Pranga në Serbi. Frikë në Tiranë

 

 

Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, Ministria e Brendshme ka ndërmarrë dje aksionin më të madh antikorrupsion. 79 persona kanë rënë në pranga. Mes tyre ish-ministri i Tregtisë, dy zëvendësministra, si dhe dhjetëra drejtorë dhe biznesmenë të njohur. Hetimet ndaj tyre kanë të bëjë me vepra të ndodhura  edhe 11 vjet më parë. Në to përfshihen abuzim me detyrën, korrupsion, pastrim parash dhe krim financiar. Dëmi total që i kanë shkaktuar financave të shtetit serb mendohet rreth 100 milionë dollarë.

Serbia, për shkak të problemeve që ka sjellë në Ballkan dhe një klase politike që deri disa vite më parë akuzohej për krime lufte, nuk është modeli që mund të merret shembull në rajon. Megjithatë, beteja e antikorrupsionit që ka nisur qeveria e Aleksandar Vuçiç është e vetmja që ka marrë vlerësime nga Bashkimi Europian. Dy javë më parë Serbia çeli negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Vendet e tjera, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën vazhdojnë ende të mos kenë dritë jeshile nga Brukseli për çeljen e negociatave. Arsyeja kryesore ka të bëjë me korrupsionin. Si Shqipëria, ashtu dhe vendet e tjera në këto vite kanë dështuar të ndërtojnë sisteme drejtësie që ndëshkojnë sferat e larta të politikës së korruptuar.

Në Tiranë, kur bëhen krahasimet me Beogradin, ka një lloj alergjie që lidhet edhe me marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve. Por ky nuk është rasti i këtij lloj rivaliteti. Faktet flasin ndryshe dhe janë më kokëforta se tezat e lodhura patriotike të politikanëve tanë. Serbia është para nesh në procesin e integrimit, ka marrë më shumë fonde për projekte nga Bashkimi Europian dhe me luftën që po bën kundër korrupsionit do e shoh derën e Brukselit më parë se Tirana. Nuk na pëlqen, por kështu është.Realisht Serbia po bën atë që politikanët tanë e kanë bërë prej 24 vitesh. Po ndëshkon krimin e organizuar dhe po vendos pas hekurave politikanë të rangjeve të larta. Sigurisht, nën presionin e fortë të Bashkimit Europian. Por a nuk po bën presion BE dhe SHBA tek ne për të ndërshkuar zyrtarë e politikanë të lartë të përfshirë në korrupsion? Jo vetëm po bëjnë përditë, por ambasadorët e SHBA dhe BE kanë zbritur vetë në terren duke folur shqip për ndryshimin e ligjeve dhe për ndëshkimin e të korruptuar. E ku ka ndodhur që të dalë një ambasador amerikan e të thotë publikisht: “Duhen arrestime!”?E megjithatë, sot kemi vetëm disa zyrtarë të lartë  të akuzuar, por jo të dënuar për vepra që lidhen me shpërdorimin e detyrës. Dhe i ke në parlament, i ke të lidhur me biznesmenë që qarkullojnë dhjetra milionë euro, i ke më shumë pasuri të pajustifikuar nga i kanë marrë dhe asgjë nuk i gjen.

Në Shqipëri ka dy vite që ka nisur puna për hartimin e reformës në drejtësi. Janë hedhur miliona nga ndërkombëtarët për të bërë ligje më të mira për të futur në burg politikanët.  Duket se edhe 2016-ta do të kalojë me debatin për bërjen e reformës dhe reforma reale nuk po duket ende. Ndërkohë në Beograd nuk i ranë kaq gjatë, shkuan direkt tek prangat. Nuk bënë reformë në drejtësi dhe nuk u lodhën tre vjet pas detajeve juridike. Nuk i ndryshuan ligjet, por gjetën njerëz të përshtatshëm që zbatonin ligjet. Edhe këtu ligjet nuk mungojnë. Me apo pa reformën në drejtësi, ligjet aktuale e kanë të shkruar qartë; kush vjedh nga pasuria publike futet në burg. Por këtu futesh në burg apo akuzohesh por është gjykata 100 përqind me palën e politikës së korruptuar dhe nuk dënon.

Presoni i fortë i BE ndaj Beogradit bëri që klasa politike të nis spastrimin. Ndaj zhvillimet e djeshme në Serbi ka shkaktuar jo pak panik në klasën politike shqiptare. Zbatimi i modelit që BE-ja bëri fillimisht në Koraci, Rumani dhe tani në Serbi pritet të japë efekt dhe në Shqipëri. Janë një sërë ministrash  dhe ish-ministrash që janë akuzuar qeverisjen e kaluar, por edhe tek e sotmja për abuzime, por shetisin të qetë. Pritet që një pjesë e tyre të jenë në qendër të një aksioni antikorrupsion që do ndërmarrin institucionet e drejtësisë vitin 2016. Dhe nuk janë pak persona nën akuzë, apo në hetim. Në Serbi u arrestuan 79 veta për 100 milionë euro. Ndërsa në Tiranë 100 milionë euro është vetëm një tender i bërë në ministrinë e Shendetsisë! Pa harruar se janë qindra milionë euro të vjedhura ndër vite nëpër ministri të ndryshme. Në Serbi i morën në burg edhe pas 11 viteve ,kurse në Tiranë mjafton vetëm 5 vitet e fundit dhe ta mbushësh burgun e Tiranë me ish-ministra, ministra, deputetë, drejtues të lartë kompanish që bashkëvjedhin me qeverinë, etj.

 Nga dje lajmi i prangave në Beograd po troket në Tiranë. Po lirohen qelitë në këtë fundviti me vjedhës dritash, apo shkelës të lehtë ligji dhe vitin e ardhshëm duket se toga e politikës së lartë do të “vizitojë” qelitë e lëna bosh. Sa të jetë ambasadori Lu ka një shpresë se ndëshkimi nuk do të vonojë.

SHKARKO APP