Pse Ilir Meta shkoi në SHBA,Itali dhe Gjermani?

 

 

Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta është politikani që ka pasur axhendën më të ngjeshur në takimet ndërkombëtare gjatë muajit të fundit. Në më pak se një muaj, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit dhe drejtuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar më shumë se 30 takime të nivelit të lartë. Turi ndërkombëtarët i kreut të Kuvendit jo rastësisht ka kulmuar me tre vizita të rëndësishme. Takimet e kreut të Kuvendit janë zhvilluar në SHBA, Itali dhe Gjermani. Duket se jo rastësisht janë zgjedhur këto tre shtete të cilat janë partnere strategjike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati strategjik i Shqipërisë dhe një nga superfuqitë e botës, aleanca me të cilën ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Tiranën zyrtare. Italia është në një nga shtetet e Bashkimit Europian që cilësohet si avokati kryesor i integrimit të Shqipërisë në BE dhe ndër partnerët kryesore ekonomik. Ndërsa Gjermania, de fakto, është vendi që drejton Europën dhe marrëdhëniet Tiranë-Berlin janë përcaktuese për integrimin, reformat dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Por cilat janë takimet kryesore që ka zhvilluar Meta në këto tre vende?

Po e fillojmë nga fundi, pra nga pardje. Vizita e ditëve të fundit e kreut të Kuvendit është ajo e zhvilluar në Gjermani. Për vetë rolin që ka sot Gjermania në Bashkimin Europian dhe në financimin e projekteve rajonale, takimet në Berlin marrin një rëndësi të veçantë. Meta është takuar me eksponentët më të lartë të Budestagut gjerman dhe drejtuesit e Parlamentit të Landit të Ëestfalisë së Renit të Veriut. Disa takime janë zhvilluar me drejtuesit e CDU-së, pari e cila ka shumicën drejtuese në Budestagun gjerman, mbështetja e së cilës është themelore për Shqipërinë. Reforma në drejtësi, anti-korrupsioni, si dhe reformat e tjera të qeverisë shqiptare kanë qenë në qendër të takimeve me Zv. Presidentin e Parlamentit Gjerman, Johannes Singhammer, sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Ralf Brauksiepe, Sekretarin e shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve sociale, Jörg Asmussen. Në 10 takimet e zhvilluara në Gjermani nuk kanë munguar diskutimet për rritjen e investimeve gjermane në Shqipëri dhe projekte konkrete ekonomike.

Italia, i cilësuar si një nga vendet që mbështet më fort integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ka qenë ndalesa e rradhës e kreut të Kuvendit. Meta është takuar me gjithë zyrtarët më të lartë të legjislativit italian, si Presidentin Pietro Grasso dhe Presidenten e Dhomës së Deputetëve Laura Boldrini. Lidhur me integrimin e Shqipërisë kreu i parlamentit Meta ka diskutuar me Presidentin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Migracionit në Senatin Italian, Pier Ferdinando Casini dhe Kryetarin e Komisionit të Politikave të Bashkimit Europian në Senatin Italian, Vannino Chiti. Ndërsa nuk kanë munguar dhe takimet me dy prej politikanëve që kanë qenë përkrahës mbështetës të Shqipërisë në BE, si ish-Kryeministri italian, Massimo D’Alema dhe ish-Ministri i Jashtëm, Franco Fratinni.

Por më kryesorja mbetet ajo që ishte e para vizitë e Metës e kësaj vjeshte. Në fund të muajit tetor, ai zhvilloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita në cilësinë e Kryeparlamentarit dhe kreut të LSI-së merrte një rëndësi të veçantë për shkak të zërave që qarkullonin nga opozita për një ftohje të Uashingtonit zyrtar me drejtuesit e së majtës në Tiranë. Në fakt, takimet dhe qëndrimi disaditor në SHBA u dha fund hamendësimeve të tilla. Kreu i Kuvendit zhvilloi nëntë takime me politikanë të njohur amerikanë, senatorë dhe kongresmenë, si dhe me drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare me seli në Uashingon. Një prej takimeve më të rëndësishëm ishte ai me liderin e demokratëve në Kongres Amerikan, Nancy Pelosi. Ndërsa nuk kanë munguar dhe takimet me drejtues të lartë të administratës së SHBA, si ai me Kryetarin e Kongresit Amerikan, John Boehner dhe Nënkryetarin e Komitetit për Europën në Senatin Amerikan, senatorin Chris Murphy. Lidhur me sfidat e terrorizmit dhe qëndrimin e Shqipërisë, Meta ka diskutuar me kryetarin i task-forcës kundër terrorizmit në Kongresin Amerikan, Robert Pittenger, si dhe me senatorë dhe kongresmenë që vlerësohen si miq të Shqipërisë dhe kontributi i tyre në marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane është i një rëndësie të veçantë.

Që nga marrja e mandatit si Kryetar Kuvendit, turi i fundit i takimeve të Metës është ndër më të rëndësishmit. Duket se jo rastësisht është zgjedhur trekëndëshi SHBA-Itali-Gjermani. SHBA dhe Gjermania janë vendet me më shumë ndikim në politikën ndërkombëtare dhe raportet që ka Tirana zyrtare me këto kryeqendra botërore vendosin dhe fatin e reformave në Shqipëri. Ndërsa Italia është vendi që në BE ka marrë rolin e kujdestarit të rajonit ballkanik. Në të kaluarën, vizita të tilla të drejtuesve të shtetit janë shoqëruar dhe me ndryshime rrënjësore në politikën vendase. A ishin vizitat e Metës sinjali i ndryshimeve që mund të vijnë dhe qeverisjen e Tiranës. Mbetet të shohim. Zakonisht efekti i takimeve të tilla vjen pak muaj më pas e jo mënjëherë.

Çfarë ka folur në selitë e Uashingtonit, Romës e Berlinit kreu i parlamentit Ilir Meta dhe nuk e ka thënë akoma ? Ato që ia kanë treguar për Qeverinë Rama duhet t'i nxjerrë nga përbrenda e të komunikojë me  publikun. Një pritje të këtij niveli kaq të lartë , në të tre shtetet, nuk është bërë për asnjë kryetar parlamenti që nga viti 1991. Duhet pranuar se vizitat e tij kanë ngjallur zili në kampin e së majtës e sidomos në PS.

SHKARKO APP