Nën përgjimin e NSA edhe krerët e shtetit shqiptar

 

Shërbimet inteligjente franceze kishin informacion për sulmet që ndodhën në 13 nëntor në Paris. I këtij mendimi është William Binney, një ish zyrtar i lartë i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e njohur si NSA. Binney është i pari ish punonjës i NSA-së që iu kundërvu kësaj agjencie dhe politikave të saj të përgjimit duke e akuzuar se po shkelte hapur kushtetutën amerikane, gati 12 vjet përpara se ish kontraktori i NSA-së Eduard Snowden të publikonte në mbarë botën dokumentet e klasifikuar të NSA-së. Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Erjona Rusi, Binney, thotë se agjencitë e inteligjencës i kanë informacionet, por nuk arrijnë të parandalojnë sulme të tilla për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të të dhënave që njihen si metadata.

“Mendoj se ata kishin informacion. Shihni cfarë ndodhi pas sulmeve, sa njerëz u arrestuan, apo kërkimet që u bënë. Pra ata kishin informacion për të vazhduar. Informacioni ishte aty në atë sasi gjigante metadata-sh që kanë mbledhur. I gjithë informacioni është aty por është e vështirë të parandalosh atë që do të ndodhë sepse ka shumë metadata për të kontrolluar ndaj analistët nuk arrijnë të fokusohen dhe të shohin atë që përbën vërtet kërcënim”, – shprehet ai.

Metadata është informacioni që ne gjenerojmë kur përdorim teknologjinë për të komunikuar si përshembull data dhe koha kur telefonojmë dikë, ose vendi nga ku kemi hapur herën e fundit adresën e e-mailit. Pra metadata është informacioni se kë telefononi, sa zgjat telefonata, dhe sa shpesh. E njëjta gjë vlen edhe për komunikimin online. Këto të dhëna nuk përmbajnë detaje specifike, si ajo çfarë kemi shkruar në e=mail apo biseda që kemi bërë në telefon, por ka të bëjë më shumë me informacionin rreth përdoruesit, pajisjes dhe aktivitetit që kryhet.

(William Binney, ish zyrtar i lartë i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në SHBA)

Pra grupi që kreu sulmet në Paris përgjohej?
“Mesa di unë terroristët përdornin median sociale, dhe media sociale është nën mbikëqyrje. Të dhënat janë aty. Një prej agjencive inteligjente të “5 Sytë” apo vendeve që marrin pjesë në këtë mbledhje të dhënash, kanë akses tek këto informacione përmes programeve si XKeyscore, apo programeve të tjera që përdorin”, – thote Binney.

XKeyscore është një prej 5 programeve top-sekret të përgjimit që përdor NSA. Kur Eduard Snowden tregoi pushtetin e jashtëzakonshëm që kishte si i kontraktuar nga NSA, ai i referohej pikërisht programit XKeyscore që i jep mundësinë analistëve të kërkojnë lehtësisht përmes pafundësisë së të dhënave që agjencia mbledh dhe magazinon çdo ditë.  Me anë të këtij program, një analist i NSA-së mundet që të shkruajë adresën e e-mailit apo adresën IP të personit që është objektiv i përgjimit dhe menjëherë ka akses në e-mailet e tij, historikun e kërkimeve që ka bërë në internet, websitet që ka vizituar, e madje edhe bisedat në Facebook, pra e thënë me pak fjalë çdo gjë që një përdorues bën në internet.

(Organizata “5 Sytë”)

Binney beson se NSA kishte informacionet dhe kapacitetet për të ndaluar sulmet e 11 shtatorit 2001 por dështuan. Ndaj sipas tij as Franca nuk do rrisë aftësitë e saj parandaluese me ligje që rrisin nivelin e përgjimit. Në maj të këtij viti,  disa muaj pas sulmit në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo parlamenti francez miratoi një ligj të ri që i lejon agjencitë e inteligjencës të përgjojnë telefonatat dhe e-mailet edhe pa lejen e gjykatës.

“Përgjimi i bën të gjithë më të cenueshëm. Sepse nëse mbledh kaq shumë të dhëna ndërsa kërkon të hetosh për kërcënime specifike, spektri i informacioneve është aq i gjerë saqë nuk mund të kesh sukses në asgjë. Dhe kjo është ajo që ka ndodhur deri më tani. Ata kanë dështuar vazhdimisht që përpara 11 shtatorit , kur kishin shumë të dhëna dhe nuk arritën të bëjnë një punë profesionale dhe të fokusuar, ndaj dhe dështuan”, – thekson ai.

Binney thotë se NSA ka ndërtuar një sistem gjigant për të gjurmuar, monitoruar dhe regjistruar çdo komunikim telefonik apo elektronik të çdo qytetari amerikan apo çdo njeriu në botë. I pyetur ndërkaq nëse NSA ka përgjuar edhe liderët e Shqipërisë, William Binney përgjigjet:

Të gjithë liderët e cdo vendi të botës janë objektiv i përgjimeve. Të gjithë e dinë, edhe shërbimet e tyre inteligjente e dinë. Nëse je lideri i një vendi, s’ka rëndësi i madh apo i vogël, ata duan të dinë se cfarë mendon.

