Profesori i gjuhës shqipe: Enver Hoxha rron në zemrën time!

Portreti i Skënderbeut bie në sy në anën e djathtë në korridor. Në murin ballor në dhomën e ndejës është vendosur portreti i Enver Hoxhës.

E përbashkëta e tyre është korniza me ngjyrë të artë. I zoti i shtëpisë shpjegon arsyen pse fotografisë së diktatorit shqiptar i ka rezervuar vend më të veçantë krahasuar me portretin e heroit kombëtar, Gjerjg Kastriotit Skënderbeut

“Skënderbeu i ka kaluar të gjitha pengesat”, thekson bindshëm Sahit Salihu (75-vjeç), profesor i pensionuar i letërsisë dhe gjuhës shqipe në gjimnazin ferizajas “Kuvendi i Arbrit”. “Figura e Enverit ende po sulmohet”.

Madje nuk i ka pëlqyer që e bija ka vendosur fotografinë e absolventiadës në këndin e djathtë të kornizës së madhe të Hoxhës. Pranë ka edhe një trëndafil. “Por nuk kam dashur me ia prish në këtë fillim, sepse nuk qitet fotografia mbi fotografi”, thekson Salihu.

Lidhja me figurën e Hoxhës kishte nisur si nxënës i klasës së parë, kur në vitin 1947 portreti i prijësit partizan mbahej në murin ballor sipër tabelës së zezë në Shkollën Fillore në Carralevë të Shtimes. Prej atëherë me “gjeneral” i referohet diktatorit.

“Mandej prishet raporti më 1948 me Jugosllavinë. Erdhi mësuesi shqiptar dhe nuk tha kurrgjë keq për Enverin, u shpreh pak banalisht për Stalinin”, kthehet në fëmijëri Salihu.

“Për Enverin nuk e di si e ka hequr, por e ka hequr dikush, pa zhurmë. E ka zbritur dikush dhe nuk e kemi ditur se kush”.

Më vonë do ta kuptonte prej syve të diktatorit se nuk ishte “zemërprishur”.

“Prej atëherë e kam në shpirt Enver Hoxhën. Në psikologjinë e tij nuk shoh ndonjë njeri me zemër të prishur, që bën ndonjë punë shkatërrimtare. Më ka lënë përshtypje psikologjia e tij dhe ka reflektuar pozitivisht”.

Do ta idealizonte edhe më shumë në moshë pjekurie, kur kishte nisur të lexonte për veprimtarinë e liderit të hekurt shqiptar.

Salihu ishte mësimdhënës në fund të viteve gjashtëdhjetë në Studençan të Therandës kur e kishin arrestuar komunistët jugosllavë për fotografinë e Hoxhës, dhe me pretekstin “se edukonim nxënësit me nacionalizëm”.

SHKARKO APP