Nexhmije Hoxha: Tanket sovjetike në Pragë, alarm në Beograd e Tiranë

 

Në 4 qershor 1968, të martën, në kryeqytetin jugosllav u shpall gjendja e jashtëzakonshme, çfarë e rriti tensionin dhe nuk e uli zemëratën e të rinjve.

Ata, me flamuj të kuq në duar si edhe me portretet e Josip Broz Titos (kishte edhe fotografi të Çe Guevarës), vendosmërisht mbanin të pushtuara të gjitha fakultetet e Universitetit të Beogradit. Tashmë auditoret e tij i quanin me emrin e ri “Universiteti i Kuq Karl Marks”.

Por nga qeveria u erdhi jo fryma e bashkëbisedimit. I goditi akuza e ashpër se po shkatërronin demokracinë socialiste. Duke qenë se asgjë nuk po e fashiste shpirtin e tyre të kundërshtimit, në mos ai po merrte edhe më tepër flakë, në 9 qershor ndërhyri vetë Tito.

Me një fjalim para të rinjve ai u premtoi se do t’i realizonte reformat që ata kërkonin si edhe problemet të cilat ngrinin. Për t’i dhënë më shumë peshë ndikimi veprimit të tij në po atë takim Josip Broz kërcënoi se, në rastin e vazhdimit kokëfortë të protestave studentore, ai do të dorëhiqej.

Në 10 qershor, të qetësuar nga siguria që u dha Tito, studentët liruan auditoret e zëna forcërisht të universitetit dhe manifestuan të entuziazmuar nëpër rrugët e Beogradit. Kështu kjo javë e nxehtë u mbyll, duke lënë përshtypjen se qe konsumuar përfundimisht edhe shpirti i revoltuar i të gjithë studentëve jugosllavë. Nuk e pritnin t’u ndizej në Prishtinë dhe në Tetovë. Por se shqiptarët do të kishin frymë dhe kërkesa të tjera.

Karakteristikë e lëvizjes studentore beogradase qe se ndryshonte jo vetëm me ato të prishtinasve apo të tetovarëve, por edhe me homologet në vendet e Perëndimit. Beogradasit nuk kërkonin ndryshimin thelbësor të sistemit politik. Protesta e tyre nuk ishte as revolucion dhe as revoltë, por vetëm presion për të përmirësuar socializmin që kishin. Demonstruesit nuk qenë dakord që një punëtor të merrte 35 apo 45 mijë dinarë të vjetër në muaj, kurse drejtorët e fabrikave vetëqeverisëse dhjetë herë më shumë.

Apo që një futbollist të fuste në xhep një milion për ndeshje. Këtë e konsideronin pabarazi të madhe dhe të papajtueshme me parimet e shoqërisë socialiste. Studentët beogradas po ashtu qenë zemëruar dhe donin koregjimin e padrejtësive në regjistrimet nëpër universitete, ku bijtë e punëtorëve dhe të fshatarëve përbënin shumë pak dhe auditoret ishin të mbushur me fëmijtë e përkëdhelur të funksionarëve dhe të nëpunësve.

SHKARKO APP