Pandëshkueshmëria: problem serioz për 96 për qind të shqiptarëve

 

Qytetarët shqiptarë e shikojnë pandëshkueshmërinë si një fenomen të përhapur dhe mjaft shqetësues për Shqipërinë. Një anketim i realizuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi-IDRA zbuloi se 96 për qind e shqiptarëve mendojnë se kultura e pandëshkueshmërisë mbizotëron në vend.

Të intervistuarit kanë renditur korrupsionin e lartë, moszbatimin e ligjit dhe sistemin e dobët të drejtësisë si shkaqe të kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

“Unë e shoh pandëshkueshmërinë të lidhur ngushtë me korrupsionin. Një njeri që nuk ndëshkohet për shkeljen e ligjit, ia ka gjetur anën përmes rryshfetit,” citohet të ketë thënë një qytetare në raport.

Anketimi i mbështetur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, OSFA u zhvillua në periudhën nëntor-dhjetor 2014, gjatë së cilës u intervistuan 1200 persona në të gjithë vendin.

Paralelisht me indeksin e pandëshkueshmërisë, anketimi i IDRA-s ka matur edhe nivelin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet e vendit.  Sipas raportit, Policia e Shtetit gëzon besimin më të madh të qytetarëve shqiptarë në luftën kundër abuzuesve me ligjin.

Nga 100 pikët e mundshme, Policia ka marrë 53 pikë. Kryeministri renditet i dyti me 51 pikë, ndërsa vendin e tretë e zënë komunitetet fetare. Sistemi gjyqësor renditet i fundit me 26 pikë, duke u konsideruar si i korruptuar dhe i paanshëm nga qytetarët.

84 për qind e të intervistuarve mendojnë se rryshfeti ndikon vendimin e gjykatave, ndërsa në një nivel të lartë renditen edhe lidhjet e gjyqësorit me biznesin apo politikën.

E ndërsa qytetarët mbështesin përgjithësisht Policinë dhe kritikojnë Gjyqësorin, perceptimi i tyre për Prokurorinë e Përgjithshme është më neutral. Megjithatë, shumica e tyre mendojnë se edhe prokurorët në Shqipëri gjenden nën ndikimin e pushtetit politik dhe atij ekonomik.

Anketimi zbulon se në perceptimin publik ka një kontrast të thellë mes mundësisë së ndëshkimit të një qytetari të zakonshëm dhe të një zyrtari të lartë për të njëjtën shkelje. Të intervistuarit besojnë se zyrtarët e lartë ia dalin t’i shpëtojnë drejtësisë.

Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë një sërë institucionesh të zbatimit të ligjit, qytetarët shqiptarë mendojnë se media luan rolin kryesor në investigimin e rasteve të abuzimit me ligjin nga zyrtarët e lartë.

Në raport thuhet se 74 % e të intervistuarve mendojnë se media luan rolin më të rëndësishëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë, përkundër 9 % të tyre që ia atribuojnë këtë sukses policisë.

Në perceptimin e qytetarëve shqiptarë, pandëshkueshmëria dhe moszbatimi i ligjit është problemi i dytë, më i rëndësishëm në vend. Për ta, ekonomia është kryefjala e problemeve dhe sfida kryesore me të cilën përballet Shqipëria.

BIRN

SHKARKO APP