Rama uron mirëmëngjes nga Ura e Mesit, thesari i trashëgimisë së Shkodrës
Këtë të diel, Kryeministri Rama e ka nisur me një mirëmëngjesi nga Ura e Mesit, një destinacion që po i bën edhe turistët e huaj të dashurohen me thesaret e trashëgimisë së Shkodrës, duke u shndërruar në pikën e preferuar për të ruajtur kujtimet nga Shqipëria.
Ura e Mesit nuk është vetëm një dëshmi e hershmërisë dhe përpjekjeve për komunikim, por edhe një hajmali e rrallë e bukurive të Shkodrës, një vepër ikonike e thesareve të trashëgimisë. Ajo përbashkon skajet e Shkodrës fushore me atë të ngërthyer në maje e në male.
Vjen nga kohë e mesjetës, për të treguar me qëndresë se sa i paepur ishte shpirti i atyre që në këto gurë dhe në këto harqe, nën këto këmbë e nën këtë vërshim të Kirit, rendën njerëz të fortë si shkëmbi dhe vërshuan ujëra të akullt. Sot ajo pret dhe përcjell turistë nga gjithë bota, të cilët mahniten me bukurinë e saj.
Ura e Mesit është një urë historike e ndërtuar gjatë periudhës osmane, e vendosur rreth 8 kilometra në verilindje të Shkodrës, afër fshatit Mes. E ndërtuar në shekullin XVIII, kjo urë është një ndër urat më të mirëmbajtura të periudhës osmane në Shqipëri.
Ajo është e ndërtuar me gurë gëlqerorë dhe përmban 13 harqe, me harqin më të madh në mes, duke arritur një gjatësi totale prej rreth 108 metrash. Ura ka një formë karakteristike me një kurbë të theksuar, që është një tipar tipik i urave osmane. Fillimisht, ura u ndërtua për këmbësorë dhe për të kaluar bagëtitë, duke qenë një pjesë e rëndësishme e rrugës tregtare që lidhte bregdetin Adriatik me zonat e brendshme.
Zona përreth urës është shumë piktoreske, me lumin Kir dhe malet afër, duke e bërë një vend të preferuar për vizitorët dhe fotografët. Ura e Mesit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shkodrës dhe është një monument i mbrojtur që tërheq turistë të shumtë.
Albert Vataj