Nënshkruhet pakti për luftën ndaj shfrytëzimit të fëmijëve në rrugë, Klosi: T’i largojmë nga rruga dhe t’i sjellim pranë mësimit

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit lidhën sot Paktin për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge nga puna dhe shfrytëzimi. Pakti u nënshkrua nga ministri i MSR-së, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj dhe zëvendësministri i Brendshëm Ilir Mustafaraj. Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Qendrën EDEN në zonën e Kamzës, ministri Klosi e vlerësoi nënshkrimin e këtij pakti si një moment shumë të rëndësishëm të angazhimit të shtetit shqiptar, në kuadër të një fushate mbarë botërore tashmë, e cila po gjen zbatim e saj edhe në Shqipëri dhe që ka në qendër të saj luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe nxitjen e tyre për tu arsimuar. “Jo se Shqipëria s’ka pasur të tilla probleme, jo se Shqipëria nuk i ka evidentuar këto probleme, por ka ardhur koha që ne të shprehim edhe vullnetin qeveritar në mbështetje të largimit të fëmijëve nga rruga”, – u shpreh ministri Blendi Klosi.

Më tej ai e konsideroi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionet publike dhe shoqërinë civile, duke evidentuar rolin që ka në këtë proces Ministria e Brendshme në identifikimin e rasteve dhe Ministria e Arsimit të përkujdesjen nëpërmjet arsimit të këtij kontingjenti fëmijësh, për ti ofruar një jetë më të sigurt nesër. “Projektit është që ne të kemi mundësi që sa më shumë fëmijë ti largojmë nga rruga dhe ti sjellim pranë mësimit. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që duke i larguar fëmijët nga rruga, vetëm shkolla është ajo që mund ti kualifikoi. Është e vështirë që të shkoi në shkollë afatgjatë, është e vështirë që ta kuptojnë se arsimi është një zgjidhje në jetën e tyre. Por ne duhet të përpiqemi, ne duhet të kërkojmë shumë nga mbështetësit tanë, ne duhet të kërkojmë shumë që këta fëmijë ti kthehen kurseve të kualifikimit, sepse vetëm një arsim i kualifikuar mund ti bëj ata të gatshëm nesër për tregun e punës, dhe sot për një edukim më të mirë për ta”, – tha z.Klosi.

 

Gjithashtu ai shtoi se nëpërmjet këtij aktiviteti kërkohet një sensibilizim më të madh, jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga  shoqëria civile, e cila mund të luaj një rol kyç në luftimin e fenomenit të shfrytëzimit të fëmijëve në rrugë. “Është e vërtetë që kemi shumë fëmijë në rrugë. Është e vërtetë që ne po i identifikojmë ata, por po aq e vërtetë është që mungon edhe angazhimi qytetar në luftën kundër këtij fenomeni. Prandaj kërkojmë gjithmonë e më shumë që të kemi informacion. Kërkojmë gjithmonë e më shumë që kur shikohet një nënë, e cila mbase e detyruar nga kushtet e saj nxjerrë dhe fëmijën e saj në dorë dhe lyp, ne të kemi një informacion më të madh publik, në të gjithë Shqipërinë, për të eliminuar këtë fenomen. Ne do të kërkojmë që shoqëria civile së bashku me partnerët zyrtar, pra së bashku me institucionet shtetërore, të jetë në krye të kësaj përpjekje të përbashkët, e cila do jetë në suksesshme vetëm në qoftë se ne e ndjejmë veten së bashku me këtë fëmijë që janë sot në këtë Qendër, pjesë e problemit.”, – tha ministri Klosi.

Ai ka ftuar që të bëhet pjesë e këtij procesi edhe pushtetin vendor, i cili tashmë me rikonceptimin e njësive të reja, ka mundësi shumë herë më të mëdha për të luajtur një rol deçiziv në këtë drejtim. “Është e detyrueshme dhe është kërkesë e kryetarëve të rinj që do të zgjidhen edhe në këtë fushatë elektorale, që të mendojnë shumë më tepër për ngritjen e strukturave të posaçme, jo vetëm për fëmijët e rrugës, por të gjithë problematikën e njerëzve në nevojë”, – tha z.Klosi.

SHKARKO APP