyqësor

6.   Profesionet e lira

 

 

QËNDRIMI

"Amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera. Përshembull, qenia kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarsisht faktit se nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimine  prokurorëve, edhe pse Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një president joqeverisës dhe një gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Presidenti i Republikës?"

SHKARKO APP