Nga 184 000 fëmijë në nevojë, 31 000 janë jetimë


Rezoluta nga Qendra Juridike Globale në Shqipëri për Drejtësi dhe Transparencë: Të gjithë frontalisht kundër abuzimit me fëmijët jetimë

Nga 184 000 fëmijë në nevojë, 31 000 janë jetimë

Sidorela Lepri

Qendra Juridike Globale në Shqipëri për Drejtësi dhe Transparencë ka organizuar ditën e shtunë një tryezë të rrumbullakët mes shoqërisë civile dhe personaliteteve të ndryshme të jetës shoqërore, politike dhe kulturore të vendit, ku në fund të kësaj tryeze u miratua rezoluta “Të gjithë frontalisht kundër abuzimit me fëmijët jetimë”.  Fokusi i diskutimeve ishte gjendja e fëmijëve jetimë, abuzimet me ta dhe rreziqet e vazhdueshme. Diskutimet u përqendruan në të gjitha rastet e abuzimit me fëmijët jetimë në vendin tonë, duke i analizuar ato njëri pas tjetrit.
Sipas rezolutës së publikuar në fund të takimit, nga 184.000 fëmijë në nevojë që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike shtetërore, 31.000 fëmijë janë të kategorisë së jetimëve.
“Mbi 2/3 e kësaj kategorie përballen, përveçse me ekstremin e përpjekjeve rraskapitëse për mbijetesën, edhe me abuzimet e veprimet kriminale ndaj tyre. Një pjesë shumë e vogël prej tyre marrin asistencë sociale. Asistenca sociale që garantohet nga shteti, mbulon vetëm 5 % të nevojave minimale të jetesës. Nga 31.000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 trajtohen në 9 qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 të tjerë në 19 qendra joqeveritare (OJF). Pjesa tjetër janë të zbuluar para dhunës, abuzimeve seksuale e trafikimit për qëllime përfitimi. 100.000 persona me aftësi të kufizuara, mes të cilëve një numër i madh jetimësh, gjenden sot në të njëjtën situatë varfërie e përpjekjesh për mbijetesë.”, thuhet në rezolutë.
Po ashtu, në fokus të takimit ishin edhe organizatat qeveritare dhe marrëdhënia e tyre me jetimët, ku u theksua fakti se në këtë sektor janë deklaruar publikisht 140 shoqata që merren me trajtimin e shtresave të varfra dhe fëmijëve në nevojë, veçanërisht të fëmijëve jetimë dhe fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja. Sipas rezolutës, ky fakt, jo vetëm nuk ka zbutur fenomenet që prekin këto shtresa, por ka thelluar edhe më keq gjendjen e tyre, pasi mëse 90 % e tyre janë pseudo-shoqata që kanë keqpërdorur kauzën e fëmijëve jetimë për përfitime personale. Shoqëria, shkollat dhe qendrat rezidente në shërbim të jetimëve ishin një tjetër problem që parashtrohet në rezolutën e “Qendrës Juridike Globale në Shqipëri për Drejtësi dhe Transparencë”, ku theksohet se, 80 % e jetimëve mbeten shumë të varfër përgjatë gjithë jetës, madje edhe ekzistenca e tyre është në rrezik të vazhdueshëm.
Një tjetër pjesë shumë të rëndësishme në këtë rezolutë përbën edhe raporti i Amnesty International.
“Amnesty International ka bërë publik raportin, i cili i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe Parlamentit Europian duke vënë theksin se prej 25 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, jetimëve u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore”, shkruhet në rezolutë. Kjo rezolutë i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Asamblesë të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Europës, Qeverisë së SHBA-ve, Qeverive Anëtare të Bashkimit Europian, NATO-s dhe OSBE-së.

Sugjerimet:


1.Të ngrihet një Task-Forcë e përhershme, e përbërë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me  Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e  Pushtetit Lokal, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Prokurorinë e Përgjithshme për parandalimin e fenomenit  të abuzimit dhe trafikimit të fëmijëve, si dhe të identifikohen përmes një regjistri kombëtar  të gjitha familjet në risk, fëmijët dhe adoleshentët jashtë kujdesit prindëror.

