Rami: Kapitull i ri për barazinë gjinore në Gjirokastër

Bashkia Gjirokastër firmos Kartën Europiane për Barazi të Burrave dhe Grave në jetën publike

Bashkia Gjirokastër firmosi sot Kartën Europiane për Barazi të burrave dhe grave në jetën publike, duke u rreshtuar në krah të 1512 bashkive dhe rajoneve në 33 vende në Europë dhe duke u bërë njësia e parë e qeverisjes vendore në Shqipëri që merr përsipër një angazhim të tillë publik.

“Ndihem shumë krenare që Bashkia Gjirokastër bëhet e para njësi e qeverisjes vendore në Shqipëri që firmos këtë kartë, e hartuar nga Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve Europiane dhe renditet në këtë mënyrë përkrah 1512 palëve nënshkruese në 33 vende në Europë”,-  theksoi në fjalën e saj, kryetarja e bashkisë, znj. Zamira Rami.

 Ajo shtoi se me nënshkrimin e Kartës Europiane për Barazi të Grave dhe Burrave në jetën vendore, marrim mbi vete përgjegjësi të reja dhe një angazhim të fortë publik në lidhje me parimet e barazisë gjinore. “Ky hap që po hedhim e ngre Bashkinë Gjirokastër në një tjetër nivel, e njehson atë me simotrat europiane. Ndaj në emër të këtij standardi të ri, por edhe të përfitimeve që bashkia do të ketë nga ku angazhim, jemi të gatshëm të përmbushim gjithë detyrimet tona, të cilat kanë në themel barazinë. Në sot institucionalizojmë një të drejtë themelore, një të drejtë të patjetërsueshme. Me firmosjen e Kartës Europiane për Barazi, hapim një kapitull të ri, që i çon përpjekjet për barazinë gjinore në një tjetër stad, në atë të bashkëveprimit dhe bashkëpunimit me institucionet e shoqërinë civile, për një qëllim të përbashkët”,- tha kryetarja e bashkisë, znj. Zamira Rami.

Ndërkohë, përfaqësuesi i UN Vvomen Albania, David Saunders, i pranishëm gjatë ceremonisë vlerësoi nismën e Bashkisë Gjirokastër për firmosjen e kësaj karte. “Karta është pjesë e strukturës Europiane që siguron orientimin për promovimin e barazisë gjinore përgjatë gjithë shteteve anëtare. Sot Gjirokastra hap udhën, duke iu bashkuar afërsisht 1500 bashkive përgjatë Europës, të cilat kanë përqasur përmbajtjen e Kartës. Duke iu bashkuar këtij komuniteti praktikash viheni në kontakt me bashkitë si dhe eksperiencat e përpjekjet konkrete për promovimin e barazisë midis grave dhe burrave. Sigurisht, firmosja e Kartës përbën vetëm hapin e parë. Sekreti për të pasur sukses qëndron në implementimin e Kartës nëpërmjet organizimit, shërbimeve dhe funksioneve mbështetëse bashkiake. Një element thelbësor është organizimi dhe planifikimi buxhetor, për të mbështetur përgjegjësinë e grave dhe burrave në mënyrën e shpenzimit të burimeve financiare. Këto avantazhe mund të përfitohen nëpërmjet veprimeve rutinë. Me hapin e parë të hedhur sot, Gjirokastra kryeson rrugën, e cila do të ndiqet pa diskutim edhe nga bashki të tjera të Shqipërisë. I uroj Kryetares dhe Bashkisë Gjirokastër shumë suksese për zotimin dhe angazhimin në hapa konkretë për implementimin e Kartës Europiane për barazinë midis grave dhe burrave në jetën vendore”, u shpreh z. Saunders. Karta Europiane për Barazi të Grave dhe Burrave në jetën vendore u drejtohet organeve të qeverisjes vendore dhe rajonale, të cilat ftohen ta nënshkruajnë, ta shpallin zyrtarisht përkushtimin e tyre publik ndaj parimit të barazisë së grave dhe burrave dhe të zbatojnë, brenda territoreve të tyre, angazhimet e parashikuara në këtë kartë. Kjo Kartë u hartua në kuadrin e një projekti (2005- 2006) të ndërmarrë nga Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve Europiane, së bashku me shumë partnerë të tjerë. Projekti u mbështet nga Komisioni Europian përmes Programit të tij të Pestë të Veprimit Komunitar për barazi ndërmjet burrave dhe grave.

Nëse do kthehemi pas në kohë, shënimet historike tregojnë se 90 vjet më parë, me propozim të Rilindëses e mësonjëses Urani Rumbo, Këshilli i Bashkisë Gjirokastër, që drejtohej nga Bajo Topulli, miratoi Dekretin e Zonjërisë, i pari dokument zyrtar, traktat social e filozofik për emancipimin e femrës e shoqërisë shqiptare.

SHKARKO APP