Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani vlerësojnë figurën e antropologes së shquar angleze, Edith Durhamit

Zonja e Parë, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi: “Në fillim të shekullit të kaluar, kur Shqipëria ishte aq e panjohur sa dukej koha kishte ndalur, në Shqipëri erdhi dikush që nuk ishte ushtarak, eksplorator, studiues, madje nuk ishte burrë, ishte femër, ishte grua. Kjo femër ishte anglezja e jashtëzakonshme Edith Durham, ajo së cilës jemi mbledhur sot ta kujtojmë me respekt dhe dashuri të veçantë në 70-vjetorin e largimit nga kjo jetë.”

Duke vënë në dukje se femrat shqiptare, edhe pse më të buta, më të ndjeshme, më të dhembshura, dhe në përgjithësi më të dobëta se burrat, në momentet më kritike, gjatë fatkeqësive më të rënda, ato bëhen befas më trime dhe më të forta se burrat, dhe gjatë këtij këmbimi rolesh, nuk epen por vazhdojnë, nuk ligështohen por qëndrojnë, dhe janë ato që në këto raste ngushëllojnë, pakësojnë dhimbjet, japin zgjidhjet më interesante dhe më inteligjente dhe rivendosin ekuilibrat, Zonja e Parë theksoi se “Edith Durham, e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët pafundësisht.”

“Edit Durham nuk e shëtiti Shqipërinë dhe Kosovën me makinë, tren apo autobus, por kryq e tërthor pëllëmbë për pëllëmbë, më këmbë, me entuziazëm dhe ekzaltim të pashtershëm, pa u lodhur dhe pa u ankuar kurrë. Kjo është arsyeja që librat e saj lexohen ende sot dhe gjithmonë do lexohen me shumë ëndje. Zor se mund të gjendet një e dytë, edhe ndër shqiptarë, që ta ketë dashur Shqipërinë sa ‘Mbretëresha e Malësorëve’, Edith Durham. Ajo nuk la rast pa bërë diçka për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Studiuese, udhëpërshkruese, bamirëse, eksploratore, etnologe, lobuese në qarqet qeveritare dhe diplomatike më të larta angleze dhe evropiane të kohës, deri edhe korrespondente lufte, mes një mijë vështirësish dhe pengesash, Edith Durham ndikoi ndoshta më tepër se çdo i huaj tjetër për njohjen e shtetit shqiptar dhe në përgjithësi Shqipërisë.” – tha mes të tjerash Zonja Nishani.

“Edith Durhamin mund ta quajmë me plot gojën, jo vetëm një angleze heroike, por edhe një shqiptare të pamposhtur, e cila, pasi na zbuloi dhe dëshmoi, na deshi aq tepër, sa sakrifikoi veten, dhe ndër ne la shpirtin e saj.” – përfundoi fjalën e Saj Zonja e Parë.

Veprimtarinë përkujtimore e përshëndeti edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon Obe, antropologu Përparim Kabo, botuesja Elisabeth Gowing, ndërsa të pranishmit e shumtë që përfshinin përfaqësues të Trupit Diplomatik, studiues, akademikë, etj., ndoqën me ëndje edhe pasazhe nga kujtimet e udhëtimeve të Edith Durhamit nëpër Shqipëri të lexuara dhe interpretuar nga aktoret e mirënjohura shqiptare, Rajmonda Bulku dhe Yllka Mujo.

SHKARKO APP