Pikëpyetje mbi Bankers Petroleum”

 

Gati një javë pas shpërthimit të gazit në Marinëz, kompania kanadeze “Bankers Petroleum” akoma nuk ka dhënë shumë detaje mbi ngjarjen, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ka replikuar me deputetin socialist Erion Braçe. “Bankers” rreket të tregojë se do të kompensojë banorët e prekur nga kjo ngjarje, por ndërkohë nuk saktëson se si do të bëhet ky kompensim, në kohën që zona aty është bërë e pabanueshme. Nga ana tjetër kompania nuk i jep përgjigje pyetjes që është bërë shpesh në media pas shperthimit: Me çfarë teknologjie po kryhen kërkimet për naftë në atë zonë dhe a është kjo teknologji brenda standardeve?

Përveç kësaj vlen të theksohet edhe pretendimi i “Bankers” se ka investuar cdo vit rreth 1.2 miliard dollarë, investim që vihet në dyshim po të kemi parasysh edhe administratën e dobët tatimore të Shqipërisë, që duhet të çertifikonte apo faktonte të gjitha shpenzimet e pretenduara nga kompania. Për shkak të një lloj marrëveshje të vecantë me shtetin shqiptar, të nënshkruar në vitin 2003, “Bankers” nuk paguan tatim fitimi prej gati 11 vjetësh. Ky tatim do të paguhet atëherë kur sipas kontratës, fitimet e kompanisë ndër vite të mund të mbulojnë shpenzimet e investimeve të kryera.

Përtej diskutimit teknik e me terma që jo të gjithë i kuptojnë, shtrohet pyetja: Si jetojnë sot banorët e Marinzës, që u ka rënë fati të jënë në një tokë kaq të pasur? Këto ditë kemi parë pamje filmike nga brenda fshatit dhe kemi dëgjuar dëshmi të shumta të banorëve dhe ajo që kupton është se s’ka asgjë të vecantë nga fshatrat e tjerë të Shqipërisë, që vuajnë nga infrastruktura dhe ekonomia e dobët. Edhe banorët e Marinzës, jetojnë të varfër sipër një toke mjaft të pasur. Rrugët e fshatit nuk ndryshojnë nga shumica e fshatrave të tjerë. Janë të baltosura, pa kanalizime dhe pa ndriçim. Banorët e kanë të vështirë të sheshin edhe produktet e tyre bujqësore e blegtorale, pasi sapo mësojnë që janë të fshatit të tyre ato refuzohen nga klientët, për shkak të ndotjes dhe kontaminimit të tokës.

Në kuadër të përgjegjësisë sociale që duhet të ketë një kompani, “Bankers” është mjaftuar që në fshat të ndërtojë një komples sportiv dhe të zbatojë disa programe modeste mjedisore. Të paktën ky është pretendimi i banorëve të zonës. Ekspertë të ndryshëm kanë thënë këto ditë në media, se kontrata e “Bankers” me shtetin shqiptar, e cila mbahet e fshehtë për publikun, përmban ndër të tjera edhe një pikë ku parashikohet që banorët e zonës të përfitojnë të ardhura mujore nga kompania. Por dicka e tillë nuk ka ndodhur dhe ndoshta s’ka për të ndodhur as në të ardhmen.

Këto ditë që gazetarët kanë vërshuar në fshat për të raportuar për ngjarjen, përveç rojeve private që s’të linin të afroheshe deri në një perimetër të caktuar, “Bankers”  ishte kujdesur që situatën ta mbante nën monitorim edhe nga ajri, nëpërmjet një droni si ai që pamë në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Droni i pajisur me kamera, flimonte cdo lëvizje në fshat dhe në mënyrë të vecantë rreth pusit që shpërtheu gazi. Ngjarja 1 prillit në Marinzë rikthen edhe njëherë në vëmendje politikën e koncensioneve në Shqipëri, ku në shumicën e rasteve pasuritë tona kombëtare janë dhënë tek kompani të ndryshme, kundrejt përfitimeve minimale për shtetin tonë.

 

Dhe “Bankers” është një ilustim i mirë i kësaj, pasi prej 11 vitesh nuk paguan tatim fitimi në shtet dhe për më tepër s’ka ende sot një plan se cfarë do të bëhet me banorët e asaj zone. A do të gjobitet “Bankers” nga qeveria shqiptare, njësoj sic u gjobit “British Petroleum” nga Amerika për ndotjen që shkaktoi në Gjirin e Meksikës? A do të rishihet kontrata me këtë kompani, në favor të interesit publik? Po banorët do të vazhdojnë të jetojnë në një zonë që mbart rrezik për jetën? Këto pyetje pritet të marrin përgjigje në ditët në vijim, ose do të heshtet si për shumë ngjarje të tjera që kanë ndodhur më parë në Shqipëri.

SHKARKO APP