Një video dhe triumfi i antishtetit. PD bllokon ndihmat:Shtet a antishtet?

 

Nga Carlo Bollino

Përplasja mes një qytetareje të gjobitur dhe një patrulle të policisë rrugore që ndodhi dje, pranë stadiumit Dinamo dhe u filmua nga një kalimtar i rastit, meriton disa reflektime.

Lajmi është surreal që nga titulli i tij: Video-skandal. Dhe dikush mendon se skandali qëndron në faktin që një qytetare i  ulëret në fytyrë policëve duke kërkuar me imponim fizik kthimin e patentës, dhe pastaj i pështyn dhe bëhet agresive. Në fakt jo: sipas autorëve të shpërndarjes së lajmit, skandali qëndron në faktin që policët reaguan ndaj agresionit.

Duke lexuar titrimet e bëra nga gazetaret në video, kuptohet se një nga policët, pasi është sulmuar verbalisht nga qytetarja e gjobitur, i është përgjigjur  “ik, k…” (nën zë, sepse në audion origjinale nuk dëgjohet, ndërsa të bërtiturat e gruas po).  Ne fakt nëse do të kishte ndodhur në Itali, a në Gjermani, a në Francë, ngjarja nuk do të kishte shkuar më tej: që në ulërimat e para zonja do të prangosej, do të dërgohej në një komisariat. Nëse do të kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuara, zonja me shumë gjasa do të imobilizohej me një shkarkim elektrik dhe do të ishte rrëzuar përtokë menjëherë.

Por lajmi është surreal edhe në reagimet e opinionit publik, që në pjesën më të madhe u rreshtua në mbështetje të qytetares së gjobitur. Dhe kjo është pika thelbësore e problemit: opinioni publik shqiptar vazhdon të mos jetë edukuar në respekt të Shtetit dhe të Institucioneve. Në vend që të indinjohet dhe të habitet për një grua që përshtyn në fytyrë një polic, shumë (jo të gjithë, në të vërtetë) u indinjuan pse polici nuk u kthye nga ana tjetër duke fshirë pështymën, por reagoi.  Por mediat që kultivojnë në mënyrë instiktive dhe akritike këtë populizëm, janë shprehja perfekte e politikës: nëse një ish-kryeministër i lejon vetes të quajë publikisht kriminel, trafikant dhe vrasës çdo përfaqësues të Institucioneve të konsideruara si kundërshtarë politikë, si të habitesh pastaj nëse njerëzit sillen në të njëjtën formë?

Niveli shumë i ulët i gjuhës institucionale, ndaj të cilës Sali Berisha vazhdon të jetë shembulli më i keq i mundshëm, për fat të keq po njollos kulturën e Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit, në të njëjtën mënyrë si diktatura njollosi mentalitetin e shqiptarëve në 40 vite e meparshmë.

Berisha, që në fillim të kthesës demokratike në të cilën ishte protagonist, pengoi në çdo mënyrë, që nga rrënojat e regjimit të lindte një embrion i një Shteti modern; mision anti-Shtet që vazhdon edhe sot, duke u sforcuar të shkatërrojë ditë pas dite çdo tentativë të ngritjes në këmbë të një modeli shteteror. Gruaja që pështyn në fytyrë policin dhe njerëzit që duartrokasin janë sinteza perfekte e “kulturës” së tij.

Por ky nuk është vetëm një problem etik, sepse pikërisht në respektin e munguar të Institucioneve, fshihet dhe virusi i korrupsionit. Ndërsa në një Shtet që funksionon, bakshishi është akti i jashtëzakonshëm dhe ekstrem që duhet bërë me frikë, sepse baltos figurën e atij që paguan, por edhe të atij që merr; këtu duket se është një veprim i përditshëm që nuk ofendon askënd. Këtu korrupsioni arrin të jetë deri një akt vullnetar, ashtu si i afërmi i të sëmurit që fut në xhepin e mjekes 200 lekë edhe pse ajo nuk i ka kërkuar. Në vend të asaj mjekeje mund të ishte kushdo: një polic, një noter, një deputet, një kryebashkiak, një gazetar. Këtu bakshishi është kaq i përhapur jo vetëm pse ilegaliteti nuk është shndërruar akoma në arsye diskriminimi social (përkundrazi), por sepse nuk ndjehet asnjë lloj respekti në parim drejt përfaqësuesve të Institucioneve  të cilëve ua ofrojmë. Dhe nëse në vend të bakshishit hedhim një pështymë apo një grusht, është njësoj.

Eshtë pikërisht brishtësia e Shtetit që pasqyrohet në ekzagjerimin e reagimeve. Ndërsa mbrëmë në web përhapej vala histerike e solidaritetit ndaj qytetares rebele(të ndaluar më pas nga policia), institucionet nxituan duke lajmëruar edhe pezullimin e dy policëve që reaguan ndaj ulërimave të gruas. Ndoshta duhej bërë,( sepse ajo grua nuk duhej ofenduar, por vetëm ndaluar), por gjithësesi u gabua komunikimi publik: sepse përsëri, edhe këtë herë, përcillet mesazhi i gabuar që Shteti dhe individi janë të barabartë. Por  ligji, ashtu si dhe logjika, i rezervojnë Institucioneve rol, detyrime por edhe tutela më të larta.

Të qetësosh opinionin publik dhe isterizmi mediatik duke i dhënë si ushqim besueshmërinë dhe emrat e policëve të poshtëruar, rrezikon t’i  hedhësh benzinë klimës së populizmit anti-Shtet mbi të cilin Sali Berisha bazon prej 25 vjetësh konceptin e tij personal për demokracinë dhe që edhe sot e kësaj dite e dënon Shqipërinë të bëhet me vështirësi një vend normal

SHKARKO APP