2. Të ndërmerren një plan masash konkrete dhe efektive përmes institucioneve të zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet, që nga ai qendror e deri ai lokal.

3. Parlamenti shqiptar të shprehet përmes një Ligji të qartë duke ngarkuar Këshillin e Ministrave  që përfundimisht të bëjë një studim dhe të  deklarojë zyrtarisht minimumin jetik të varfërisë për  shtresat  sociale në nevojë, një kërkesë kjo emergjente e kohës edhe nga institucionet ndërkombëtare.

4. Të riformulohet dhe miratohet me urgjencë, ligji i ri “Për Statusin e Jetimit”,  në përputhje me situatën aktuale, duke përfshirë të gjitha grupet e interesit, me një diskutim të gjerë me ekspertët  e të gjitha Ministrive të  linjës dhe organizmave të të Drejtave të Njeriut, duke përfshirë në këtë ligj një grup më të gjerë përfituesish, ku bëjnë pjesë edhe fëmijët me prindër  të gjallë, të cilët për shumë arsye,  janë të paaftë të ushtrojnë detyrën prindërore. Ky ligj duhet të riformulohet në të gjitha nenet dhe paragrafët e tij dhe të ketë në fokus interesin e lartë të këtij target – grupi dhe jo të shoqatave që deri tani kanë treguar se kanë qenë  parazitare, inekzistente dhe abuzuese.

5. Shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Financave, nën pretekstin e “kartës së mëshirës sociale” duhet  të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga financimi i përvitshëm dhe i padrejtë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për disa shoqata, që ka qenë në fund të fundit një veprim selektiv dhe i paarsyeshëm dhe që në gjithë këto vite këto OJF kanë rezultuar abuzuese me jetimët dhe shtresat në nevojë. Nga përvoja e deri tanishme ato nuk kanë qenë asnjëherë eficente dhe e kanë keqpërdorur këtë ndihmesë nga shteti, duke u prezantuar  shpesh dhe në mënyrë spekulative si OJF me status shtetëror, e nga ku kanë dalë herë pas here edhe skandale të abuzimeve me fëmijët jetimë. Tashmë, kontributin e vet shteti shqiptar  për mbështetjen e OJF-ve e ka zgjidhur përmes një agjencie (AMSHC), ku çdo OJF ka të drejtë të konkurrojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë me projekte dhe programe konkurruese dhe efektive.

6. Propozojmë që, të ngrihet një strukturë ekspertësh të pavarur nga shteti, e cila të ndjekë hap pas hapi çështjen e birësimit të fëmijëve jetimë. Qëllimi e kësaj strukture është që të evidentoj dhe zbulojë sa më herët se ku janë pengesat, burokracitë, ngërçet, vonesat dhe mungesa në eficencë, në mënyrë që fëmijët e braktisur “de facto” të deklarohen të tillë, “de juro” dhe të birësohen sa më shpejtë, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

7. Kërkojmë që institucionet e sigurisë kombëtare të bëjnë një punë investiguese dhe goditëse më efikase, për zbulimin e rasteve të individëve dhe organizatave kriminale që përfshihen në kriminalizimin e shtresave të margjinalizuara të shoqërisë, duke rekrutuar  dhe viktimizuar përmes disa “organizatave bamirëse” të huaja që veprojnë në vendin tonë në bashkëpunim me OJF-të abuzive vendase,  fëmijët jetimë që janë në risk.

Veprimet kriminale me fëmijët jetimë

Faktori vendas edhe ai ndërkombëtar janë informuar herë pas here nga mediet, organizatat serioze si, UNICEF, Save the Children, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Amnesty International për rastet e veprimeve kriminale me fëmijët jetimë dhe me abuzimet në emër të tyre. Në ditët e fundit ato raportojnë se 382 fëmijë jetimë nga Shqipëria u trafikuan e po shfrytëzohen në rrugët e Londrës, ndërsa 17 fëmijë  të tjerë jetimë po nga Shqipëria  kanë përfunduar në duart e ISIS që bashkëpunon me krimin e organizuar e trafikantët në Ballkan. Akoma mbeten të pa gjetur 500 fëmijë shqiptarë të zhdukur nga qendra e rehabilitimit AGIA VARVARA në Greqi.

SHKARKO APP