ODIHR shqetësim për votën e ndershme

Vëzhguesit e ODIHR në  prill dërguan një mision të vlerësimit të nevojave dhe për të vendosur për numrin e vëzhguesve që do të dërgonin në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, të cilat këtë herë mbahen me një hartë të re administartive territoriale, sipas të cilës zgjedhësit ftohen të votojnë vetëm për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. 

Kryesuesja e misionit të vëzhguesve është Audry Glover, për herë të tretë në zgjedhjet shqiptare pas 96-ës dhe 2009-ës. 

Që prej 20 majit në prag të fillimit të fushatës zgjedhore misioni ka në vendin tonë 20 vëzhgues afatgjatë.

250 afatshkurtër janë sot të shpërndarë në gjithë territorin e vendit për të ndjekur nga afër procesin e votimit dhe më pas të numërimit të votave. 

ODIHR-i pritet të dalë në një konferencë për median me konstatimet e para menjëhërë pas ditës së zgjedhjeve, për të përpiluar më pas raportin e vlerësimit të gjithë procesit të radhës në Shqipëri, publikimi i të cilit bëhet 2 deri në 3 muaj përtej zgjedhjeve. 

Fushata zgjedhore nisi rreth një muaj para afatit zyrtar të saj. Në raportin e parë të vlerësimit të nevojave ODIHR-i konstatoi se kishte shqetësime rreth mundësisë për të bërë presion tek votuesit, për të abuzuar me burimet shtetërore deri dhe tek blerja e votës. 

Çështja e Kurbinit është një ndër më të dukshmet në raport pasi KQZ-ja e rrëzoi regjistrimin nga KZAZ e kësaj bashkie të kandidatit të dytë për PD, pasi i pari dha dorëheqjen. Pas betejës ligjore, kolegji zgjedhor vendosi gjithashtu që në fletën e votimit të qëndrojë Aaltin Biba. 

Lidhur me fushatën ODIHR thotë se PS-ja, është përqendruar në nevojën për të luftuar korrupsionin, ndërsa PD-ja, veçanërisht në largimin e njerëzve me precedentë penalë nga pozicionet e qeverisjes në të gjitha nivelet. 

Sipas konstatimit të vëzhguesve të huaj fushata, sidomos ajo e partive të mëdha është përqendruar në akuza personale dhe përpjekje për të diskredituar konkurrentë të tjerë.

Misioni i Vëzhguesve- thuhet në raportin e ndërmjetëm ka marrë raportime për një sërë akuzash për ushtrim presioni mbi nëpunësit shtetëror, përfshirë disa kërkesa për të marrë pjesë në aktivitete zgjedhore dhe kërcënime për heqje nga puna, nëse nuk votojnë për një kandidat të caktuar. 

Keqpërdorimi i burimeve shtetërore si ndërtesat publike, të cilat raportohet se janë përdorur për fushatën zgjedhore, por edhe mësuesit dyshohet të jenë përdorur për të promovuar kandidatë të caktuar. Personalitetet kryesore të Aleancës për Shqipërinë Europiane  kanë shpërndarë çertifikata pronësie gjatë aktiviteteve të fushatës, çka është përceptuar nga disa si presion mbi zgjedhësit, thonë vëzhguesit e ODIHR, duke detajuar disa raste konkrete për konstatimet e mësipërme në shënimet në fundfaqet e raportit.

Komuniteti ndërkombëtar ishte aktiv me mesazhet e tij deri në ditën e fundit të fushatës. 

Në raportin e ndërmjetëm të ODIHR, lëshuar para pak ditësh, aty kur thotë se çdo qytetar me të drejtë vote mund të kandidojë në zgjedhje përveç atyre që janë duke vuajtur dënimin me burg, shton se edhe pse nuk është e rregulluar me ligj dekriminalizimi pati jehohën kryesore në fushatë.

Një sinjal për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të pastra erdhi nga Komiteti i Helsinkit në  Kongresin Amerikan, ndërsa mesazhet e ambasadorit Lu në Tiranë ishin të shpeshta dhe me fokus heqjen nga kandidimi të persoanev më histori kriminale 

PD hoqi nga lista një kandidat pas verifikimit me të dhëna kriminale, por PS nuk hodhi hapa të tillë, duke deklaruar se ata për të cilët flet media opozita, por dhe diplomat e huaj nën zë nuk kanë vendime gjykate si të inkrimunuar.

Bshkimi Europian gjithashtu bëri thirrje për zgjedhje me standarde të cilat pritet të jenë moment kyç vlerësimi në progres-raportin e vjeshtës për Shqipërinë.

Procesi po ndiqet edhe nga një mision i Këshillit të Europës, si dhe nga një numër shumë i madh vëzhguesish nga organizata shqipatare të mbledhura në atë që u quajt që në fillim të fushatës si Dhoma Zgjedhore. 

 

SHKARKO APP