Presidenti Meta: Largimi i Dvoranit është i vonuar, por pozitiv për drejtësinë

Presidenti Ilir Meta, në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, u shpreh se largimi i Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë dhe KED është një vendim i vonuar, por prapë mbetet pozitiv për institucionet e drejtësisë.
Presidenti u shpreh se nuk ka asnjë problem me emrat, por me zbatimin e ligjit dhe Kushtetutën.
“Qëndrimi i im ka qenë shumë i qartë në mbrojtje të Kushtetutës. Vendimi i djeshëm i vonuar, por pozitv për integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë. Për mua vendimtare kanë qene ligjet dhe Kushtetuta dhe jo individët”,- tha kreu i shtetit.
Lidhur me datën e dekretimit të zgjedhjeve, Presidenti Meta u shpreh se do të respektojë Kushtetutën.
“Për çështjen të dekretit për zgjedhje të përgjithshme apo lokale. Pyetja është interesante, por përgjigja është e qartë, presidenti do veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe jo si do të donte ai të vepronte në lidhje me logjikën politike”,- deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti ka deklaruar më parë se nuk do ketë më dy dekrete, edhe nëse prapë nuk futet në zgjedhje njëra palë politike. Pra edhe sot Meta iu përmbajt premtimit të tij se do ketë vetëm një dekret kushtetues, pavarësisht se mund të përplasen apo sakatohen palët për datën e zgjedhjeve dhe kushtet e zgjedhjeve.

Deklarata për media e Presidentit të Republikës, Ilir Meta

 Së pari, do të dëshiroja sot të uroja të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë shumë të rëndësishme të çlirimit dhe të lirisë, që fitoi populli i Kosovës, urime që ia kam përcjellë sot edhe drejtpërdrejt në një takim miqësor që patëm paradite me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Njëkohësisht dua të shpreh edhe falënderimin më të sinqertë për aleatët tanë, për NATO-n dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për atë kontribut madhor që dhanë, që jo vetëm Kosova të çlirohej dhe të fitonte lirinë, por edhe të jetë sot, siç është provuar qartë për më shumë se dy dekada, një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin tonë.

Do të doja të veçoja përsa i takon procesit legjislativ gjatë kësaj jave, dekretimin me miratim dhe shpallje të ligjit nr. 61/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, ‘Për sektorin e energjisë elektrike’, të ndryshuar”, si një akt mjaft pozitiv dhe të domosdoshëm, që reflektonte rekomandimet e dhëna nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

Ndërkohë, do të nënvizoja edhe një herë se kam kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, që parashikon përjashtimin nga TVSH-ja të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime kënaqësie dhe argëtimi edhe turizmi.

Këtë kthim e kam bërë me bindjen e plotë mbështetur në Kushtetutë për mbrojtjen e interesit publik, për më tepër që në këto momente, një iniciativë e tillë nuk u përgjigjet nevojave jetike dhe reale, që po kalon vendi, dhe as parashikimeve të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera për periudhën e pas pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Shpresoj që Kuvendi ta shqyrtojë këtë dekret me paanshmëri dhe objektivitet.

Njëkohësisht, ka kam kthyer për rishqyrtim në Kuvend edhe ligjin nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”.

Me këtë akt, pra nëse miratohej, do të detyrohen bizneset e vogla të grupuara në zona të caktuara, të paguajnë detyrime shtesë në formë kuotash anëtarësie, për një anëtarësi të pakërkuar e të pavotuar!

Ky ligj, bie ndesh me lirinë e veprimtarisë ekonomike, ushtrimit të së drejtës së pronës private me gjitha tagrat e saj, por mbi të gjitha me mënyrën e administrimit të fondeve publike në nivel vendor dhe të ushtrimit të kompetencave e përgjegjësive të detyrueshme të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Uroj që edhe për këtë akt të reflektohet, që qendrat tona të qytetërimit, të cilat pasqyrojnë edhe identitetin kulturor lokal, të mos trajtohen përmes forcës shtrënguese të ligjit, sikur të jenë qendra tregtare. Por t’i jepet frymë biznesit lokal të ushtrojë veprimtarinë lirshëm!

Dhe së fundmi, dua të ndalem në çështjen më të rëndësishme të kësaj jave në vlerësimin tim, që është pikërisht takimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, që u zhvillua më datën 9 qershor.

Dihet që këto javë janë me shumë rëndësi për procesin e integrimit, të çeljes së negociatave. Komisioni Europian do të prezatojë kuadrin negociator dhe një raport mbi zbatimin e kushteve nga ana e Shqipërisë.

Në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, që u zhvillua në datën 9 qershor, unë si President paraqita disa vlerësime dhe sugjerime për mënyrën se si do të duhet të zhvillohet ky proces.

Nënvizoj se së pari duhet një ndërveprim i strukturuar dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës në mënyrë që kushtet të mos mbeten të papërmbushura dhe që çelja e negociatave të mos mbetet në vendnumëro.

Ne sot do t’i përcjellim Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian komentet e plota me sugjerime konkrete mbi planin e veprimit të hartuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ky dokument i detajuar do të bëhet publik edhe në faqen zyrtare në internet të Institucionit të Presidentit.

Dua të theksoj edhe një herë se zbatimi i 15 kushteve dhe i detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit janë mënyra e vetme për të bërë përparim të besueshëm, siç e përcakton edhe metodologjia e re e Bashkimit Europian.Kemi një mundësi shumë të mirë për të bërë një progres real jo vetëm të brendshëm, por edhe në nivel të BE-së, pasi dihet që më 1 korri Presidencën e radhës së BE-së e merr Gjermania.

Shpresoj shumë që t’u përgjigjemi me të njëjtin seriozitet sikurse ata kanë ndjekur prej vitesh dhe në mënyrë të vazhdueshme këtë proces duke bërë edhe sforco të panjohura më parë në mënyrë që gjithmonë dera e integrimit europian të jetë e hapur për Shqipërinë.

SHKARKO APP