Informacionet që mblidhen nga metadata-t mund të përdoren për të krijuar një profil të detajuar mbi jetën e një individi, duke kuptuar cilat janë interesat, shijet, kë frekuenton e shumë informacione të tjera. Edhe nga ana teknologjike është shumë më e lehtë të kërkosh mes morisë së metadata-ve se sa të dëgjosh bisedat telefonike të miliona njerëzve. Ekspertët thonë se nëse ka mjaftueshëm metadata, përmbajtja e komunikimit nuk është aspak i nevojshëm. Por sasia e të dhënave është jashtëzakonisht e madhe, madje e pallogaritshme ndaj është e vështirë të kontrollohen. Në 2010-ën e përditshmja Washington Post raportoi se cdo ditë sistemet e mbledhjes së të dhënave në NSA përgjojnë dhe magazinojnë 1,7 miliard e-maile, telefonata dhe lloje të tjera komunikimi.

Po përse bëhet kjo atëherë?
Për para, e gjitha bëhet për para. Duhen shumë para për këtë. Mbi 100 miliard dollarë shpenzohen cdo vit në SHBA për shërbimet inteligjente. Dhe nëse “angazhohesh që do të mbledhësh të gjithë informacionin që kalon përreth atëherë sasia e të dhënave rritet vit pas viti, e ne këtë mënyrë rritet edhe buxheti. Por në të njëjtën kohë rritet sasia e të dhënave që duhen analizuar, cka do të thotë dështim i plotë. Dhe ata do të vazhdojnë të dështojnë dhe për këtë arsye njerëzit vdesin”, – thote ish-zyrtari i NSA-se.

Binney thotë se kapacitetet e shërbimeve inteligjente perëndimore mund ta kontrollojnë ISIS, duhet vetëm që të bëhet një mbledhje të dhënash në mënyrë më të filtruar, e jo duke përgjuar të gjithë njerëzit. Në një debat mbi veprimtarinë e NSA-së maj të vitit të kaluar, ish drejtori i vetë agjencisë dhe i CIA-s Michael Hayden pranoi se metadatat përdoren edhe për të vrarë njerëz. Edhe në dokumentet e Snowden, thuhet se  NSA analizon metadatat për të përcaktuar objektivat që do të goditen pa futur punonjës që të konfirmojnë identitetin e personit të dyshuar, cka ka rezultuar shpesh në vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

“Kjo është pjesë e asaj që gjenerali Heiden ka thënë kur fliste për sulmet me dron. Ne përdorim metadata për të vrarë njerëz. Metadata sigurohet përmes marrjes së informacionit në rrjet, nëpërmjet sateliteve apo çdo mjeti komunikimi. Pra a mund t’ia dalim? Natyrisht që po. Nëse i sheh të dhënat me një disiplinë të fokusuar atëherë mund të shohësh edhe planifikimin e sulmeve të tilla dhe të arrish të parashikosh në kohë se çfarë do të bëjnë njerëzit, kërcënimet e mundshme duke patur mundësinë për të ndërhyrë dhe për ti ndaluar”, – tregon Binney.

Në vitin 2002, shumë përpara se të dilnin në mediat e mbarë botës informacionet e klasifikuara të Edëard Snowden, Binney dhe disa kolegë të tij shkuan në Kongresin amerikan dhe Departamentin e Mbrojtjes duke kërkuar hetim të NSA-së. Sipas tyre, jo vetëm që agjencia super e fshehtë po harxhonte dollarët e taksapaguesve me programe jo efektive por, po shkelte edhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve për privatësi. Qeveria amerikane jo vetëm që bëri një sy qorr ndaj aktivitetit të agjencisë por më pas akuzoi Binney dhe ish kolegët e tij për nxjerrje të sekretit shtetëror.

Pak më vonë FBI nisi një hetim federal ndaj Binney duke i sekuestruar shtëpinë, kompjuterët e madje duke i shkatërruar edhe biznesin e tij të konsulencës. Binney beson se NSA është jetësore për sigurinë kombëtare të SHBA-ve por agjencia po përdor programet e krijuara për të parandaluar sulmet terroriste për të përgjuar qytetarët amerikanë apo të gjithë njerëzit nëpër botë. Binney dha dorëheqjen nga NSA në vitin 2001 por intervistën e parë e dha në 2012-ën, dhe sot ai e pranon se strategjia e Snowden, për ti publikuar materialet direkt e në media ishte më efikase.

Informacionet që mblidhen nga metadata-t mund të përdoren për të krijuar një profil të detajuar mbi jetën e një individi, duke kuptuar cilat janë interesat, shijet, kë frekuenton e shumë informacione të tjera. Edhe nga ana teknologjike është shumë më e lehtë të kërkosh mes morisë së metadata-ve se sa të dëgjosh bisedat telefonike të miliona njerëzve. Ekspertët thonë se nëse ka mjaftueshëm metadata, përmbajtja e komunikimit nuk është aspak I nevojshëm. Por sasia e të dhënave është jashtëzakonisht e madhe, madje e pallogaritshme ndaj është e vështirë të kontrollohen. Në 2010-ën e përditshmja Washington Post raportoi se cdo ditë sistemet e mbledhjes së të dhënave në NSA përgjojnë dhe magazinojnë 1,7 miliard emaile, telefonata dhe lloje të tjera komunikimi./Shqiptarja.com

SHKARKO APP